7 Marsi nga Mësonjëtorja e Korçës te sfidat e sotme, Bexheti: Politizimi i shkollave e dëmton arsimin shqip në Maqedoni
Në trevat shqiptare sot shënohet 7 Marsi, i njohur ndryshe si Dita e Mësuesit. Kjo ditë, një ndër datat më të rëndësishme arsimore dhe kulturore, kujton me nderim mësuesit e parë të gjuhës shqipe, si dhe përpjekjet, përkushtimin dhe sfidat e shumta që ka kaluar populli shqiptar për ta ruajtur dhe zhvilluar arsimin në gjuhën amtare, shkruan Portalb.mk.
Në shënimin e kësaj dite, profesori Vebi Bexheti për Portalb.mk tha se Dita e Mësuesit na kujton jo vetëm rrugën e lavdishme të shkollës shqipe, por edhe përgjegjësinë për ta çliruar atë nga politizimi, mangësitë dhe padrejtësitë.
Profesori kujtoi edhe disa nga sfidat me të cilat përballet arsimi në vend dhe rajon.

“Për sa i përket ngritjes së cilësisë në shkollat tona, nuk vërehet ndonjë përmirësim, me gjithë ndryshimet sado të vogla në infrastrukturë, që kohëve të fundit janë më të prekshme. Një dukuri tjetër që vite me radhë e kemi ndër shqiptarë dhe jo vetëm, është zvogëlimi i numrit të nxënësve në klasë, për shkaqe edhe të migrimit të familjeve tona drejt perëndimit. Shkolla shqipe në Maqedoninë e Veriut për fat të keq, ende nuk e ka fituar pavarësinë e saj, në kuptimin e përpilimit të plan-programeve mësimore të lëndëve me peshë kombëtare, siç janë: Gjuhë e letërsia shqipe, Historia, Gjeografia, Edukata muzikore, apo edhe ndonjë lëndë tjetër me ngjyrime nga kultura jonë trdicionale. Madje, në këtë shtet, ka shkolla me nxënës shqiptarë, të cilëve ende nuk u mundësohet mësimi në gjuhën amtare”, tha Bexheti.
Ai thotë se ende ka përmbajtje mësimore ofenduese dhe joshkencore, me tendencë falsifkimin e historisë shqiptare. Përveç të metave të kësaj natyre, ai thekson se problem tjetër është edhe mungesa e reformave të mirëfillta, që do ishin të harmonizuara me zhvillimet arsimore bashkëkohore të Bashkimit Evropian.
“Një sindrom, që vazhdimisht e dëmton arsimin shqip në Maqedoni, është poltizimi i skajshëm i shkollave, që në masë të madhe e dëmton zhvillimin normal të kësaj shkolle. Ndryshe qëndron situata në Shqipëri dhe Kosovë, sidomos në aspektin e harmonizimit të programeve mësimore të lëndëve me peshë për interesin kombëtar, dhe disa teksteve me autorë të përbashkët, që për autoritetet arsimore në Maqedoninë e Veriut nuk është e pranueshme”, tha Bexheti.
Ai shtoi se arsimi shqip mund ta rikthejë cilësinë dhe shkëlqimin që pati dikur, por kjo kërkon më shumë përgjegjësi, profesionalizëm, dinjitet për mësuesin dhe ligje që e çojnë shkollën përpara.
“Po, është e vërtetë se shkolla shqipe në të gjitha hapësirat shqiptare po përballet me një proces degradimi, përkundër zhvillimeve të teknologjisë bashkëkohore, edhe pse nuk mungojnë edhe zhvillime pozitive në këtë drejtim. Me gjithë këto të meta në arsimin tonë, me punë më me përgjegjësi, me profesionalizëm, me paga më të larta për mësuesit dhe me ligje që do i çonin proceset arsimore përpara, shpresojmë se arsimit shqip do i kthehet cilësia dhe shkëlqimi, që e pati dikur”, tha Bexheti.
7 Marsi lidhet me hapjen e Mësonjëtores shqipe në Korçë më 1887, shkolla e parë laike në gjuhën shqipe. Kjo datë shënon fillimin e organizuar të arsimit shqip dhe sot festohet si Dita e Mësuesit, në nderim të përpjekjeve dhe sakrificës së brezave që punuan për zhvillimin e shkollës dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.