A e shkelën të drejtën ndërkombëtare sulmet ndaj Iranit?

Sulmi i Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit nxiti debat mbi vetëmbrojtjen, atentatet ndaj liderëve dhe erozionin e së drejtës ndërkombëtare, transmeton Dojçe Vele (DW).

A ishte sulmi ndaj Iranit i lejueshëm sipas të drejtës ndërkombëtare?

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Аntonio Guterres, e dënoi ofenzivën aktuale kundër Iranit që më 28 shkurt e filluan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli. Ai u thirr në ndalesën e Kartës së ОKB –së për përdorimin e forcës kundër një shteti tjetër dhe tha se sulmet përbëjnë një “kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

“Mendoj se shumica e juristëve ndërkombëtarë do të pajtoheshin se për këtë nuk ka asnjë justifikim ligjor. Është në kundërshtim me Kartën e OKB-së”, tha Gissou Nia, avokate e të drejtave të njeriut dhe drejtoreshë e Projektit të Gjykimit Strategjik në Këshillin e Atlantikut.

“Bëhet fjalë për një sulm ndaj Iranit që qartësisht nuk është i ligjshëm sipas të drejtës ndërkombëtare ose sipas ligjeve të luftës të SHBA-ve”.

Por, Nia shton se sistemi ligjor ndërkombëtar gjithashtu nuk ka arritur të “mundësojë drejtësi për 92 milionë iranianë, shumë prej të cilëve kanë vuajtur shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe krime të kryera kundër tyre nga regjimi iranian gjatë 47 viteve të fundit”.

Kjo nuk është hera e parë që vihet në pikëpyetje ligjshmëria e operacioneve ushtarake amerikane. Ndryshe nga luftërat e kaluara, siç ishte pushtimi i Irakut në vitin 2003, këtë herë qeveria amerikane duket e painteresuar për ta bindur botën se po vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Nuk më duhet e drejta ndërkombëtare”, tha Trump për “The New York Times” më 7 janar 2026, duke shtuar, “Nuk dua tu bëj keq njerëzve”.

A munden SHBA-të dhe Izraeli të thirren në vetëmbrojtje për ta justifikuar sulmin?

Përfaqësuesit amerikanë dhe izraelitë pretendojnë se kanë vepruar kundër kërcënimeve iraniane, posaçërisht ndaj kërcënimit të Iranit për prodhimin dhe përdorimin e armëve bërthamore. Por ekspertët ligjorë thonë se është e paqartë nëse këto kërcënime ishin mjaftueshëm të direkte për t’i përmbushur rregullat e rrepta të OKB-së për vetëmbrojtjen.

Sipas Nenit 51 të Kartës së OKB-së, një shtet mund të përdorë forcë për vetëmbrojtje vetëm pas një sulmi të armatosur. Një interpretim më i gjerë lejon përdorimin e forcës kundër një “kërcënimi direkt”, por ky interpretim është shumë i diskutueshëm.

Autoritetet iraniane vazhdimisht janë kanosur se do ta “shkatërrojnë” Izraelin. Por ekspertët thonë se një kërcënim retorik armiqësor nuk mjafton për ta legjitimuar një sulm parandalues.

Gjatë përgatitjeve ushtarake zyrtarë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar për kapacitetet bërthamore të Iranit. Përfaqësuesi Steve Witkoff më 21 shkurt tha se Irani është “ndoshta një javë larg” prodhimit të materialit industrial për përgatitjen e një bombe.

Por kjo me sa duket bie ndesh me deklaratat e Presidentit Donald Trump pas bombardimeve të Iranit në vitin 2025, kur ai pretendonte se kapacitetet bërthamore të Iranit ishin shkatërruar.

A ishte vrasja e Khameneit atentat?

Sipas të drejtës ndërkombëtare vrasja e një kreu të shtetit është shumë kontroverse: edhe pse ushtarët mund të jenë objektiva legjitime në luftë, vrasja e qëllimshme e një udhëheqësi politik zakonisht konsiderohet si atentat – sidomos nëse vetë sulmi nuk justifikohet sipas Kartës së OKB-së. Kjo vdekjen e Khameneit në sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael e bën një nga pikat më delikate ligjore në konflikt.

Gissou Nia thotë: “Në të njëjtën kohë, kjo çoi në vrasjen e ish-udhëheqësit suprem të Iranit, i cili është përgjegjës për qindra mijëra vdekje të iranianëve përgjatë viteve. Sidomos masakra e 8 dhe 9 janarit të këtij viti, e cila ishte një nga masakrat më të këqija njëditore në historinë moderne. Në këtë kontekst shumë iranianë janë mirënjohës. Por disa thonë se do të donin ta shihnin udhëheqësin suprem në gjykatë, të përgjigjej për krimet e tij. Pra, situata është shumë komplekse.”

Çfarë thonë ligjet amerikane që e ndalojnë atentatin?

SHBA-të gjithashtu kanë një ndalesë për pjesëmarrje të amerikanëve në atentate. Kjo ndalesë u vendos fillimisht me një urdhër ekzekutiv nga Presidenti Gerald Ford në vitin 1976, ndërsa më vonë është ndryshuar nga presidentë të tjerë. Urdhri thotë se “askush që punon për ose vepron në emër të Qeverisë së SHBA-së nuk duhet të përfshihet ose të nxisë një atentat”.

Por gjatë dekadave SHBA-të gradualisht e kanë gërryer këtë ndalesë. “Vija ishte shumë e hollë që nga fillimi”, thotë Luca Trenta, docent i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Swansea. “SHBA-të kanë miratuar një politikë sipas të cilës aktet e vetëmbrojtjes nuk e shkelin ndalesën”. Ai e kujton sulmin ajror të SHBA-ve në vitin 1986 me të cilin kishte një tentativë të pa sukses për ta eliminuar udhëheqësin libian Muammar Gaddafi. “Dallimi tani është se qeveria e SHBA-ve dhe Trump, përmes mediave sociale, po e marrin publikisht përgjegjësinë për vrasjen”.

A duhej Irani të kundërpërgjigjej duke e sulmuar Izraelin dhe bazat amerikane?

Menjëherë pas fillimit të sulmeve Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt Izraelit, si dhe bazave amerikane dhe objektivave të tjerë në të gjithë Gjirin. Teherani pretendon se po vepronte në vetëmbrojtje pasi u sulmua. Sipas të drejtës ndërkombëtare një shtet që ka pësuar një sulm të armatosur mund të mbrohet.

Por sulmet ndaj objektivave civile, si në Izrael dhe Dubai, i nxjerrin në pah kufizimet e qarta ligjore: shënjestrimi i civilëve është rreptësisht i ndaluar , ndërsa nuk lejohet edhe sulmi ndaj shteteve që nuk janë palë në konflikt.

Analistët disa nga sulmet e Iranit i kanë quajtur “vetëmbrojtje e drejtuar në mënyrë të gabuar”, veçanërisht kur sulmet kishin për qëllim territoret e vendeve të treta që strehojnë forcat amerikane, në vend që të drejtoheshin drejtpërdrejt ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Sulme me raketa ose dronë që besohet se kanë origjinën në Iran janë raportuar në Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izrael, territoret palestineze, Kuvajt, Jordani, Arabinë Saudite, Oman dhe Qipro.

A është kjo luftë një tjetër shenjë se e drejta ndërkombëtare po dobësohet?

Ekspertët paralajmërojnë se konflikti mund të jetë një moment kthese. Përderisa shtetet e fuqishme mbështeten gjithnjë e më shumë në sulme të njëanshme dhe një interpretim të gjerë të vetëmbrojtjes, rregullat e hartuara për ta parandaluar luftën mund të jenë duke u zhbërë.

Politologu Luca Trenta thekson: “Mendoj se jemi duke parë demonstrimin e një forme brutale të ndërhyrjes së jashtme pa shumë konsideratë për kufizimet ligjore vendase ose ndërkombëtare.”

Ai shton se administrata Trump, kur ka kryer operacione ushtarake, ka treguar pak interes për t’i justifikuar ato sipas së drejtës ndërkombëtare. “Kjo ishte e dukshme edhe në rastin e Nicolás Maduro, i cili u arrestua në Venezuelë,” thotë ai. “Justifikimi që u ofrua në masë të madhe e injoroi të drejtën ndërkombëtare dhe u mbështet vetëm në ligjin vendas të SHBA-ve.”

Trenta thotë se është veçanërisht i shqetësuar që bota po dëshmon një përshkallëzim të atentateve në politikën ndërkombëtare. Sipas tij, edhe vendet e tjera mund ta pranojnë këtë dhe atentati të bëhet më i rëndësishëm.