Nga Kosova me medalje në Los Angeles, Melisa Ibrahimi: Çdo interpretim në skenë është rezultat i orëve të fshehta të punës
Me talent, përkushtim dhe një dashuri të veçantë për muzikën klasike, pianistja Melisa Ibrahimi ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik. Vlerësimi me “Silver Medal” në “Global Music Awards Honors, Los Angeles 2026” përbën jo vetëm një arritje personale për të, por edhe një moment krenarie për artin dhe kulturën shqiptare në skenën ndërkombëtare. Pas këtij çmimi që kurorëzon vite të tëra pune intensive, sakrifice dhe përgatitjeje të pandalshme, Melisa vjen në këtë intervistë për Portalb.mk, për të folur mbi emocionet e suksesit, sfidat e padukshme të një pianisteje, raportin mes teknikës dhe ndjenjës në interpretim, si dhe planet e saj për të ardhmen.
Portalb.mk: Je vlerësuar me Silver Medal në Global Music Awards Honors, Los Angeles 2026, kur e more lajmin, a e ndjeve si një fitore të momentit, apo si rezultat të viteve të punës, dhe cili ishte momenti më i vështirë që t’u kujtua menjëherë pas këtij çmimi?
Melisa Ibrahimi: Kur mora lajmin për çmimin Silver Medal në Global Music Awards Honors Los Angeles 2026, e ndjeva një kombinim të fitores dhe të rezultatit të viteve të gjata punë dhe përkushtimi që kam bërë në piano. Momenti që mu kujtua menjëherë ishte sakrifica e madhe, përgatitjet intensive, ditë të gjata dhe sfidat, por në fund është kënaqësia që më bën të ndihem krenare për atë që jam sot!
Portalb.mk: Me cilin projekt, interpretim u paraqite në këtë vlerësim dhe pse e zgjodhe pikërisht atë repertor?
Melisa Ibrahimi: Në këtë vlerësim u paraqita me interpretimin tim të veprave të Franz Liszt, si pjesë e projektit “Devastato Talent School”. Zgjodha pikërisht këtë repertor sepse mendoj se kjo vepër më lejon të tregoj identitetin tim artistik dhe lidhjen time të thellë me muzikën klasike, duke reflektuar jo vetëm teknikën, por edhe shpirtin dhe emocionin që i jap çdo interpretimi. Është një repertoar sfidues që kërkon përgatitje, por kur fitohen çmimet, çdo sakrificë dhe punë bëhet më e lehtë.

Portalb.mk: Çfarë do të thotë për ty ky çmim në këtë fazë të karrierës: konfirmim, shtysë, apo përgjegjësi më e madhe?
Melisa Ibrahimi: Ky çmim është konfirmim se puna dhe përkushtimi im vlerësohen ndërkombëtarisht, një shtysë për të vazhduar të sfidoj veten dhe një përgjegjësi më e madhe për të përfaqësuar muzikën klasike dhe kulturën shqiptare me dinjitet në skenat botërore.
Portalb.mk: Sa kohë dhe si është ndërtuar përgatitja jote: çfarë rutine ke në prova dhe çfarë sakrifice “nuk shihet” nga publiku?
Melisa Ibrahimi: Përgatitja ime kërkon vite të punës dhe një disiplinë të vazhdueshme. Çdo ditë përfshin prova intensive në piano, duke ndarë kohën mes teknikës, studimit të interpretimit, dhe analizës së muzikës. Sakrificat që nuk shihen nga publiku janë orët e pafund të ushtrimeve. Çdo interpretim në skenë është rezultat i këtyre orëve të fshehta pune, që bëjnë që muzika të arrijë tek publiku në mënyrë të fuqishme.
Portalb.mk: Në skenë, çfarë është më e vështira për ty: perfeksioni teknik apo përçimi i emocioneve? Si e balancon këtë?
Melisa Ibrahimi: Emocioni pa kontroll teknik mund të humbasë strukturën e veprës. Për ta balancuar këtë, përgatitem intensivisht në prova: punoj mbi çdo detaj teknik derisa të bëhet natyral, dhe pastaj i jap hapësirë shpirtit dhe interpretimit emocional. Kështu, në skenë jam plotësisht e përqendruar dhe e lirë, duke transmetuar fuqinë dhe pasionin e muzikës në çdo notë.

Portalb.mk: Si e përjeton përfaqësimin e Kosovës në skena ndërkombëtare, e ndien si krenari, presion, apo motivim shtesë?
Melisa Ibrahimi: Përfaqësimin e Kosovës në skena ndërkombëtare e përjetoj me krenari! Nuk ka asgjë më të bukur se të përfaqësosh shtetin tënd. Është një ndjenjë e veçantë të tregosh se kultura dhe muzika jonë kanë vend në arenën botërore!
Portalb.mk: Çfarë vjen tani pas Los Angeles 2026: cilat janë planet e radhës (koncerte, gara, projekte) dhe cili është qëllimi më i madh që i ke vënë vetes për këtë vit?
Melisa Ibrahimi: Pas Los Angeles 2026, planet e mia përfshijnë koncerte dhe projekte ndërkombëtare, pjesëmarrje në gara dhe regjistrime të reja që do të pasurojnë repertorin tim. Qëllimi më i madh për këtë vit është të vazhdoj të prezentoj vetën ne botë, dhe të përfaqësoj muzikën klasike shqiptare në skena prestigjioze.