Në supermarkete, furra buke, fast-food-e – nga sot studentët e RMV-së mund të blejnë ushqim të subvencionuar nga shteti

Me fillimin e vitit të ri akademik sot filloi të aplikohet edhe sistemi i ri i pagesave për ushqimin e subvencionuar të studentëve. Studentët në vend që i kanë plotësuar kushtet nga sot deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm do të kenë në dispozicion 140 denarë në ditë – mjete me të cilat shteti përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) u mbulon një vakt në ditë, raporton Portalb.mk.

Këtë shumë ata do ta marrin nga e hëna deri të shtunën, me përjashtim në ditët e festave, ndërsa e njëjta do ju derdhet në kartelat speciale të krijuara për nevojat e kësaj mase nga Sparkasse Bank– përgjegjëse për pagesën e ushqimit të subvencionuar.

Me këto mjete studentët tashmë mund të blejnë ushqime nga tregtarët që prodhojnë ose shesin ushqime, pra nga restorantet, furrat e bukës, fast food-et dhe marketet që kanë dhe mundësojnë pagesë përmes terminaleve POS, e ku studentët paguajnë përmes kartelave bankare për studentët.

Këto kartela të krijuara nga Sparkasse Bank dhe që përmbajnë logon e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) janë e vetmja mënyrë përmes së cilës studentët do të mund të përdorin mjetet për subvencionimin e ushqimit.

Meta.mk me disa studentë sot testoi zbatimin e masës dhe funksionimin e kartelave për ushqimin e subvencionuar. Studentët me të cilët bëmë pazar vendosën t’i përdornin mjetet në një market dhe në një dyqan në kuadër të së cilit funksionon edhe një furrë buke.

Përshtypja është se në ditën e parë të zbatimit të masës pagesa në shumicën e vendeve ka funksionuar pa problem dhe studentët që kanë aktivizuar kartelat kanë mundur të blejnë ushqime në sasi të mjaftueshme për një vakt në ditë.

140 denarë + para shtesë në rast të shumës më të madhe

Georgina është studente në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) në Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup. Shkuam me të në një nga supermarketet më të mëdha dhe më të pasura në Shkup, ku ndër të tjera shitej edhe ushqim i gatuar. Nga ajo që ofrohej në menynë ditore Georgina zgjodhi oriz të zier dhe fileto pule, që i kushtuan 110 denarë. Përveç kësaj, me pjesën e mbetur të parave ajo zgjodhi të blejë një pije – lëng, i cili i kushtoi 31 denarë shtesë.

Me këtë shuma e përgjithshme e produkteve të zgjedhura nga studentja e FSHIIK ishte 141 denarë. U drejtuam te arka për të kontrolluar nëse terminali POS do ta aprovonte një shumë më të madhe se limiti ditor prej një denar. Pagesa rezultoi e pasuksesshme, pas ç’ka punonjësja në supermarket në aparat shënoi shumën prej 140 denarë, ndërsa Georgina pjesën e mbetur e pagoi me paratë e saj.

“Nuk ka problem, përderisa ju lejohen 140 denarë”, tha punonjësja në supermarket.

Pasi u largua nga marketi Georgina tha se mendonte se ajo që bleu ishte e mjaftueshme për të kënaqur nevojat e saj për një vakt.

“Si për fillim, nga ajo që pashë sot, jam e kënaqur. Mendoj se 140 denarë mjaftojnë për një vakt, natyrisht,  nëse nuk shkojmë të hamë në një restorant ku ushqimi është më i shtrenjtë. Pastaj, nëse ka mundësi do ishte mirë që shuma ditore të rritet, por gjithsesi nëse buxheti është aq, më mirë është që shuma të jetë më e vogël dhe të përfitojnë më shumë studentë, në vend që subvencionet të jenë më të larta, por të mbulojnë më pak studentë”, tha Georgina.

Pasi u ndamë me të, u drejtuam drejt vendit ku duhej të takoheshim me dy studentë të tjerë – që janë të vendosur në konviktin e studentëve “Goce Dellçev”, e të cilët studiojnë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në FSHIIK.

Në ndërkohë vizituam dyqanet, furrat e bukës dhe fast-food-et përreth “kampusit teknik” të UKM-së për të parë nëse mundësojnë pagesë me terminal POS dhe sa interes kanë treguar studentët në ditën e parë të zbatimit të masës për ushqim të subvencionuar.

Në një fast-food më të vogël punonjësja na tha se pagesa me kartelë bankare për momentin nuk është e mundur, por duke marrë parasysh zbatimin e subvencioneve për ushqimin e studentëve dhe mënyrën e përdorimit të tyre planifikojnë që së shpejti të sigurojnë një terminal POS. Përveç kësaj, ajo tha se planifikojnë edhe një meny të veçantë studentore, të krijuar enkas për këtë masë.

