Nga portet dhe hekurudhat te algoritmet, Kina kërkoi të marrë nën kontroll Inteligjencën Artificiale

Pas diplomacisë së madhe të infrastrukturës, e njohur si “Rruga e Mëndafshit”, Kina e Xi Jinping po nis një strategji të re globale: diplomacinë e inteligjencës artificiale (IA), raporton Klan.

Mesazhi u dha nga vetë presidenti kinez gjatë hapjes së Konferencës Botërore për Inteligjencën Artificiale në Shangai. Xi bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar, duke thënë se zhvillimi i IA-së duhet të jetë “një simfoni bashkëpunimi” dhe jo “performanca solo e një vendi të vetëm”, duke iu referuar në mënyrë indirekte Shteteve të Bashkuara.

Pas këtij mesazhi qëndron një ambicie më e madhe e Pekinit: Kina synon të bëhet furnizuesi kryesor global i teknologjisë së inteligjencës artificiale, duke ofruar algoritme, qendra të dhënash, çipa dhe energji për sistemet e reja, por edhe duke ndikuar në rregullat që do të përcaktojnë përdorimin e kësaj teknologjie.

Strategjia kineze synon të krijojë një ekosistem të IA-së aq të madh dhe të fuqishëm sa të konkurrojë me atë amerikan.

Pekini po përpiqet të shfrytëzojë edhe qasjen e administratës amerikane “America First” të Donald Trump, e cila ka vendosur kufizime për teknologjitë më të avancuara të IA-së nga frika se mund të përfundojnë në duar të gabuara.

Kina po paraqitet si mbështetëse e vendeve në zhvillim dhe e ashtuquajturit Jugu Global, duke ofruar modele të inteligjencës artificiale me burim të hapur (open source), të cilat mund të shkarkohen dhe përshtaten më lehtë nga përdoruesit.

Në muajt e fundit, kompanitë kineze kanë bërë hapa të rëndësishëm në këtë fushë. Fillimisht ishte DeepSeek, që tërhoqi vëmendjen globale me një model të avancuar të IA-së, ndërsa më pas kompania kineze Moonshot AI prezantoi një sistem që u afrua me modelet më të fuqishme amerikane.

Xi ka propozuar gjithashtu krijimin e një Organizate për Bashkëpunimin në Inteligjencën Artificiale (WAICO) me seli në Shangai, si një alternativë ndaj aleancave teknologjike të udhëhequra nga SHBA-të.

Deri tani, rreth 29 qeveri kanë shprehur interes për këtë nismë, mes tyre Rusia, Brazili, Pakistani dhe Indonezia. Këto vende shpresojnë të përfitojnë nga algoritmet, ekspertiza dhe investimet kineze për ndërtimin e qendrave të të dhënave.

Kina e paraqet këtë si një marrëdhënie ku “fitojnë të gjithë”, por kritikët paralajmërojnë se Pekini mund të përfitojë më shumë duke vendosur standardet globale të teknologjisë, njësoj siç ndodhi më parë me kompaninë Huawei dhe rrjetet 5G.

Nëse Kina arrin të lidhë me veten një pjesë të madhe të botës përmes teknologjisë dhe të dhënave, ajo mund të fitojë ndikim të madh në një sektor që pritet të përcaktojë fuqinë ekonomike dhe ushtarake të dekadave të ardhshme.

Megjithatë, ekzistojnë edhe shqetësime. Kritikët thonë se varësia nga teknologjia kineze mund të kthehet në një mjet presioni politik, ashtu siç ka ndodhur me burime të tjera strategjike si mineralet e rralla.

Pavarësisht promovimit të modeleve “të hapura”, Kina vazhdon të ketë kontrolle të forta shtetërore mbi teknologjinë. Autoritetet kineze shqyrtojnë sistemet e reja të IA-së përpara se ato të publikohen dhe po shqyrtojnë mundësinë e kufizimit të aksesit të të huajve në modelet më të fuqishme.

Në këtë garë teknologjike, SHBA-të ndjekin politikën “America First”, ndërsa Kina po ndërton qasjen “China First”. Përballë kësaj përplasjeje, Europa dhe pjesa tjetër e botës mbeten mes dy fuqive që po luftojnë për kontrollin e teknologjisë së së ardhmes.