I është tërhequr pasaporta diplomatike kryetarit të FFM-së, Muammed Sejdinit dhe 230 personave të tjerë

Kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdinit i është hequr dokumenti diplomatik i udhëtimit, konfirmon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, transmeton Portalb.mk.

360 Gradë ka kërkuar përgjigje nga Ministria për arsyet e tërheqjes së dokumentit diplomatik të udhëtimit të Sejdinit, por kanë dhënë vetëm konfirmimin e vendimit pa sqarim të detajuar.

Siç raportojnë sot një pjesë e mediave, arsyeja e këtij vendimi të Ministrisë me gjasë vjen pas serisë së skandaleve që tronditin shtëpinë e futbollit, por edhe pas serisë së dorëheqjeve për sponsorizim të partnerëve seriozë që kanë bashkëpunuar me FFM-në për vite.

Përveç Sejdinit, siç bëjnë të ditur për “360 Gradë” nga Ministria, që nga fillimi i qeverisë së re janë tërhequr gjithsej 230 dokumente diplomatike udhëtimi.

“Vëmë re se gjithsej 230 dokumente diplomatike udhëtimi janë tërhequr që nga fillimi i detyrës së qeverisë së re. Disa nga dokumentet e përmendura të udhëtimit janë dhënë në bazë të të drejtës diskrecionale të ministrit paraprak, e një pjesë i referohen ish-zyrtarëve të cilëve u ka përfunduar mandati dhe e drejta për të poseduar dokument diplomatik të udhëtimit”, thuhet në përgjigjen që ka dërguar Ministria.

Sipas Ligjit për dokumentet e udhëtimit, pasaporta diplomatike dhe zyrtare janë dokumente që u lëshohen bartësve të funksioneve publike, nëpunësve civilë dhe punëtorëve në organet shtetërore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Pasaportat diplomatike dhe zyrtare mund të përdoren vetëm nëse ka vizë.

Pasaportat diplomatike dhe zyrtare janë pronë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit.

Nga ana tjetër, dy institucionet kryesore në futbollin ndërkombëtar, UEFA dhe FIFA, kanë kërkuar takim urgjent me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në lidhje me problemet e shkaktuara në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM).