RMV, nga dita e hënë do të fillojë pagesa e mjeteve për subvencionimin e racionit për studentë

Me fillimin e vitit të ri akademik 2023-2024 të hënën, studentët të cilët kanë plotësuar kushtet konform thirrjes publike fillojnë të shfrytëzojnë të drejtën për subvencionimin e racionit për studentë, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Arsimit informuan se, me shumën e shtuar prej 140 denarë, e cila do të paguhet në baza ditore, studentët do të mund të blejnë në markete, restorante, furra dhe persona të tjerë juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime.

“Mjetet mund të përdoren ekskluzivisht përmes kartelës së dedikuar të pagesës të lëshuar nga Banka Shparkase, partnere në zbatimin e kësaj mase me të cilën Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lidhur marrëveshje jofinanciare. Shuma ditore përdoret nga e hëna në të shtunën ndërsa nuk është paraparë të paguhet gjatë pushimeve verore nga 1 korriku deri më 1 tetor. Ndryshimet në zgjidhjen ligjore që u iniciuan dhe u bënë gjatë muajit prill, së bashku me organizatat studentore, tejkalojnë të gjitha sfidat që kanë ekzistuar në të kaluarën, mundësojnë shpërndarjen dhe përdorimin e drejtë të mjeteve për qëllimin për të cilat në fakt shteti i parashikon ato”, qëndron në kumtesën e ministrisë.

MASH -i rikujton se mundësia për ushtrimin e të drejtës së subvencionimit të racionit për studentë të cilët deri më tani për arsye të ndryshme nuk e kanë ushtruar këtë të drejtë, mbetet e hapur çdo muaj vijues gjegjësisht nga data 1 deri në datën 7 të çdo muaji kurse aplikimi bëhet përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk.