Turqia me sulme ajrore mbi kurdët në Irak

Turqia ka njoftuar se ka kryer një mori sulmesh ajrore ndaj rebelëve kurdë në Irakun verior, disa orë pasi një shpërthim vetëvrasës goditi Ministrinë e Brendshme, raporton Koha.net. Qeveria ka njoftuar se 20 objektiva u shkatërruan dhe shumë militantë nga grupi rebel i ndaluar PKK u neutralizuan.

Partia kurde ka njoftuar se shpërthimi i së dielës në kryeqytetin Ankara u krye nga një grup i lidhur me ta, një anëtar i të cilit hodhi veten në erë. E sulmuesi i dytë u vra nga policia, ndërsa dy policë u lënduan gjatë sulmit.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) konsiderohet grup terrorist nga Turqia, BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Sulmet ajrore të së dielës kishin në shënjestër shpella, depo dhe bunkerë të përdorur nga PKK-ja, ka treguar Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

Agjencia kurde e lajmeve Rudaw ka njoftuar se sulmet kishin në shënjestër malin Kandil pranë kufirit iranian, që besohet të jetë një bastion i PKK-së.

Sulmet u kryen pas një shpërthimi në bulevardin “Ataturk” të Ankarasë, që ndodhi disa orë përpara se Parlamenti të mblidhej sërish pas një pushimi veror.