Vlora Konushevci: Fjalët janë si farat, disa mbijnë menjëherë, disa presin vite nën tokë derisa ta gjejnë dritën

Zëri i gruas shqiptare ka kaluar kufij edhe më të vështirë. Në një skenë globale, ky zë mund të duket i vogël si numër, por realisht është jashtëzakonisht i thekshëm dhe mban në vete gjurmët e një bote që nuk i’a ka bërë kurrë të lehtë grave të flasin e aq më pak të shkruajnë. Kështu tha për Portalb.mk Vlora Konushevci poete, pëkthyese dhe eseiste nga Kosova. Ajo gjithashtu tha se mos e pritni dritën jeshile nga askush. Nëse doni të shkruani, shkruani, edhe nëse ju duket se askush nuk ju lexon. Konushevci foli për poezinë, përkthimin, botimet e saj dhe pjesëmarrjen në International Writing Program (IWP).

Portalb.mk: Çfarë kuptimi ka për ju përfshirja në International Writing Program (IWP), si përfaqësuese e vetme nga Kosova dhe Shqipëria dhe çfarë përfaqëson kjo për letërsinë shqipe në një kontekst ndërkombëtar?

Vlora Konushevci: Pjesëmarrja ime në International Writing Program nuk ndërlidhet me përkatësinë kombëtare, duke qenë se letërsia nuk ka përkatësi, shtrihet përtej kufijve nacional dhe gjografik. Përzgjedhja në këtë program bëhet mbi meritën letrare dhe vlerësimin artistik. Kandidatët nominohen nga institucione kulturore ose agjenci, pra nuk bëhet me aplikim, ndaj përzgjedhja bazohet në punët e botuara, prurjet letrare, etj. Duke qenë se IWP është ndër programet më prestigjioze në botë për shkrimtarë, ku kanë kaluar fitues të Nobelit, Pulitzerit, Man Booker, etj, për mua është nder dhe privilegj t’i bashkohem kësaj tradite letrare. Kjo është një mundësi fantastike për të ndërtuar lidhje kreative kulturore me shkrimtarë nga e gjithë bota, për të shkëlqyer profesionalisht dhe për të kontribuar në dialogun ndërletrar global.

Portalb.mk: Cilat janë aktivitetet kryesore që përfshin ky program dhe si ndikon një përvojë e tillë në ndërlidhjen me autorë nga kultura të ndryshme?

Vlora Konushevci: Programi është i pasur me shumë aktivitete për të cilat paraprakisht ne jemi konsultuar dhe i kemi konfimuar. Për tre muaj, shkrimtarë nga e gjithë bota do të jetojnë e punojnë pranë njëri-tjetrit, marrin pjesë në lexime publike, punëtori shkrimi, punëtori përkthimi, ligjërata, takime me studentë dhe komunitetin, etj. Si do të ndikojë kjo tek unë, do ta kuptoj vetëm pasi ta kem përjetuar, por jam e bindur se do të më hap horizonte të reja të mendimit dhe shkrimit dhe mbi të gjitha do të jem dëshmitare e mënyrës se si letërsia shijohet kur vendoset në një tryezë shumëgjuhëshe.

Fotografi nga arkivi personal i Vlora Konushevcit: Foto: Vlora Konushevci
Fotografi nga arkivi personal i Vlora Konushevcit: Foto: Vlora Konushevci

Portalb.mk: Në një skenë globale letrare, cilin mesazh mendoni se sjell krijimtaria e një autoreje shqiptare, veçanërisht në raport me zërin e gruas?

Vlora Konushevci: Carolin See, autore amerikane, me të drejtë ka thënë se: “Çdo fjalë që e shkruan një grua e ndryshon historinë e botës, ngase e rishkruan versionin zyrtar”. Mendoj se zëri i gruas shqiptare ka kaluar kufij edhe më të vështirë. Në një skenë globale, ky zë mund të duket i vogël si numër, por realisht është jashtëzakonisht i thekshëm dhe mban në vete gjurmët e një bote që nuk ia ka bërë kurrë të lehtë grave të flasin e aq më pak të shkruajnë.

Portalb.mk: Si lind një poezi ose projekt letrar për ju, dhe si ndërthuren përvoja personale me temat më të gjera shoqërore në krijimtarinë tuaj?

Vlora Konushevci: Herë vjen si zë i papritur, herë nga ndonjë kujtim i vagulltë e herë nga një pamje e rastësishme në rrugë, dhe pastaj e kërkon vendin e vet në fjalë. Përvoja personale e pasuron krijimin por nuk është qëllimi i fundit, është portë hyrëse drejt një hapësire ku privatja dhe shoqërorja nuk kanë kufi të prerë. Edhe kur flas për një lidhëse flokësh, në prapavijë janë gjithmonë kohët, sistemet, dhe historitë që na kanë formësuar.

Portalb.mk: Antologjia “Magma” dhe platforma “Poetet Shqiptare” kanë sjellë në qendër zërin poetik të grave. Cili është qëllimi i këtyre nismave dhe çfarë ndikimi kanë ato në realitetin kulturor dhe shoqëror shqiptar?

