Ne, llomi i këtij vendi

Koment nga kryeredaktorja e Portalbit, Elida Zylbeari

Gjithnjë kur flas me tjerët për Maqedoninë, muhabet i pashmangshëm është pastërtia e qyteteve ku jetojmë. Askush nuk mund të humbet në këtë shtet dhe mos e dije ku gjendet sepse një nga shenjat më dalluese e këtij vendi janë mbeturinat. Në rrugë, në lum, në livadhe, në qendra turistike, në shkolla, në oborre institucionesh, kudo! Sa të kalosh kufirin e vendeve fqinje, e din saktë që je në Maqedoni kur sheh mbeturina të vogla e mëdha në çdo cep. Jemi në një simbiozë perfekte me llomin.

Ne: Ky problem, normal që vjen nga mungesa e vetëdijes kolektive dhe mungesa e përgjegjësisë nga ata që ndotin. Mbeturinat nuk na solli askush, ato i krijojmë vet ne. Që nga më të vegjlit e deri tek ata në moshë më të thyer, duke mos pasur pikën e respektit ndaj natyrës, hedhim e hedhim. Jemi mësuar të shohim vendin ashtu lara-lara nga paketime të ndryshme që produkteve që kemi blerë me dhe pa nevojë.
Mungon edukata në familjet tona, mungon mbjellja e ndjenjës së fajit sa herë që dora jote ndot ambientin. Ama, është interesante deri ku shkon dhe hipokrizia kolektive, shtëpitë e oborret i mbajmë të pastër, madje tmerrohemi nëse dikush na vjen mysafir dhe nuk kemi pastruar shtëpinë. Sensi për pastërti zgjat deri te dera e oborrit apo e shtëpisë për ata që nuk kanë oborr. Bile, mbeturinat i hedhim nga oborri në rrugë, ashtu pa pikën e turpit. Orenditë shtëpiake i hedhim në lum, sikur lumi e ka për detyrë të na lajë gjynahet që i bëjmë ndaj natyrës dhe njerëzimit. A na detyron dikush ta bëjmë këtë? Jo! Dukshëm kënaqemi në deponinë që vet e krijojmë.
Nëpër shkolla sadopak ka lëndë që flasin për rëndësinë e mjedisit të pastër, por ama aty mbaron e gjitha. Një kolegë një ditë tregonte se pasi e kanë mësuar fëmijën mbeturinat ti mbajë në xhep deri sa të gjejë një kosh për t’i hedhur, atë e kanë përqeshur shokët e klasës, duke e quajtur budalla!

Ata: Punën më të vështirë e kanë ata që duhet të pastrojnë qytetet tona. Këta njerëz të punësuar nëpër ndërmarrjet komunale janë në shënjestër të kritikave sa herë që koshat i kemi plot. Sa herë që era e keqe e koshave na helmon, atyre ua veshim çdo fjalë të keqe e i akuzojmë për paaftësi, pa-organizim dhe dembeli.
Por a jeni pyetur kush janë ata? A i keni parë në çfarë kushtesh ata punojnë? A keni parë se sa mjete kanë në dispozicion dhe në cilin vit janë prodhuar makinat dhe mjetet e punës së tyre? A e dini se sa e kanë rrogën?! Ndoshta i dini këto përgjigje, por nuk keni gajle. Nëse jo, lexoni lajmet. Kjo që ndodh në Shkup dhe Tetovë, për shembull, është vetëm një pikë në oqean.
Këta njerëz meritojnë pagat më të larta në vend, dhe kushtet më të mira në vend! Ata janë heronjtë tanë që detyrohen të pastrojnë llomin tonë. Ata duhet t’i bëjnë ballë vetëdijes sonë të kalbur. Ata janë njerëzit më të thjeshtë, me të ardhurat më të pakta, që madje askush nuk i dëgjon kur kërkojnë rritje rroge! Pasi që gjithë mbahemi intelektualë dhe drejtorë që punojmë në zyra mirë të klimatizuara, ua kemi lënë këtë punë atyre që sigurisht dhe ata nuk është që e kanë zgjedhur sepse është profesion i ëndrrave, por sepse kanë hallet e tyre. Janë të varfër dhe kanë nevojë për para!
Ndërmarrjet duhet të vënë gishtin në mendje dhe të fillojnë t’i trajtojnë siç e meritojnë, sepse si shkojnë punët, do mbetemi dhe pa to.

Bashkimi Evropian: Për fund, shkurt një rikujtim. Në Bashkimin Evropian sigurisht që nuk mund të hyjmë në këtë gjendje. Flasim për vlera evropiane, ama mentalitetin e kemi Ballkanik e arkaik. E kur (nëse) të nisin vërtetë negociatat për anëtarësim, atëherë do të përballemi me atë se çfarë jemi ne.