RMV, studentët duhet të regjistrohen, që t’i tërheqin kartelat për racionin e subvencionuar

Studentët e vitit të dytë dhe më lart të cilët kanë aplikuar dhe plotësojnë kushtet për racion të subvencionuar studentor, si hap i radhës, duhet të regjistrohen në platformën aktive online të Sparkasse Bank dhe të përditësojnë të dhënat e tyre në këtë link, transmeton Portalb.mk.

Në këtë rast, ata që nuk kanë marrë konfirmimin nga MASH nuk do të mund të regjistrohen.

Pas regjistrimit, studentët do të marrin informacion me SMS për kohën e saktë (24 orët më herët nga momenti i përditësimit të të dhënave) dhe vendin për të nënshkruar marrëveshje për të hapur një llogari të veçantë dhe për të marrë një kartë të dedikuar Visa studentore për vakt të subvencionuar, përmes të cilit do të mund të shfrytëzohen vetëm mjetet, njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës rikujton se aplikimi për këtë të drejtë për kandidatët që do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2023/2024 dhe që nuk janë regjistruar në semestrin veror, zgjat nga data 27 shtator deri më 2 tetor 2023.

Çdo aplikant që ka nevojë për mbështetje të menjëhershme gjatë procesit të aplikimit mund të kontaktojë në kontaktin e mëposhtëm: [email protected] ose në zyrën e dedikuar në katin përdhesë të ndërtesës së Ministrisë.

Mbështetja financiare në shumë prej 140 denarë është e dedikuar për blerjen e ushqimit, të cilën studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime. Kompensimi monetar nuk është parashikuar të paguhet gjatë periudhës së pushimeve verore nga 1 korriku deri më 1 tetor.

Mbështetja financiare prej 140 denarë në ditë është e dedikuar për blerje të ushqimit të shëndetshëm, të cilin studenti mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, te personat juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime.