Mitrovica e Veriut ka ndarë parcelë për Policinë, shfrytëzohej nga strukturat paralele

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut të premten kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metrash katrorë për Policinë, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ka konfirmuar kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin.

Ugljanin ka thënë për KOHËN se në atë hapësirë është ndërmarrja publike “Standard”, ndërmarrja publike e ujësjellësit, Autoriteti i Përkohshëm Komunal e salla e sporteve.

Këto institucione punojnë sipas sistemit serb.

Menjëherë pas vendimit, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se e ka njoftuar bashkësinë ndërkombëtare dhe kërkon reagim urgjent nga ta. Sipas tij, vendimi për ndarjen e parcelës është bërë pa ndonjë diskutim publik dhe lë qindra njerëz pa punë.

“Prishtina po do ta shmangë themelimin e Asociacionit dhe të parandalojë shkarkimin e kryetarëve ilegalë”, ka thënë ndër të tjera Petkoviq.

Udhëheqësi i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, e ka krahasuar këtë vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut me “okupim” dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë “të gjitha procedurat demokratike dhe ligjore për ta zhbërë këtë vendim të paligjshëm”.

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut aktualisht përbëhet kryesisht nga këshilltarë nga komuniteti shqiptar, për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në veri që u mbajtën në prill. Po ashtu, kjo komunë me shumicë serbe udhëhiqet nga kryetari Erden Atiq, i cili vjen nga partia, Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.