“Nirvana” e Osman Demirit do të prezantohet në Festivalin e Fotografisë “FIIPA 2024” në Itali

Në muajin mars do të prezantohet puna e fotografit Osman Demiri nga Gostivari. Ekspozita do rrijë e hapur  nga data 15 e deri më datë 17 mars,  për ata që dëshirojnë të ndjekin punën e tij, gjegjësisht shkrimin e tij me dritë le të urdhërojnë, njofton Portalb.mk.

Afishe e ekspozitës
Afishe e ekspozitës

Fokus Award dhe FIOF, në Festivalin e Fotografisë “FIIPA 2024”, që mbahet në Orvieto të Italisë,  prezantojnë fotografin Osman Demiri nga Maqedonia e Veriut, i cili më shumë se katër dekada merret me fotografi. Ai në këtë festival prezantohet me ekspozitën e tij personale ‘’NIRVANA’’. Ajo që e karakterizon këtë ekspozitë, janë imazhet e buta surreale përtej vijës, janë harmonia mes ngjyrave dhe strukturës, është sfondi magjik që, njëjtë si vija që shkon horizontalisht në pafundësi, ashtu imazhet e krijuara, ngjyrat e përflakura dhe sfondi shkojnë pafundësisht në thellësi, duke krijuar kështu dualitetin mes realitetit dhe epifanisë, ndarjen mes ëndrrës dhe zgjimit, vizuales dhe konceptuales. E gjithë kjo është prodhim i eksplorimit dhe eksperimentimit disavjeçar. Qëndrimi i tij për realitetin është i formuar nga interesi për dritën dhe ngjyrën, ku poetika e së zakonshmes bëhet, poetikë e imazheve.

Fotografi personale e Osman Demirit
Fotografi personale e Osman Demirit

Megjithatë, duke qenë një artist konceptual, tendenca e përgjithshme e aludimit në veprën e tij bëhet më e qartë vetëm pasi shikon gjithë opusin e tij! Në këtë ekspozitë, prezantohet vetëm cikli “Nirvana” ku theks të veçantë ka gjendja transcendente e opusit të autorit.

Osman Demiri momentalisht jep leksione mbi fotografimin në dy universitete, po ashtu trajnon të rinjtë që të njohin artin e dritëshkrimit. Ka mbi 150 ekspozita në qytete e shtete të ndryshme të botës.

E ka sprovuar veten po ashtu edhe në film. Është regjisor i filmave të shkurtër “Heroi”, “Rruga”, “Portreti”. Themelues i Shkollës Verore të Fotografisë “Qyteti im” dhe My Way”. Ish kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Maqedonisë së Veriut’’, Draudacum’’. Momentalisht është edhe drejtor i Galerisë ‘’KULT’’ në Gostivar.