Në një nga dyqanet në afërsi të kampusit, e ku shitej edhe ushqim i gatuar, por edhe prodhime të brumit, punonjësi na tha se që nga mëngjesi i sotëm ka pasur një interesim të madh për shfrytëzimin e kartelave për ushqim të subvencionuar.

Edhe ai tha se ka mundësi që nëse ushqimi që ka zgjedhur studenti kushton më shumë se 140 denarë, pjesën e mbetur ai ta paguajë me para në dorë.

Me kartelat e reja ushqim mund të blihej edhe në bufenë e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, ku pamë disa studentë tek po ushqehen në pjesën e jashtme.

Studentët kërkojnë subvencione për ushqim pa limit ditor

Me Pavellin dhe Marion – studentët e vendosur në konviktin studentor “Goce Dellçev” u takuam pranë fakultetit, ndërsa ata vendosën t’i përdorin mjetet për ushqim të subvencionuar në një nga dyqanet aty pranë. Aty, përveç produkteve bazë, mund të gjeje edhe produkte furre, si dhe ushqime pak më të shëndetshme, si puding me chia.

Njëri prej tyre bleu një puding të tillë, i cili i kushtoi rreth 180 denarë , me ç’rast i shfrytëzoi subvencionet dhe pagoi 40 denarë shtesë.

Tjetri zgjodhi prodhim furre dhe një shishe me ujë të pa gazuar, që i kushtoi gjithsej 137 denarë. Të dy thanë se ajo që kishin zgjedhur për të ngrënë mund të konsiderohej si e mjaftueshme për një vakët.

Megjithatë, të gjithë studentët me të cilët bëmë pazar njëzëri thonë se “mangësi” në zbatimin e masës është kufizimi i limitit ditor.

Sipas studentëve do të ishte shumë më mirë të mos kishte limit ditor, pra të kishin në dispozicion të gjithë shumën mujore përnjëherë, ndërsa të vendosnin vetë se kur dhe si do t’i përdornin mjetet, gjë që do t’i lejonte në disa prej ditëve të blinin ushqime më të shtrenjta.

“E vetmja gjë që do të ishte më mirë është nëse ne mund t’i përdorim të gjitha paratë menjëherë. Për shembull, të mund të bëj pazar në market për dy deri në tre mijë denarë dhe pastaj të gatuaj në shtëpi me ato produkte”, tha një nga studentët me të cilët biseduam në kampusin e fakulteteve teknike.

Në anketën e publikuar në faqen në Instagram “Studentariја“, shumica e studentëve janë përgjigjur se sot me kartelat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë bërë pazar pa problem në shumicën e marketeve dhe dyqaneve dhe përveç ushqimit kanë pranuar se kanë blerë edhe produkte të tjera për të cilat kanë pasur nevojë. Disa prej tyre thanë se mjetet prej 140 denarë i kanë shfrytëzuar për kafe dhe lëngje në restorant apo bare, ndërsa të tjerë thanë se disa tregtarë tashmë ofrojnë pako studentore deri në shumën e paraparë.

Disa studentë gjithashtu treguan se kartelat nuk u kanë funksionuar në terminalet POS në disa markete, ndërsa kishte edhe përvoja ku tregtarët kanë refuzuar të pranojnë pagesa me kartelat për ushqim të subvencionuar.

Ushqimi i subvencionuar i studentëve nga ky vit më në fund filloi të aplikohet në mënyrën dhe formën në të cilën ishte konceptuar në ligjin e miratuar në vitin 2020, ndërsa i krijuar sipas shembullit të Sllovenisë.

Në dy vitet e fundit akademike, për shkak të situatës emergjente të imponuar nga pandemia e Covid-it, por edhe për shkak të mungesës së gatishmërisë së institucioneve, mjetet për ushqimin e subvencionuar studentët i merrnin në llogaritë e tyre personale në baza mujore dhe mund t’i tërhiqnin ato me para në dorë, kështu që me ata, përveç ushqimit, blinin edhe mallra të tjera.

Sot është dita e fundit e afatit të tretë të aplikimit për ushqim studentor të subvencionuar, për të cilin mund të aplikojnë edhe studentët e vitit të parë. Këto ditë pritet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës t’u përgjigjet aplikimeve të këtyre studentëve në mënyrë që ata të fillojnë sa më shpejt ta gëzojnë këtë të drejtë.

Mundësia e realizimit të së drejtës së ushqimit studentor të subvencionuar për të gjithë studentët që deri më tani për ndonjë arsye nuk e kanë ushtruar këtë të drejtë, mbetet e hapur çdo muaj në vijim, nga data një deri në datën shtatë të muajit, ndërsa aplikimi kryhet nëpërmjet portalit e-uslugi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Subvencionet për ushqim deri në prill të këtij viti ishin 120 denarë në ditë, më pas shteti i rriti në 140 denarë, ndërsa paralajmëroi se shuma do të ndryshojë sipas shkallës së inflacionit gjatë vitit  kalendarik.