Rikonstruimi i hekurudhës nga Shkupi në Strugë pritet pas dy viteve, me ndihmën e BE-së po përgatitet dokumentacioni
Derisa qytetarët e Pollogut dhe Maqedonisë Perëndimore përballen me rritjen e çmimeve të transportit ndërurban me autobusë, rikthimi i lidhjes hekurudhore Shkup–Tetovë–Gostivar dhe më tej drejt Kërçovës e Strugës mbetet ende pa afat konkret. Bashkimi Evropian thotë se po mbështet përgatitjen e dokumentacionit teknik për këtë lidhje, ndërsa pritshmëritë janë që dokumentacioni i nevojshëm të përfundojë deri në vitet 2027–2028, shkruan Portalb.mk.
Linja hekurudhore që lidhte Shkupin me Tetovën, Gostivarin dhe Kërçovën nuk funksionon prej një kohe, ndërsa qytetarët aktualisht varen kryesisht nga transporti me autobusë.
Ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta nga qytetarët dhe studentët pas shtrenjtimit të biletave për linjat ndërurbane drejt Shkupit.
Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë të paralajmërojnë rikthimin e lidhjes hekurudhore, por pa përcaktuar se kur trenat do të mund të qarkullojnë sërish.
Nga kabineti i zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqirit, thonë se sa i përket linjës hekurudhore Shkup–Tetovë, ajo është pjesë e planeve më të gjera për zhvillimin e lidhjes hekurudhore në krahun perëndimor të Korridorit 8.
“Aktualisht, së bashku me Bashkimin Evropian, po punohet intensivisht në dokumentacionin për lidhjen hekurudhore Shkup–Tetovë–Gostivar si fazë e parë, e cila më pas parashihet të vazhdojë drejt Kërçovës, Ohrit, Strugës dhe kufirit me Shqipërinë”, thanë nga kabineti i zëvendësministres.
Për këtë projekt, Portalb.mk bisedoi edhe me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup, të cilët thonë se Korridori VIII në tërësi është shumë lart në agjendën e BE-së, ku lidhja e rajonit dhe e tij me BE-në është një nga prioritetet.
“Aktualisht, fondet grant të BE-së përmes asistencës teknike të WBIF – Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, po ofrojnë mbështetje për përgatitjen e dokumentacionit teknik për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e pjesës ekzistuese Shkup–Gostivar dhe më tej deri në Kërçovë, në vlerë prej 1.7 milionë euro”, thonë nga Delegacioni i BE-së për Portalb.mk .
Për pjesën Kërçovë–Strugë deri në kufirin me Shqipërinë, dokumentacioni teknik është përgatitur me grant nga BE-ja përmes IPA I në vitin 2018. Megjithatë, nga Delegacioni i BE-së sqarojnë se duke marrë parasysh kohën e kaluar, ishte e nevojshme analizë e boshllëqeve (Gap Analysis) për rishikimin e këtij dokumentacioni.
Për këtë qëllim, përmes instrumentit CONNECTA janë siguruar 0.6 milionë euro në formë granti, ndërsa konsulentët ekspertë të inxhinierisë kanë filluar punën për këtë analizë.
Përveç kësaj, për pjesën nga Struga deri te pika e re kufitare hekurudhore me Shqipërinë, janë ndarë 0.8 milionë euro nga fondet e granteve të WBIF-it për përgatitjen e paketës së dokumentacionit teknik, e cila pritet të jetë gati deri në vitin 2028, për zhvillimin e procedurës së tenderimit.
Paralelisht, autoritetet kombëtare në Shqipëri po ndërmarrin veprime të ngjashme përgatitore për dokumentacionin teknik nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri te lidhja me portin në Detin Jon.
“Pritshmëritë janë që deri në fund të viteve 2027–2028 të përgatitet i gjithë dokumentacioni teknik i nevojshëm dhe, në koordinim me autoritetet hekurudhore të Shqipërisë, të fillojnë punimet dhe mbikëqyrja për të gjithë trase-n deri te pika kufitare”, thanë nga Delegacioni i BE-së për Portalb.mk.
Ndryshe, ditë më parë u vu në përdorim linja e parë e trenit të qytetit që lidh Zelenikovën me Shkupin, ndërsa trenat në këtë linjë pritet të qarkullojnë tetë herë gjatë ditës.