Të dashur prindër, është në dorën tuaj nëse po rrisni kriminelë apo njerëz që reflektojnë karshi gabimeve

Koment nga gazetarja e kulturës Xhemazije Rizvani

Edukoni më shumë, fshihni rastet e bullizmit më pak. Ose, mos prisni të jenë të përmasave që nuk mund t’i fshihni më. Morëm shkas nga shumë ngjarje të fundit që kemi dëgjuar të ndodhin nëpër shkolla t’ju drejtohemi prindërve dhe stafit pedagogjik për mënyrën se si fshehin rastet e ngacmimeve, bullizmit në vend se ato të diskutohen haptazi. Një prind në Ohajo në SHBA, vajzën e tij që bullizonte të njëjtin fëmijë për herë të dytë, e dënoi të shkonte në shkollë 8km në këmbë, disa ditë me radhe edhe pse vetëm 10 vjeçe dhe në diskutim e sipër e ka zbuluar ngacmimin pa pritur shkolla ta adresojë problemin ose të marr masa.

Por, çka ndodhë te ne? Sa raportohen këto raste? Pse fshihen? Për lexuesit e Portalb.mk sjellim një vështrim për dy raste konkrete.

Nuk ka se si të mos tmerrohemi me rastet që dëgjojmë të ndodhin nëpër shkolla. Para një muajsh një e njohur më qau hallin se djali nuk i shkon në shkollë. E përcjell deri te dera e shkollës, por mësuesja e thërret se djali i saj mungon. Qëllojeni! Djali fshihet pas shkolle ose ku mundet, mjafton të mos jetë brenda klasës ku nuk ndihet mirë.

E pyes, po përse nuk ndihet mirë?

“A nuk të kam treguar? Katër djem të klasës e kanë zhveshur gjatë kohës që kanë shkuar në tualet. Njëri e ka mbajtur derën, tre tjerët ia kanë nxjerr rrobat dhe djali është tmerruar duke bërtitur. Ata e quajnë shaka këtë, por djali thotë që është trembur shumë dhe nuk dëshiron të shkoj në shkollë më. ”

Po, mirë e lexuat. Kjo ka ndodhur dhe djali nuk ka pranuar asnjë lloj ndihme psikologjike. Vetëm qan dhe nuk dëshiron të shkojë në shkollë. Çdo ditë kërcënohet nga prindërit, nga ana tjetër presioni nga shkolla, shtrydhet, shtypet, bullizohet, nuk analizohet gjendja e tij emocionale, nuk punohet me të, kërcënohet me nota dhe se do ta përsëris vitin. I shkreti djalë.

Nuk është i vetmi, fatkeqësisht. Keni dëgjuar për djalin nga Tetova që shokët e klasës e kane hedhur në tre- katër metra lartësi në klasë dhe e kanë lëshuar në dysheme të bjerë, ka thyer nofullën, dhëmbët, krahun e shumë plagë tjera fizike.. Gjendja e tij shëndetësore është shqetësuese. Ky, siç thonë qenka një trend në shkolla që përsëritet, duke ndjekur ato të rrjeteve të çoroditura sociale.

Në të dyja këto raste bullizimi me pasoja të rënda, vetvetiu të vjen të pyesësh çka ka ndërmorën të rriturit për të nxjerr leksion nga kjo ndodhi?

Përse prindërit e heshtin problemin, ashtu si edhe shkollat. Cili është mesazhi që u dërgohet atyre me këtë heshtje.

Në shumicën e rasteve heshtja pason nga se prindërit e fëmijëve të përfshirë janë bijtë e baballarëve me pushtet. Po, pra. Kanë pushtet aq shumë sa kanë frikë të diskutojnë për këto raste të rënda, i shtyjnë mbledhjet prindore. Intervenojnë mos të bëhet e madhe.

Këta prindër dhe shkolla që nuk ndëshkon raste si këto, rrisin numrin e kriminaliteteve. Në një shkollë ku krejt janë fëmijë dhe formësojnë karakteret janë të rriturit që i stimulojnë devijimet, duke i fshehur rastet, duke mos i folur, prindërit e fëmijëve të bullizuar duke u frikësuar. Frikësohen dhe ata që shohin se nuk gjendet shpëtim për këso situata.

Ne flasim për matje dijeje, ndërsa kemi dështuar në institucionin shkollë për sa i përket edukimit. Çka i mësojmë fëmijët? Ti që ke babanë “dikushi”, bjeri djalit të “askushit”. Lëndoje atë të urtin, të edukuarin, atë që duket i pambrojtur, i pafuqishëm në emër të fuqisë së babës.

Rastet në fjalë janë të shkollave fillore ku gëlon bullizimi për dukjen, veshjen, për përbuzjen, deri të shpërthimi i dhunës dhe pasojave të rënda. Fëmijët nuk janë më të sigurtë në shkolla. Sepse shkolla nuk është e barabartë me të gjithë. Shkolla i shuan shpejt rastet, stafi pedagogjik është i frikësuar, a thua pse?!

Një gjë e dimë me siguri, që asnjë prind nuk dëshiron fëmija i tij nesër të përfundoj në burg si kriminel, por praktikat e kanë dëshmuar se nëse fëmija i tyre nuk ka marrë dënimin kur ka bërë gabimin e parë, e ka përsëritur. Andaj, është kohë reale për shpëtim. Ndihmoni shkollat të sjellin vendimet e duhura, dënimet e duhura, mos kërkoni të fshihni rastin. Fshehja është dënimi më i rëndë që do t’ju faturohet më vonë. Ndihmoni shkollat të krijojnë njerëz si duhet prej fëmijëve tuaj. Uluni dhe diskutoni, flisni hapur me palën e dëmtuar duke kërkuar falje njerëzisht dhe duke kërkuar zgjidhje që gabimet mos përsëriten. Nga përvoja në arsim e di një gjë, nuk ka fëmijë të këqij, ka prindër që keq i edukojnë keq fëmijët, bëjnë prej tyre njerëz të këqij.

Në fund, të dashur arsimtarë, punoni më shumë në grupe, stimulojeni empatinë, sa më shumë projekte për bullizimin deri sa fëmija të kuptoj ku është kufiri mes tij dhe të tjerëve. Kur them projekte, nuk e kam fjalën për hamerat dhe garat që bëjnë fëmijët kush do e bëj bukur, e kam fjalën për nxitjes e empatisë, punën në grup, diskutimeve të ndryshme rreth gjithçkaje që duket ndryshe, e papranueshme. Është koha të zgjohemi, të bashkëpunojmë që t’i nxjerrim në shesh rastet, sepse plaga mbyllet vetëm kur hapet dhe më mirë të parandalojmë, sesa të shërojmë.