Kërkojmë takim urgjent me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut-së, alarmoi UEFA dhe FIFA
Dy institucionet kryesore në futbollin ndërkombëtar, UEFA dhe FIFA, kanë kërkuar takim urgjent me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në lidhje me problemet e shkaktuara në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), transmeton Portalb.mk.
“UEFA dhe FIFA bashkërisht i kanë dërguar një letër me shkrim FFM-së duke kërkuar takim sa më të shpejtë me zyrtarët e qeverisë. FFM-ja ia ka përcjellë menjëherë këtë letër qeverisë së Republikës së Maqedonisë në pritje të një termini për takimin e kërkuar”, raportoi Federata.
Kryetari i FFM-së, Muamed Sejdini, ka zhvilluar takim me kryetarin e UEFA-s, Aleksandar Ceferin.
“Sulmi fizik ndaj presidentit tonë si dhe pas marrjes së informacionëve nga UEFA për ndërhyrje politike në punë të Federatës, e cila kërcënon integritetin e saj, u bënë shkak që menjëherë pas ndeshjes me Armeninë kreu i FFM-së të thirrej në një mbledhje urgjente nga presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin”, njoftoi Federata.
Ndryshe, kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit.