Mjegull mbi zbatimin e Agjendës së Reformës në RMV, qasja në fondet e BE-së në pikëpyetje

Pavarësisht progresit të raportuar në letër, zbatimi real i reformave në kuadër të Agjendës së Reformës mbetet i mjegullt. Mungesa e qartësisë institucionale dhe transparencës procedurale ka krijuar një terren ku edhe vetë institucionet që monitorojnë reformat nuk arrijnë të kuptojnë me saktësi se cilat masa janë ndërmarrë, cilat ligje janë miratuar me procedura të rregullta dhe cilat janë vetëm në fazë përpilimi. Konsultimet publike janë të pjesshme ose mungojnë, dokumentet janë shpesh të paplota, dhe informacioni mbi përputhshmërinë me Acquis-in e BE-së është i paqartë. Kjo situatë rrezikon jo vetëm kredibilitetin e reformës, por edhe qasjen në fondet e BE-së që janë ngushtë të lidhura me performancën e Maqedonisë së Veriut. Kjo mes rreshtash thuhet në raportin e Institutit për Politika Evropiane (EPI) “Përditësimi i Agjendës së Reformës – Monitori Pilot i Reformës“, transmeton Portalb.mk.

“Disa reforma nga Agjenda e Reformave janë ende në pritje për shkak të vonesave në hartimin e legjislacionit, kryerjen e konsultimeve, miratimin e ligjeve, ndryshimet në burimet njerëzore/kapacitetin institucional, përgatitjen politike për zbatimin në kohë dhe ekzekutimin e veprimeve pasuese pas debateve publike. Çështjet procedurale mund të dëmtojnë parashikueshmërinë e zbatimit në kohë të reformave. Informacioni i pamjaftueshëm publik mbi përputhshmërinë me acquisit të BE-së të ligjeve të propozuara ngre shqetësime në lidhje me mungesën e qartësisë dhe transparencës në proces. Mungesa e informacionit ose reagimeve mbi konsultimet publike ngre shqetësime në lidhje me thellësinë dhe cilësinë e përfshirjes së palëve të interesuara”, thuhet në raport.

Në këtë përditësim, Monitori i Reformës gjurmoi 12 nga 21 hapat e reformës të parashikuar me afatet e dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025.

Reforma: Pozitat e paplotësuara për gjyqtarë dhe prokurorë mund të thuhet se është zbatuar pjesërisht. Megjithatë, mbetet sfidë zbatimi i plotë i këtyre strategjive në të gjitha institucionet.

Reforma: Miratimi i ndryshimeve në ligjet që rregullojnë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të administratave gjyqësore dhe prokuroriale (qershor 2024), nuk është zbatuar plotësisht pasi dy ligje janë miratuar, por dy të tjerë (për administratën gjyqësore/prokuroriale) ende nuk janë miratuar. Problemi qëndron në mungesën e konsultimeve dhe vonesat në procedurat legjislative.

Reforma: Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor është ende në vijim. Opinioni i Komisionit të Venecias është marrë dhe projektligji është në proces miratimi qeveritar. Afati është kaluar dhe nuk mund të vlerësohen ende ndryshimet reale në funksionimin e Këshillit.

Reforma: Vakanca në Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar nuk është zbatuar. Agjencia ka mungesë të theksuar stafi dhe nuk janë ndërmarrë trajnime. Mungon një analizë funksionale për vlerësimin e kapaciteteve të stafit.

Reforma: Plani 3-vjeçar i Rinovimit për Ndërtesat e Qeverisë Qendrore mbetet një reformë e pazbatuar pasi Plani nuk është miratuar dhe nuk ka informacion publik për përmbajtjen e tij. Procesi i monitorimit për EPI-n është i pamundur pa të dhëna

Reforma: Miratimi dhe zbatimi i një kuadri legjislativ për sigurinë kibernetike është zbatuar. Ligji është miratuar më 27 qershor 2025 dhe është në përputhje me politikat dhe acquis-in e BE-së.

Reforma: Harmonizimi me Rregulloren e BE-së për Identitetin Digjital dhe Rregulloren eIDAS2 është zbatuar por ka disa “anomali”, pasi ka ka pasur paqartësi në procedurën e miratimit dhe mungesë transparence për përputhshmërinë me rregulloren e BE-së.

Reforma: Miratimi i legjislacionit për të lejuar arkivimin e dokumenteve elektronike është zbatuar, por EPI e vlerëson me probleme pasi ligji është zbatuar por ka paqartësi procedurale dhe nuk mund të vlerësohet ende zbatimi i duhur.

Flamuri i BE-së dhe RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Flamuri i BE-së dhe RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Reforma: Lehtësimi i qasjes në kreditim për NVM-të duke ndryshuar legjislacionin përkatës nuk është zbatuar dhe as gatishmëria e zbatimit të saj nuk mund të vlerësohet në këtë fazë thekson EPI. Nuk ka filluar asnjë ndryshim ligjor dhe nuk ka informacion publik. Pa dokumente në ENER dhe pa transparencë nga ministria përkatëse.

