Autori i propozimit francez për Maqedoninë tani harton strategjinë e re të BE-së për zgjerimin si këshilltar i von der Leyen
Aleksandre Adam, diplomati francez i cili në vitin 2022 hartoi propozimin francez për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë, tani shfaqet si autori kryesor i draft-planit të ri të Komisionit Evropian për integrimin gradual ekonomik të vendeve kandidate. Siç raportoi sot „Politico“, Adam, i cili aktualisht është zëvendësshef i kabinetit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, qëndron pas nismës përmes së cilës Bashkimi Evropian planifikon të hapë tregun e tij të përbashkët për shtetet që presin anëtarësimin, me kusht që ato të rreshtohen plotësisht me bllokun evropian kundër vendeve armiqësore dhe rivalëve ekonomikë, transmeton Portalb.mk.
Para se të shkonte në Bruksel, Adam ishte një nga këshilltarët më me ndikim për çështjet evropiane në Pallatin Elize. Ai iu bashkua ekipit të presidentit francez Emmanuel Macron në fillim të mandatit të tij të parë në vitin 2017 dhe ishte ndër të paktët bashkëpunëtorë që ruajtën besimin dhe funksionin edhe gjatë mandatit të dytë presidencial.
Pikërisht Adam udhëhoqi operacionin diplomatik gjatë presidencës franceze të Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2022, me synimin për heqjen e vetos së Sofjes. Ai mori pjesë drejtpërdrejt në çdo fazë të negociatave, duke udhëtuar në konsultime intensive mes Shkupit dhe Sofjes për të harmonizuar qëndrimet me autoritetet e të dyja shteteve. Rezultat i angazhimit të tij diplomatik ishte formulimi i Kornizës Negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, të cilën Macron e prezantoi si kompromis të arritur dhe të pranueshëm edhe për Bullgarinë. Maqedonia zyrtarisht i hapi negociatat në korrik të vitit 2022 dhe e përfundoi procesin e skriningut, por hapja faktike e kapitujve mbeti e bllokuar për shkak të kushtit për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Tani, nga pozita në kabinetin e von der Leyen, Adam përsëri po përcakton politikën evropiane të zgjerimit përmes një pakete masash me qasje të ndryshme ndaj vendeve kandidate. Plani i tij parashikon udhërrëfyes të përshpejtuar dhe qasje të hapur në tregun e përbashkët për Ukrainën, Moldavinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Në anën tjetër, për vendet ku procesi ka ngecur dhe po zvarritet, ndër të cilat janë Maqedonia, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Turqia, plani i Adamit vjen në një kohë kur në Bruksel po shtohen paralajmërimet se ngecja rrezikon që këto shtete të humbin interesimin për të ardhmen evropiane dhe të kthehen drejt ndikimit gjeopolitik të Rusisë ose Kinës.
Propozimi francez i vitit 2022 ishte një paketë dokumentesh e hartuar gjatë presidencës franceze të Këshillit të BE-së, me synim zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut pas vetos bullgare. Pjesa kryesore e tij ishte Korniza Negociuese, ndërsa kompromisi parashikonte që procesi të lidhej me ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në të. Në versionin e ndryshuar, negociatat nisën formalisht me konferencën e parë ndërqeveritare dhe skriningun, ndërsa konferenca e dytë dhe prezantimi i Kornizës Negociuese do të pasonin pas ndryshimeve kushtetuese. Propozimi gjithashtu hoqi referencën direkte ndaj „protokolleve dypalëshe“ me Bullgarinë dhe e zëvendësoi atë me rishikime vjetore dhe masa për zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë.