U godit rrjeti ndërkombëtar i kokainës, 33 të arrestuar në Itali
Autoritetet italiane kanë arrestuar 33 persona në kuadër të një hetimi që synon goditjen e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës, të lidhur me disa klane të mafies ‘Ndrangheta. Organizata kriminale vepronte në Kalabri dhe në Italinë Qendrore, raporton Euronews.
Hetuesit zbuluan komunikime të koduara përmes platformës SkyECC, ku dokumentoheshin dërgesa kokaine me sasi që varionin nga 1 deri në 1.5 tonë. Sipas hetimeve, pastërtia e drogës arrinte deri në 94%.
Rrjeti kishte një strukturë të organizuar, me persona të specializuar për nxjerrjen e drogës nga deti, transportin ajror, përpunimin e kokainës dhe pastrimin e parave. Në këtë aktivitet përfshiheshin edhe ndërmjetës kinezë që vepronin në Romë.
Sipas hetuesve, organizata dispononte laboratorë për përpunimin e drogës, automjete të modifikuara dhe kompani fiktive, të përdorura për të mbështetur aktivitetin kriminal. Anëtarët e saj kishin gjithashtu në zotërim pushkë automatike të tipit kallashnikov dhe eksplozivë.
Aktiviteti i rrjetit nuk kufizohej vetëm te trafiku i drogës, por shtrihej edhe në trafikun e armëve dhe sigurimin e mbështetjes logjistike për personat në kërkim.
Hetuesit theksuan rëndësinë e aksesit në komunikimet e enkriptuara për çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ata paralajmëruan se përdorimi i sistemeve gjithnjë e më të sofistikuara të enkriptimit mund të vështirësojë ndjeshëm hetimet e ardhshme për importimin në shkallë të gjerë të kokainës nga organizata mafioze ‘Ndrangheta.