Agjenda Reformuese: Qershori i “nxehtë” për RMV-në, e pret shumë punë për t’i marrë paratë nga BE
Maqedonia e Veriut ka në dispozicion vetëm edhe një muaj për të përmbushur disa nga reformat e përcaktuara në Agjendën Reformuese, afati i të cilave skadon në qershor. Megjithatë, kjo periudhë konsiderohet e shkurtër, marrë parasysh numrin e madh të detyrimeve që duhen realizuar. Nga zbatimi i këtyre reformave varet sigurimi i një pjese të parave, apo 70 milionë euro nga gjithsej 750 milionë eurove ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian. Portalb.mk ka përmbledhur 16 reformat kryesore që Maqedonia e Veriut duhet të realizojë brenda kësaj kohe të kufizuar, për të mos rrezikuar humbjen e mbështetjes financiare dhe për të vazhduar përparimin drejt integrimit evropian.
Transponimi i plotë i pakos për integrim të energjisë elektrike dhe vazhdimi i zbatimit të saj në përputhje me kërkesat e Komunitetit energjetik, si dhe Ulja graduale e ndërhyrjes publike në përcaktimin e çmimeve të furnizimit me energji elektrike në përputhje me nenin 5 të Direktivës 2019/944 për rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike: Ulja e ndërhyrjes në përcaktimin e çmimeve në 70%, janë disa prej reformave të renditura për tu zbatuar deri në qershor.
Detyra e parë aktualisht është në fazën e zbatimit.
Më poshtë kemi renditur të gjitha reformat tjera që përpos dy të sipërpërmendurave, janë edhe 11 të tjera.
- Miratimi i Planit trevjeçar për renovimin e ndërtesave të Qeverisë qendrore të harmonizuar me qëllimin vjetor për rinovim prej 3 %.
- Miratimi dhe zbatimi i kornizës legjislative për sigurinë kibernetike që është plotësisht në përputhje me politikën e BE-së për sigurinë kibernetike dhe ligjin e BE-së për sigurinë kibernetike, të a.q Aktin e Sigurisë së Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit dhe strategjinë e përditësuar të sigurisë kibernetike.
- Miratimi i Ligjit të ri për Komunikimet Elektronike, harmonizimi i legjislacionit kombëtar në përputhje me ligjin e BE-së dhe Ligjin për Infrastrukturën Gigabit, pas hyrjes në fuqi të tij në BE.
- Pajtueshmëria me Rregulloren e BE-së për Identitetin Digjital dhe Rregulloren eIDAS2 duke miratuar një Ligji të përditësuar për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, duke përfshirë pajtueshmërinë me Rregulloren e re të BE-së për Identitetin Digjital që rishikon Rregulloren eIDAS
- Sjellja e legjislacionit për të mundësuar arkivimin e dokumenteve elektronike
- Bazuar në hartën e mëparshme të 377 tarifave dhe rekomandimeve nga projekti përkatës i asistencës teknike të financuar nga BE, 28 tarifa të tilla u optimizuan
- Lehtësimi i aksesit në kredi për NVM-të me ndryshimet e legjislacionit përkatës për të mundësuar përdorimin mjeteve jo-materiale si kolateral në kreditimin e NVM-ve
- Krijim i regjistrit të NPSH (SOEs) dhe shoqërive tregtare me pjesëmarrje shtetërore që është në dispozicion të publikut
- Miratimi i planit për ristrukturimin e operatorit të hekurudhës në pronësi shtetërore dhe drejtuesin e infrastrukturës hekurudhore deri në janar 2025
- Miratimi i ndryshimeve në ligjet me të cilat rregullohen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të shërbimit gjyqësor dhe prokurorial
- Ndryshimi i Kodit Zgjedhor në përputhje me vëzhgimet e ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2024.
Prej këtyre detyrimeve të mësipërme, disa janë poashtu në fazë zbatimi, siç është Ligji për komunikime elektronike dhe Ligji për pagat e prokurorëve, Miratimi i Planit trevjeçar për renovimin e ndërtesave të Qeverisë qendrore.
Ndërkohë, tre reforma që janë paraparë për këtë periudhë tashmë janë zbatuar dhe ato janë:
- Është sjellë Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor në përputhje me “Misionin e Vlerësimit” për funksionimin e Këshillit Gjyqësor, nga 23 shtatori, dhe mendimin e Komisionit të Venecias.
- Janë plotësuar të gjitha vendet e hapura të punës në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar
- Rritja e numrit të inspektimeve është përmbushur plotësisht, duke marrë parasysh inspektimet pas tragjedisë në Koçan.
Lidhur me këto reforma, Qeveria ose institucionet përgjegjëse duhet të dokumentojnë çdo progres për të përmbushur kushtet dhe të sigurojnë raportim të saktë për të justifikuar fondet e kërkuara. Burimet për verifikimin e zbatimit të këtyre reformave do të jenë dokumente të hartuara nga institucionet përkatëse, raportet e dorëzuara në Qeveri, dhe publikimet zyrtare (p.sh., në Gazetën Zyrtare).
Kujtojmë se Ministria për Çështje Evropiane tha se po zhvillon një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese. Kjo platformë duhet të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Megjithatë kanë kaluar gjashtë muaj që kur ministri Murtezani, kurse kjo platformë ende nuk është gati.
Ndryshe, Agjenda Reformuese e Maqedonisë së Veriut është e ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përcaktuar qëllimet dhe koherenca e Agjendës Reformuese, ndërsa në pjesën e dytë janë përshkruar fushat e politikave dhe reformave të ngjashme. Ajo përfshin 136 aktivitete të organizuara në pesë fusha prioritare:
- Fusha e politikës 1: Qeverisja/Reforma në Administratën Publike dhe Menaxhimi i Financave Publike
- Fusha e politikave 2: Eergjetike/tranzicioni digjital. Këtu hyjnë nënfushat: reformat e tregut, dekarbonizimi, burimet e ripërtëritshme, miratimi i sistemit të tregtimit të emetimeve, efikasiteti energjetik dhe ndotja e ajrit, siguria kibernetike, digjitalizimi,
- Fusha e politikës 3: Kapitali njerëzor me nënfushën e saj Aftësitë arsimore.
- Fusha e politikës 4: zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi afarist me nënfushën: mjedisi afarist.
- Fusha e politikës 5: Bazat/sundimi i ligjit me nënfushat: demokracia, pavarësia, cilësia dhe integriteti i gjyqësorit, konsolidimi i funksionimit të këshillit gjyqësor, efikasiteti i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, kthimi i pronës.
Shtatë përqind ose 52.5 milionë euro janë para që shtetet i marrin paraprakisht për të zbatuar këto reforma. Ato RMV-së i janë paguar tashmë në mars të këtij viti. Pjesa tjetër do të vijë në këste, varësisht nëse shteti do t’i përmbushë reformat brenda afatit të premtuar. Secila prej 136 aktiviteteve ka afat të caktuar. Nëse qeveria e përfundon aktivitetin brenda këtij afati, ajo i dërgon një raport Komisionit Evropian, i cili përfshin edhe dëshmi të punës së bërë. Komisioni, brenda pesëmbëdhjetë ditësh, e shqyrton dhe vlerëson progresin dhe, nëse është i kënaqshëm, e miraton pagesën e parave. Nëse një detyrim nuk përmbushet në kohë, ka një periudhë prej një viti në të cilën vendi mund ta korrigjojë atë. Për të përdorur plotësisht fondet, reformat duhet të përfundojnë deri në dhjetor 2027.

Testi i parë serioz për vendin erdhi në mars të këtij viti. Deri atëherë, duhej të përfundoheshin pesë reforma, kryesisht ndryshime të ligjeve: Ligji për Shoqëritë Tregtare duke futur rregulla të reja për emërimin e anëtarëve të pavarur në bordet e kompanive shtetërore, Ligji për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, si dhe ndryshimet në Ligjin për Buxhetet, duke përfshirë krijimin e një regjistri të entiteteve publike. Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani thotë se këto detyrime janë përmbushur dhe se pret të marrim deri në 17 milionë euro.
“Ende nuk kemi marrë paratë për këtë pjesë. Kemi çuar kërkesë dhe pas 90 ditësh pune Komisioni do të deklarohet. Nëse ata konsiderojnë se dokumentet e propozuara janë të mjaftueshme që ata të arrijnë në përfundimin se reformat janë zbatuar me sukses, atëherë bazuar në kërkesën tonë, do të paguhen 17 milionë euro. Ne kemi pasur pesë hapa për të përmbushur. Nëse të pesë hapat konsiderohen të suksesshëm nga Komisioni Evropian, atëherë ne do të marrim 17 milionë euro. Nëse konsideron se një hap i caktuar nuk është përmbushur 100%, atëherë ajo shumë do të zvogëlohet”, tha Murtezani.
Afati i radhës për të dorëzuar raport për reformat dhe për të kërkuar paratë e radhës (70 milionë euro) është fundi i qershorit, të cilat siç përmendëm më lartë janë 16.
Kujtojmë se Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.
- LEXO: Kjo është Agjenda reformuese e RMV-së dhe prioritetet kyçe të saj
- LEXO: Platforma online për zbatimin e Agjendës Reformuese në RMV ende s’është gati as pas tre muajsh nga “afati sa më i shpejtë i mundur”
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
- LEXO: RMV-ja pret që BE-ja t’ia transferojë në tremujorin e parë të këtij viti paratë nga Agjenda Reformuese
- LEXO: Agjenda reformuese e RMV-së identifikon një sërë sfidash, BE-ja do ta monitorojë zbatimin dhe do të vendosë për parat
- LEXO: Brukseli pret që me Agjendën reformuese RMV-ja të miratojë Kod të ri Penal dhe ligj për Prokurorinë
- LEXO: Mickoski dhe Murtezani prezantuan “Agjendën e reformave 2024-2027”, e cila pritet të miratohet nga KE