Reforma: Ndryshimi i ligjit të korporatave për të futur rregulla të reja mbi emërimin e anëtarëve të pavarur të bordit të kompanive është zbatuar. Ndryshimet në Ligjin e Korporatave u miratuan më 27 dhjetor 2024, hyri në fuqi më 4 janar 2025 dhe filluan të zbatohen më 4 prill 2025.

Reforma: Krijimi i një regjistri të ndërmarrjeve shtetërore (NSH) dhe kompanive me pjesëmarrje shtetërore nuk është zbatuar plotësisht, pasi Regjistri është krijuar dhe mbahet elektronikisht, por nuk është i qasshëm publikisht. Kjo pengon transparencën dhe monitorimin. “Meqenëse Regjistri nuk është publikuar ende, nuk është e mundur në këtë fazë të vlerësohet disponueshmëria e tij ose të përcaktohet nëse NSH-të po përditësohen rregullisht”, thuhet në vlerësimin e EPI-t.

Reforma: Plani i ristrukturimit për operatorin shtetëror të hekurudhave dhe menaxherin e infrastrukturës hekurudhore i miratuar deri në janar 2025. Në këtë fazë mund të thuhet se kjo reformë është zbatuar pjesërisht, për faktin se Plani nuk është publik dhe nuk ka prova për konsultime apo përfshirje të palëve të interesuara.

Në pyetjet e Portalb.mk drejtuar Delegacionit të BE-së: A ka vlerësuar BE-ja se sa ka përparuar Maqedonia e Veriut në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Cilat fusha janë më problematike për zbatim, nga BE thanë se ende janë në fazë vlerësimi.

“Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të vlerësimit dhe do t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja sa më shpejt të jetë e mundur”, thanë nga Delegacioni i BE-së.

Raporti vë në dukje se në semestrin e parë që mbulon të dy afatet, në dhjetor 2024 dhe qershor 2025, Maqedonia e Veriut bëri hapat e saj të parë e të rëndësishëm në zbatimin e Agjendës së Reformës (AR) në kuadër të Programit të BE-së për Reformë dhe Rritje (PRR).

“Procesi dhe procedurat për krijimin e strukturave ligjore dhe teknike për zbatim – siç është paraqitja e Agjendës së Reformës; Marrëveshjet e huasë dhe lehtësirave; emërimi i një koordinatori kombëtar; krijimi i Shërbimit të Koordinimit Kundër Mashtrimit; zhvillimi i Infrastrukturës Teknike për Monitorim dhe Raportim; dhe Plani i Komunikimit dhe Dukshmërisë – janë tashmë të vendosura, duke hedhur një themel institucional për zbatimin e vazhdueshëm të reformës. Vetëm faza që përfshin Komitetin e Monitorimit të PRR-së mbetet e paqartë për shkak të informacionit të kufizuar të disponueshëm publikisht. Formimi i tij është ende në proces, me takimin e parë të planifikuar për 2 korrik 2025. Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që merr fonde në kuadër të Programit për Reformën dhe Rritjen (PRR), duke siguruar një transh fillestar parafinancimi prej 52.4 milionë eurosh pas kërkesës së paraqitur në nëntor 2024. Më 14 mars 2025, vendi paraqiti kërkesën e tij të parë financiare, me vlerë 17.1 milionë euro, së bashku me raportin kombëtar të monitorimit që mbulon reformat e zbatuara në afatin e parë dhjetor 2024. Vlerësimi i kërkesës nga Komisioni Evropian pritet deri më 12 qershor 2025, me kusht që të mos lëshohen komente ose kërkesa shtesë për informacion”, thuhet në raport.

Gjatë semestrit të parë (të dy afatet në dhjetor/janar 2024 dhe qershor 2025), Maqedonia e Veriut ka qasje në rreth 140.1 milionë euro në kuadër të Programit të BE-së për Reforma dhe Rritje. Totali përfshin rreth 52.4 milionë euro në parafinancim dhe afërsisht 87.7 milionë euro të lidhura me zbatimin e hapave të reformës të planifikuara për t’u përfunduar deri në dhjetor 2024 dhe qershor 2025. Pagesat e lidhura me afatet e reformës së dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025 mbeten pezull. Deri më sot nuk ka këste të lëshuara bazuar në performancë. Kërkesa e parë financiare gjysmëvjetore, me vlerë afërsisht 17.1 milionë euro, u dorëzua më 14 mars 2025. Potenciali i mbetur i disbursimit për semestrin e parë mbetet i disponueshëm, varësisht nga zbatimi i reformave, përmbushja e kapaciteteve institucionale dhe gatishmëria politike për të përshpejtuar hartimin dhe miratimin e legjislacionit.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.