Shoqëri e ‘dashuruar’ pas kafeneve!

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Shoqëri e cila pret radhë të gjata për tu liruar tu liruar një tavolinë në kafene dhe për tu ulur ndërsa ankohet kur pret radhë në institucione për të kryer një shërbim.

E pra, mirë se vini në Maqedoni të Veriut, një storje që flet shumë për ne.

Ditëve të fundit kam hetuar një dukuri mjaft interesante e cila flet shumë për ne si shoqëri.

Diku nga mbrëmja për disa natë me radhë kam dalë në qytet (Tetovë) dhe kam vrojtuar se sa popull i çuditshëm jemi.

Ajo që mund të shihej dhe që të bie në sy janë radhët e gjata dhe turmat e njerëzve që presin radhë para disa kafeneve për tu futur brenda, për tu ulur apo edhe thjesht për të blerë një kafe apo diçka tjetër.

Për çudi para disa netësh, në një nga këto lokale ku presin turma të gjata njerëzish jashtë, disa miq të mi më thirrën dhe shkova, kisha dëgjuar se kishte turma dhe ju thashë: Nëse mendoni se un do të pres radhë aty, harrojeni, do shkojmë diku tjetër. Jemi ulur brenda, më thanë, eja.

Shkova, pimë kafe biseduam, por vazhdimisht pyesja veten se sa mend do që të presësh 10, 15, 20 apo më shumë minuta që të lirohet një tavolinë në kafene dhe të ulesh. Ato pritjet e njerëzve jashtë sikur më shqetësonin dhe më linin të kuptoj shumë…

Paradoks!

Të bëjmë një paralelizëm, shpesh të gjithëve na ndodh që të presim radhë nëpër institucione, si bankat, posta, apo të tjera. Në rastet kur ka radhë të gjata apo pak turmë, të gjithë qytetarët fillojnë të ankohen, të ju humbet durimi, dhe sjellje të kësaj natyre…

Por pamjet para kafeneve ditëve të fundit vërtet ishin shumë më të mëdha se në disa institucione, ata më tepër u ngjanin turmave të qytetarëve të cilat u krijuan së fundmi në Ministrinë e Brendshme për nxjerrjen e dokumenteve personale.

Por nga ana tjetër, nuk ju vë as faj sepse opsionin e vetëm i kemi kafenetë, kulturë nuk kemi, koncerte jo e jo, rekreacioni lë shumë për të dëshiruar dhe shumë mungesa të tjera që lista është shumë e gjatë, jemi vërtetë “shoqëri kafenesh”.

Me këtë ritëm, edhe gjatë do ngelemi të tillë.

Na bëftë mirë kafeja!

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.