Dy të vdekur dhe një veturë e djegur në Bogdanci, dyshohet për vrasje dhe vetëvrasje

Më herët gjatë ditës së sotme, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se, pas një denoncimi nga një qytetar, policia kishte gjetur dy trupa të pajetë dhe një automjet të djegur në vendin e quajtur “Içeva Çeshma”, në Gorno Sello të Bogdancit, transmeton Portalb.mk.

Pavarësisht dyshimeve fillestare, nga Prokuroria thonë se ngjarja duhet të hetohet tërësisht.

Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrja nga një prokuror publik i Prokurorisë Themelore Publike në Gjevgjeli, ndërsa janë lëshuar disa urdhra për sigurimin e provave, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Është lëshuar urdhër për obduksionin e trupave të të ndjerëve, ndërsa janë siguruar edhe incizimet nga videombikëqyrja”, njoftuan nga Prokuroria Publike.

Pas një denoncimi nga një qytetar, policia e Gjevgjelisë mbrëmë, në vendin e quajtur “Içeva Çeshma”, në Gorno Sello të Bogdancit, ka gjetur trupin e pajetë të një personi të gjinisë mashkullore (21), i cili ndodhej pranë një automjeti të djegur. Pas lokalizimit të zjarrit, në automjetin e djegur është vërejtur edhe një person tjetër pa shenja jete.

Pas publikimeve jozyrtare në disa media se të ndjerët kishin qenë në lidhje dashurie dhe se vajza e mitur më herët e kishte denoncuar të dashurin e saj 21-vjeçar për dhunë, nga Prokuroria njoftuan se më 16 tetor të këtij viti ndaj tij ishte paraqitur denoncim për rrezikim të sigurisë, pas të cilit kishin filluar menjëherë procedurat. Ndërkohë, ndaj personit ishin caktuar edhe masa për mbrojtje nga dhuna në familje.