RMV, prej 1 deri më 5 shtator fillon afati i dytë për aplikimin e racionit studentor të subvencionuar

Studentët e viteve të dyta dhe më lart, të cilët e kanë lëshuar afatin e parë të aplikimit për drejtën e ushqimit të subvencionuar studentor për vitin akademik 2023-2024, mund të paraqesin aplikim nga data 1 deri më 5 shtator, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, transmeton Portalb.mk.

“Aplikimi  bëhet përmes portalit e-uslugi dhe pas përfundimit të afatit për regjistrim kandidatët do të marrin njoftim. Mandej, nga  Sparkase Bank, si bankë me të cilën Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lidhur marrëveshje jofinanciare për realizimin e masës, studentët do të thirren për të lidhur marrëveshje për hapjen e llogarisë së  veçantë, në lidhje  me  kartelë pagese të dedikuar  përmes së  cillës do të mund të përdorin vetëm fondet”, thuhet në njoftim.

Aplikimi për kandidatët që do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2023/2024 dhe që nuk kanë regjistruar në semestrin veror do të zgjasë, prej  datës  27 shtator deri më 2 tetor.

Mbështetja financiare prej 140 denarë në ditë është e dedikuar për blerje të ushqimit të shëndetshëm, të cilin studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime.