Mostrat e analizuara janë në kuadër të vlerave të lejuara me ligj, por ende nuk duhet të përdoret ujin për pije, alarmoi Limani
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka theksuar se shqetësimet shëndetësore që janë regjistruar te banorët e Gostivarit, nuk vijnë për shkak të ujit, edhe pse akoma presin rezultate tjera, transmeton Portalb.mk.
“Sipas analizave të rregullta që kryen NP “Komunalec”, mostrat e analizuara deri më tani tregojnë se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara me ligj. Pas pranimit të denoncimit, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet e tjera kompetente kryen kontrolle shtesë dhe morën mostra të reja për analiza laboratorike”, deklaroi Limani, duke premtuar transparencë për çdo rezultat.
Limani sqaroi që akoma janë duke pritur rezultate nga analizat tjera, për çka theksoi se akoma vlen ndalës për përdorimin e ujit për pije dhe ushqim. Ai hodhi poshtë pretendimet se uji i ujësjellësit është përzier me ujin e kanalizimit.
Ministri për Shëndetësi, Sasho Klekovski, sot pritet të vizitojë Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar.
Ndryshe, pas rritjes së numrit të qytetarëve të cilët ditëve të fundit janë ankuar për probleme me stomakun dhe janë paraqitur në Spitalin e Gostivarit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka kërkuar të kryhen kontrolle të jashtëzakonshme të ujit të pijshëm, për çka dje (17 korrik) e ka ndaluar përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se ai është i ndotur dhe i pasigurt për konsum.