Vlora Konushevci: “Si ‘Magma’, ashtu edhe ‘Poetet Shqiptare’, kanë lindur nga e njëjta nevojë: të krijohet një hapësirë ku zëri poetik i grave të mos jetë margjinal, por i dukshëm dhe i dëgjueshëm. “Magma” synon të vendosë dialog ndërmjet poeteve shqiptare me autore nga vende të tjera, duke e nxjerrë letërsinë tonë nga izolimi gjuhësor dhe gjeografik. Ndërsa “Poetet Shqiptare”, është një platformë e hapur ku lexuesit mund të zbulojnë breza, stile e përvoja të ndryshme të grave që shkruajnë në shqip. Në këtë realitet kulturor ku ende mungon balanca e përfaqësimit gjinor, këto nisma janë ftesë për dialog. Ato i japin letërsisë shqipe një pasqyrë më të plotë të vetes, duke e zgjeruar narrativën përtej asaj që historikisht është rrëfyer.

Portalb.mk: Si përkthyese, cilat janë sfidat kryesore të ruajtjes së thellësisë poetike kur poezia kalon nga shqipja në anglisht apo anasjelltas?

Vlora Konushevci: Përkthimi i poezisë është gjithmonë kompromis në mes asaj që mund të thuhet dhe asaj që duhet të humbet. Shqipja dhe anglishtja frymojnë ndryshe. Në shqip, një fjali mund të bartë shtresime historike e kulturore, teksa në anglisht kërkojnë një fjali të tërë shpjeguese. Në anglisht, një metaforë mund të ketë dritë e hije, por në shqip duhen rimenduar të gjitha. Sfida kryesore është të mos e përkthej vetëm kuptimin, por edhe tensionin, heshtjet dhe ritmin e brendshëm të vargut. Për mua, përkthimi poetik është më afër kompozimit sesa transkriptimit, ngase ti nuk po e zhvendos vetëm një tekst, por po e rindërton frymën e tij në një truall tjetër.

Fotografi nga arkivi personal i Vlora Konushevcit: Foto: Vlora Konushevci
Fotografi nga arkivi personal i Vlora Konushevcit: Foto: Vlora Konushevci

Portalb.mk: A mendoni se poezia është një formë arti që tejkalon kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë dhe si e përjetoni këtë në përvojat tuaja ndërkombëtare?

Vlora Konushevci: Do ta citoj këtu poetin amerikan Sam Hamill që thotë: “Poezia e tejkalon shtetin-komb. Poezia e tejkalon qeverinë. Ajo e përkul në gjunjë konceptin tradicional të pushtetit. Kam besuar gjithmonë se poezia është një bisedë e përjetshme ku poetët e lashtë mbeten bashkëkohorë, një bisedë që na fton të hyjmë në gjuhë dhe kultura të tjera, teksa poezia e tejkalon gjuhën dhe kulturën, duke na kthyer përsëri e përsëri te ritmet dhe tingujt primordial”.

Portalb.mk: Cili është roli i bashkëpunimeve ndërmjet autorëve dhe institucioneve kulturore për zhvillimin e projekteve me ndikim rajonal apo global?

Vlora Konushevci: Në teori, bashkëpunimi midis autorëve dhe institucioneve kulturore është çelësi për të krijuar projekte me ndikim përtej kufijve. Në praktikë… le të themi që ndonjëherë këto institucione funksionojnë më shumë si klube të mbyllura, ku hyrja varet nga rajoni, rrethi i miqve, ose bindjet politike të autorit. Është një lloj “rrjeti krijues”, ku krijimtaria mbahet peng nga karta e anëtarësisë. Sigurisht, kur këto struktura vendosin të shikojnë përtej oborrit të tyre, mrekullitë ndodhin, por për këtë punë përveç buxhetit duhet edhe vetëdije dhe shumë, shumë guxim.

Portalb.mk: Në një kohë ku shpesh zëri i gruas mbetet në margjinë, sa e rëndësishme është që poezia të shndërrohet në mjet vetëvlerësimi dhe rezistence?

Vlora Konushevci: Poezia, për mua, është shumë afër asaj që filozofja dhe shkrimtarja franceze, Helene Cixous, e quan écriture féminine, një mënyrë shkrimi që nuk pranon kufizimet e gjuhës së ndërtuar nga pushteti patriarkal. Cixous thotë se gratë duhet “të shkruajnë veten në histori”, me një “gjuhë femërore”, që e shpërbënë narrativën patriarkale. Andaj mendoj se çdo varg i shkruar është një akt i vogël rebelimi, një hap drejt një vepre që nuk do të hesht.

Portalb.mk: Çfarë do t’u thonit vajzave të reja që duan të shkruajnë, por hezitojnë për shkak të pasigurisë apo mungesës së mbështetjes?

Vlora Konushevci: Mos e pritni dritën jeshile nga askush. Nëse doni të shkruani, shkruani, edhe nëse ju duket se askush nuk ju lexon. Fjalët janë si farat, disa mbijnë menjëherë, disa presin vite nën tokë derisa ta gjejnë dritën. Mos i shtrydhni ëndrrat për t’u bërë të pranueshme, lërini të rriten siç janë.