U hap për studentët konvikti “Stiv Naumov” në Shkup, i rinovuar me fondet e Gjermanisë dhe BE-së
Në konviktin studentor të rikonstruktuar „Stiv Naumov“ në Shkup, me kapacitet prej 1.150 shtretërish, janë krijuar kushte evropiane. “Ajo që studentët duhet të bëjnë është vetëm t’i përkushtohen mësimit, t’i përfundojnë studimet dhe, natyrisht, të vazhdojnë të përparojnë”, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Viti i ri akademik fillon më 1 tetor, ndërsa sot objektin e vizituan edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, ambasadorja gjermane Petra Dreksler dhe përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), transmeton Portalb.mk.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që të gjithë së bashku ua mundësuam këto ndërtesa moderne të rinjve në kryeqytet, të cilët kanë nevojë për kapacitete shtetërore për akomodim gjatë studimeve. Nga objektet e rrënuara, disa të ndërtuara në vitin 1964, e disa në vitet ’90, të cilat për vite me radhë ishin simbol i neglizhencës dhe kushteve johumane, burim i ndotjes, sot kemi objekte të transformuara tërësisht – moderne, me nivel të lartë të efikasitetit energjetik, me pajisje dhe teknologji më bashkëkohore, që plotësojnë të gjitha standardet më të larta për ndërtimin dhe pajisjen e objekteve të këtij lloji në Bashkimin Evropian”, tha Janevska.
Ministrja u bëri thirrje studentëve që t’i përdorin me përgjegjësi hapësirat, pasi, siç tha ajo, bëhet fjalë për pasuri publike dhe nga studentët varet se sa gjenerata të ardhshme do t’i përdorin këto hapësira dhe do të jenë gjithashtu të kënaqura me kushtet.
Janevska tha se shumë shpejt do të hapet edhe një konvikt tjetër studentor, “Kuzman Josifovski-Pitu” në Qendër, i cili është rikonstruktuar tërësisht dhe do të sigurojë edhe 280 vende për studentët.
Për këto dy konvikte janë investuar 20 milionë euro, ndërsa struktura financiare është krijuar nga Qeveria, Banka Gjermane për Zhvillim dhe Bashkimi Evropian. Ky investim është pjesë e një programi më të gjerë që parasheh rikonstruksionin e nëntë konvikteve shtetërore studentore, gjashtë shkollave me qendra burimore për nxënësit me nevoja të veçanta dhe një konvikti për nxënës.
Investimi i përgjithshëm do të kushtojë 86 milionë euro, prej të cilave 60 milionë janë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me kushte jashtëzakonisht të favorshme, 22 milionë euro janë grante të pakthyeshme nga BE-ja dhe rreth 4 milionë euro janë nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Konvikti “Stiv Naumov” u mbyll tërësisht në korrik 2024 për shkak të rikonstruksionit të paralajmëruar. Studentët ishin shpërngulur rreth dhjetë ditë më herët, ndërsa u mbyllën edhe objektet që nuk do të ishin drejtpërdrejt pjesë e punimeve, pasi pritej ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike. Në atë kohë, konvikti përballej me kushte të këqija, përfshirë lagështirë, rrjedhje në tualete, përmbytje dhe probleme me brejtës e insekte. Rikonstruimi parashikonte ndërrimin e instalimeve elektrike dhe hidraulike, fasadën energjetike, sistemet e ngrohjes, dyerve e dritareve, si dhe rinovimin dhe mobilimin e hapësirave.