“Lotaria Shtetërore”, mbrojtja e Përparim Bajramit thotë se nuk ka dëm prej 9.7 milionë eurosh

Në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku ndër të akuzuarit janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami. Në seancën e sotme, mbrojtja kundërshtoi pretendimin e Prokurorisë se blerja e aparateve të lojërave të fatit i ka shkaktuar Lotarisë dëm prej rreth 9.7 milionë eurosh, ndërsa ngriti edhe pretendime për mënyrën se si janë marrë deklaratat e disa anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës, shkruan Portalb.mk.

Avokati i Përparim Bajramit, Elenko Milanov, tha se shuma prej rreth 9.7 milionë eurosh paraqet vlerën e aparateve të blera dhe jo para të përvetësuara nga të akuzuarit. Sipas tij, në aktakuzë nuk pretendohet se ndonjëri prej tyre ka përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme.

Ai tha se aparatet ende ndodhen në Lotarinë Shtetërore dhe se, sipas mbrojtjes, ato sot kanë vlerë më të madhe se në momentin kur janë blerë.

Milanov kundërshtoi edhe pretendimin lidhur me “Casinos Austria”. Ai tha se partneri austriak nuk kishte të drejtë ekskluzive për blerjen e aparateve të lojërave të fatit, por marrëveshja i jepte ekskluzivitet vetëm për organizimin e lojërave elektronike të fatit.

Sipas mbrojtjes, Lotaria Shtetërore kishte të drejtë t’i blinte dhe t’i përdorte aparatet për aktivitetin e saj.

Në seancë u ngrit edhe çështja e mënyrës se si janë marrë deklaratat e disa prej anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë.

Avokatja Ljubica Stojkoviq-Popova, e cila mbron Skender Mehmetin, tha se pesë anëtarët fillimisht ishin thirrur në Prokurori si dëshmitarë dhe kishin dhënë deklarata nën betim, pa praninë e avokatëve. Sipas saj, më vonë ata janë përfshirë si të akuzuar në të njëjtin rast.

Mbrojtja pretendon se në këtë mënyrë u është cenuar e drejta për mbrojtje me avokat.

Ndërkaq, Prokuroria pretendon se të akuzuarit gjatë vitit 2023 dhe 2024 kanë tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare duke mundësuar blerjen e terminaleve të videolotarisë dhe organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit, edhe pse të drejtën për organizimin e këtyre lojërave e kishte “Casinos Austria”. Me këto veprime, sipas Prokurorisë, Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej rreth 9.7 milionë eurosh.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 2 tetor, të premten.

Kujtojmë se, përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.

Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.