Banorët e Bllatecit e ruajnë lumin nga investitori i një hidrocentrali të vogël: Pa të nuk ka jetë, nuk ka ushqim
Banorët e fshatit Bllatec, Vinicë, për më shumë se një dekadë po luftojnë për ta shpëtuar lumin e tyre Bllateshnica nga ndërtimi i një hidrocentrali të vogël. Ata thonë se jeta në fshat, i cili është vendbanim i më shumë se 1.200 banorëve, varet nga uji i këtij lumi, të cilin e përdorin për të pirë dhe për t’i ujitur arat e tyre. Kopshtaria dhe prodhimi i luleshtrydheve, misrit dhe patateve janë veprimtaritë kryesore me të cilat merren këto familje dhe të cilat varen drejtpërdrejt nga qasja në ujë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Banorët kanë frikë se me ndërtimin e një hidrocentrali të vogël dhe bllokimin e ujit në një tub edhe ato do të bëhen dëshmitarë të pamjeve të shtretërve të shkatërruar të lumenjve, biodiversitetit të shkatërruar dhe zonave bujqësore të braktisura në vendin e tyre si në vendet ku tashmë janë ndërtuar objekte të këtilla për prodhimin e energjisë. Ata tashmë për një kohë më të gjatë po organizojnë roje në rrugën për në malin Plaçkovica ku do të ndërtohet hidrocentrali, ndërsa së fundmi ata e bllokuan edhe rrugën Vinicë-Berovë.
“Kërkojmë nga Qeveria që të mos ia zgjasë më koncesionin investitorit. Nuk duhet të ketë hidrocentrale të vegjël dhe do të ishte mirë që autoritetet ta kuptojnë gabimin e tyre dhe t’i dëgjojnë kërkesat e njerëzve, sepse ne varemi nga uji i lumit”, thotë Bllazhe Anakievski, një banor i Bllatecit dhe pjesë e nismës për mbrojtjen e lumit “Për një Bllatec të Pastër”.
Ai thekson se gabimi është bërë nga autoritetet lokale dhe shtetërore gjatë vlerësimit fillestar se në atë lumë mund të ketë një hidrocentral të vogël, sepse nuk është marrë parasysh që tubacioni i furnizimit me ujë për fshatin kalon përgjatë asaj pjese, ndërsa mbi vendin ku është planifikuar ndërtesa e makinerive ka prurje uji që shërben për ujitje në periudhën e verës.
Anakievski thekson se edhe pse tubacioni është dy kilometra i gjatë, ai do të prekë tre deri në katër kilometra lumë, do të shkatërrojë një pjesë të rrugës dhe do të përfshijë një pjesë të bregut ku ka biodiversitet të rëndësishëm. Nga ana tjetër ai thekson se objekti energjetik që është planifikuar nuk ka një kapacitet të madh dhe nuk do të bëjë asnjë ndryshim në prodhimin e energjisë elektrike.
“Problemi është se me kalimin e viteve askush nuk ka ardhur tek ne për të kryer një studim ose për të zhvilluar një debat publik për ta diskutuar nevojën për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël në lumin tonë. E zbuluam krejt rastësisht, e gjetëm dokumentacionin e investitorit dhe arritëm në përfundimin se ka shumë lëshime”, thotë Anakievski.
Ai thotë se edhe pse investitori nuk ka ndërtuar asgjë në lokacionin e përmendur, ai nuk heq dorë nga leja, prandaj komuniteti lokal po organizon roje për ta parandaluar kalimin e makinerive. Pak kohë më parë dikush e ka hequr rampën e vënë në rrugë, prandaj banorët u mblodhën për protesta si një paralajmërim se nuk do heqin dorë nga qëllimet e tyre për ta ndaluar ndërtimin.
Koncesioneri Energy Lux nga Koçani, në muajin mars të vitit 2012 ka lidhur një marrëveshje për koncesion për ujë me Qeverinë për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël “Bllateçka Reka”. Deri më tani ndërtimi nuk ka filluar, ndërsa nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale thonë se kjo është një vonesë që nuk është faji i koncesionerit.
Vitin e kaluar ai ka kërkuar dhe ka marrë nga Qeveria një zgjatje të re të afatit për 236 ditë shtesë sepse u konstatua se koncesioneri ishte penguar objektivisht në kryerjen e aktiviteteve ndërtimore. Aneksi i Marrëveshjes për koncesion e zgjati afatin për fillimin e operacioneve komerciale deri më 7 mars të këtij viti, që do të thotë se koncesionerit i kanë mbetur edhe disa ditë për të filluar punën.
“Sipas Marrëveshjes për koncesionin e ujit Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale ka autoritetin ta monitorojë zbatimin e projektit, pra ndërtimin e objektit dhe mbi bazë të dokumentacionit përkatës të paraqitur, të lidhë anekse për zgjatjen e afatit për fillimin e operacioneve komerciale në rastet e ndërprerjes së konstatuar që nuk është faji i koncesionerit”, theksojnë nga Ministria.
Por, ata nuk precizojnë se cili është shkaku i vërtetë i ndërprerjes, si dhe nëse mund të eliminohet, as faji i kujt është që ekziston një ndërprerje e tillë. Nga Ministria nuk u përgjigjën nëse zgjatja e lejes mund të vazhdojë pafundësisht për sa kohë që ekziston një arsye për ndërprerjen.

Kryetari i Komunës së Vinicës, Mitko Kostadinovski, i mbështeti qytetarët në përpjekjet e tyre të reja për ta mbajtur lumin të lirë. Ai së fundmi informoi se miratimi për ndërtimin e hidrocentralit, i cili u lëshua nga qeveria komunale në vitin 2015, pushoi së qeni i vlefshëm në gusht të vitit të kaluar dhe se investitori ishte informuar për këtë, si dhe se nëse ai ndërmerr aktivitete ndërtimore tani ato do të konsiderohen ndërtim i paligjshëm.
“Për të njëjtën gjë e kam informuar edhe Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, që ta marrë në konsideratë për zgjatjen e mëtejshme të marrëveshjes së koncesionit që skadon së shpejti”, tha Kostadinovski.
Ai shton se investitori aktualisht nuk ka dorëzuar kërkesë të re në komunë.
“Investitori mund të kërkojë rinovimin e lejes së ndërtimit, por me këtë elaborat nuk do ta marrë atë. Ai duhet të bëjë një elaborat të ri në të cilin do të futet situata aktuale faktike, sepse ajo e mëparshmja nuk e pasqyron situatën në terren mbi bazën e së cilës e ka marrë koncesionin. Nëse e ndryshojnë rrugën, por edhe nëse bisedojnë me popullatën lokale dhe marrin pëlqimin e tyre, komuna nuk do të ketë problem t’u japë atyre një leje ndërtimi”, thekson kryetari i komunës.
Kostadinoski thotë se në dokument nuk janë marrë parasysh tubat e ujit të pijshëm dhe ato për ujitje që janë pikërisht në trasën e tubacionit të hidrocentralit të vogël, edhe pse ato ekzistonin edhe para se të bëhej projekti.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk u përgjigjën se pse për hidrocentralin e vogël u kërkua një elaborat dhe jo një Studim i vlerësimit të ndikimit në mjedisin jetësor, e as nuk informuan nëse është zhvilluar ndonjë debat publik me popullatën për t’i dëgjuar mendimet dhe komentet e tyre para se të miratohej dokumenti.