Muhamet Sejdini ka dhënë dorëheqje – FFM në dhjetor do të zgjedhë kryetar të ri
Më 22 dhjetor në kuvend të jashtëzakonshëm, Federata e Futbollit të Maqedonisë do të zgjedhë trashëgues të Muhmet Sejdinit pas dorëheqjes së tij të sotme. Në kuvend fillimisht do të konstatohet dorëheqja e tij, ndërsa pastaj do të kalohet në zgjedhjen e kryetarit të ri, njofton Portalb.mk.
Sejdini ka informuar se ka vendosur të tërhiqet pas “shtatë viteve të shkëlqyeshme të përmbushura me arritje historike”.
“Vendimi është rezultat i mendimit tim se ka ardhur momenti për ndryshim, pas periudhës që do të mbetet e kujtuar si më e suksesshme në historinë e futbollit tonë. Së bashku me ju, shkruajtëm faqe të arta për futbollin e Maqedonisë: pjesëmarrje historike në Kampionatin Evropian EURO 2020, vendi i dytë në grupin kualifikues për Kampionatin botëror dhe fitorja e paharruar ndaj Italisë në Palermo, sukseset në Ligën e kombeve me plasman në Ligën B dhe realizimin e projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n. Po largohem nga ky funksion me krenari dhe falënderim të madh deri te të gjithë ata të cilët kontribuan për këto suksese: futbollistët, seleksionuesit, klubet, investitorët, administrata, anëtarë e Këshillit drejtues dhe çdo ardhurues të futbollit. Unë do të vazhdojë ta kryejë rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në Kuvend të jashtëzakonshëmdo të zgjidhet trashëguesi im”, thotë Sejdini në deklaratën e cila është publikuar në internet-faqen e FFM-së.
Muhamet Sejdini e udhëheq FFM-në nga viti 2018, kur e trashëgoi Illço Gjorgjievskin. Paraprakisht katër vite ishte njeriu i dytë i Federatës.
Masar Omeragiç pritet të jetë kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ai paraprakisht ka fituar përkrahje publike edhe nga ish-futbollisti i Maqedonisë, Goran Pandev, i cili shpeshherë e ka kritikuar Sejdinin.
Ndryshe, në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) në fund të muajit tetor është kërkuar mbledhje urgjente nga anëtarët e Këshillit Drejtues të FFM-së, kërkesë e cila pritet të realizohet brenda 21 ditëve. Sejdinit në muajin tetor i është hequr dokumenti diplomatik i udhëtimit, konfirmon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Kryetari i FFM-së paraprakisht ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit. Nga ana tjetër, dy institucionet kryesore në futbollin ndërkombëtar, UEFA dhe FIFA, kanë kërkuar takim urgjent me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në lidhje me problemet e shkaktuara në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM).