Deficiti tregtar i Bashkimit Evropian me Kinën arriti në 36.5 miliardë euro vetëm në korrik, ndërsa në shtatë muajt e parë të vitit kapërceu 234 miliardë euro. Të dhënat tregojnë se për çdo 1 euro mallra që BE-ja eksportoi në Kinë, importoi 3.10 euro, raporton TopChannel.
Bashkimi Evropian po përballet me një zgjerim të ndjeshëm të deficitit tregtar me Kinën. Sipas një analize të të dhënave doganore kineze nga Instituti Mercator për Studime Kineze (Merics), deficiti tregtar i BE-së me Kinën arriti në 36.5 miliardë euro në korrik 2026, nga 32.2 miliardë euro në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
‘The Guardian” shkruan se në periudhën janar–korrik 2026, deficiti i përgjithshëm arriti në 234 miliardë euro, rreth 21 miliardë euro më shumë krahasuar me shtatë muajt e parë të vitit 2025.
Sipas Merics, vetëm gjatë korrikut hendeku tregtar ishte i barabartë me rreth 1.18 miliardë euro në ditë. Instituti thekson se raporti i tregtisë ka kaluar nivelin tre me një: për çdo 1 euro mallra të eksportuara nga BE-ja drejt Kinës, blloku importoi 3.10 euro mallra kineze.
Çekuilibri tregtar pritet të jetë një nga çështjet kryesore në bisedimet e ardhshme mes BE-së dhe Kinës. Komisioneri evropian për tregtinë, Maroš Šefčovič, pritet të udhëtojë në Pekin më 8 tetor për takime me homologun e tij kinez.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se çekuilibri tregtar mes dy palëve duhet të adresohet.
Ndër masat që po shqyrtohen nga BE-ja janë kuotat për automjetet hibride dhe për disa kategori kimikatesh të importuara nga Kina.
Automjetet hibride janë bërë një nga sektorët ku importet kineze në tregun evropian janë rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave të përmendura në analizë, shitjet e automjeteve hibride që nuk kanë nevojë të lidhen me rrjetin elektrik u rritën nga pak më pak se 4 mijë automjete në tetor 2024 në rreth 50 mijë në korrik 2026.
Rritja ka ardhur pasi BE-ja vendosi tarifa shtesë për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, ndërsa automjetet elektrike hibride nuk u përfshinë në të njëjtën masë.
Sipas raportimeve të Financial Times, BE-ja i ka kërkuar Kinës që të kufizojë vullnetarisht eksportet e automjeteve hibride drejt tregut evropian.
Marrëdhëniet tregtare BE–Kinë janë të lidhura edhe me çështjen e metaleve të rralla, të cilat janë të rëndësishme për industrinë automobilistike dhe sektorë të tjerë strategjikë.