Në kujtim të Luan Starovës

Më 24 shkurt bëhen dy vjet nga ikja në amshim e profesorit dhe shkrimtarit me autoritet ndërkombëtar, autorit të romaneve të Sagës ballkanike, pjesa më e madhe e të cilëve është përkthyer në gjuhët e mëdha të botës dhe është pritur mirë, si nga profesionistët e artit letrar, ashtu edhe nga publiku artdashës.
E konsideroj veten me fat që e njoha herët, që e pata mentor të temës së magjistraturës  me titullin “Faik Konica – eseist” dhe që mbrojta me sukses disertacionin e parë të doktoraturës, e cila hedh dritë mbi jetën dhe korpusin romanor të Luan Starovës.
Për këto dhe për faktin se përgjatë dy dekadave ishim miq të afërt, e ndjej shpirtërisht dhe moralisht nevojën për ta kujtuar shkrimtarin erudit dhe njeriun e urtë me një copëz shkrimi, i cili ka të bëjë me shkasin që e nxiti të shkruajë romanet e radhitura sot në raftet e librarive dhe bibliotekave të njohura të Perëndimit dhe të Lindjes.

Krijimtaria letrare e Luan Starovës, në veçanti prozat narrative të tij, patën për shkas vazhdimin e jetës së ndërprerë të familjes së emigruar nga Shqipëria në Jugosllavi në fillim të viteve të ’40-ta të sh. XX. Si pjesëtar i saj, si i vetmi fëmijë i dy prindërve protagonistë të Sagës që zgjodhi për profesion letërsinë, Luanit i ra hise të bëhet kronist i familjejs së dënuar me humbje, me harresë dhe me një lloj asimilimi.
Ai e përmendte shpesh librin e mbetur dorëshkrim të babait: “Historia e Ballkanit nëpër rëniet e perandorive”, i cili u shndërrua në shtytje tunduese që lindi romanin e madh serik, që, në njëfarë mënyre, përfaqëson librin që nuk pati mundësi ta shkruajë babai.
Shtytjen e rashës për letrarizimin e historisë së familjes e gjeti në veprën e Faik Konicës, në idenë e tij mbi tragjizmin e mbijetesës shqiptare dhe gjetjen e shtegut dalës nga rrethi magjik i së keqes me përmasa sindromi.
Krahas shkrimeve të Konicës, Luanin e mrekulluan edhe poemat e Jeronim de Radës, kurse kompletimin e triadës së ekzilit letrar shqiptar, e rrumbullakësoi me veprën e Sami Frashërit. Tek Faiku, De Rada e Samiu, Starova gjeti përfaqësuesit më të denjë të shpirtit shqiptar në ekzil, modelet e formatit të tij si letrar, sidomos në strukturimin e personazhit kryesor – babait, po dhe gjithë inspirimin bazë të Sagës ballkanike, për të cilën rol vendimtar luajti pikërisht asimilimi i mesazheve të rilindësve, ku kristalizohet e tipizohet më së miri identiteti shqiptar prej masës otomane.
Me kalimin e kohës, romansieri erudit e poliglot u inspirua edhe nga autorët e mëdhenj francezë dhe jo vetëm. Marsel Prusti e bëri për vete me veprën: “Në kërkim të kohës së humbur”, nga e cila Luani huazoi tipin e veprës së ngjashme me Sagën ballkanike. Emil Siorani ia dha frymën e filozofisë së ngjyer me nihilizëm racional dhe e bindi se udha dalëse nga ekzili është e pamundshme, kurse Mishel Montenji dhe Edgar Moreni ushqyen në kontinuitet damarin prej romansieri dhe eseisti të Luanit, i pari nëpërmjet sprovave të freskëta edhe për lexuesit e kohës sonë, me të cilat u përpoq ta kompensojë kohën e humbur përgjatë shkretëtirës mesjetare që shtrihej ndërmjet antikës dhe Rilindjes evropiane, kurse i dyti me veprat e tij të përafërta me Sagën, si “Vidali dhe të tijët”  dhe veçanërisht me esetë e mprehta nëpërmjet të cilave dha portretin tragjik të kohëve dhe diktaturave moderne.
Kështu, krahas historisë njëqindvjeçare të familjes në azil, përmes analogjishë e historishë të njohura, Luani rrëfeu Ballkanin e më shumë shekujve. Jo rastësisht Saga konsiderohet: Bibliotekë e gjallë mitesh ballkanike.
Përvojën e autorëve të sipërpërmendur Luani e shkriu natyrshëm në romane, duke sintetizuar ngjarjet reale me imagjinatën e bujshme, të kaluarën historike dhe të ardhmen e përbërë nga ëndrrat dhe idealet e babait për një jetë me përmasa njerëzore, prurjet e ndryshme të asimiluara, të cilat përndjehen nga lexuesit që i njohin veprat e paramodeleve të tij. Parimi i të shkruarit të autorit qe përdorimi i gjuhës së thjeshtë e transparente, të pasur me shtresa ndërtekstore që, më shumë se ndjesive të shpirtit i drejtohen mendjes së lexuesit.
Aftësia e tij për të parodizuar diktaturën moniste, mënyra e karikimit të ngjarjeve dhe bartësve të tyre e bëjnë Sagën portret të pavdekshëm historishë të shkuara, imazhesh antinjerëzore dhe krimesh të bëra dhe të justifikuara në emër të popullit, në një kohë kur, siç do të thoshte Milan Kundera: Njeriu ishte qenie e gatshme që në çfarëdo situate ta dërgojë në vdekje të afërmin e tij.
Shtylla mbështetëse e romaneve të Luan Starovës është thesari i kujtimeve të fëmijërisë që e shoqëruan gjer në fund të jetës, si për të dashur të mbështesin konstatimin e shkrimtarit të famshëm latino-amerikan Mario Vargas Llosës, sipas të cilit: Shkrimtari nuk i zgjedh temat, ato e zgjedhin atë...
Është thënë e shkruar shumë herë se: Në veprën e tij Luan Starova mëtoi të bëjë portretin mental, historik, etik dhe qytetërues të Ballkanit, që vuan të ligat e pushtuesve të mëdhenj, trashëgiminë e tyre në trajtë kompleksesh, mosdurimesh e përçarjesh ndëretnike, jeniçerizmash, fatalitetesh dhe kurbanesh të dhimbshëm, që duken sikur janë kësmet i përjetshëm i siujdhesës trazavaçe ballkanike.
Në esenë “Sindromi i fatit ballkanik në romanet e Luan Starovës”, shkrimtari i mirënjohur Nikolla Kovaç flet për tiparet moderne të romaneve të Luanit: ndriçimin e dyfishtë – deskripriv e simbolik, realist e mitik të ngjarjeve të rëndomta; paraqitjen e tyre me dendësi metaforike; shmangien e rrezikut të rekonstruimit historik të së kaluarës; ankthin ekzistencial të heroit të përballur me ideologjinë vrastare të pushtetit, që te romani alegorik “Koha e dhive”, metastazon në groteskë të përgjakshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.