Miti si armë politike dhe ideologjike

Antropologu dhe etnologu Ivan Çoloviq (1938), nëpërmjet librit Vdekja në Fushë Kosovë – historia e mitit të Kosovës (2016), synon ta dekonstruktojë ideologjinë që mbështetet në mitin mbi Betejën e Kosovës. Ai pasi analizon dokumente osmane, europiane dhe ballkanase për këtë betejë, që janë shkruar ndërmjet shekujve XIV dhe XXI, përqendrohet te keqpërdorimi dhe përpunimi i mitit për qëllime ideologjike dhe politike. Sipas tij, miti u bë “rrëfim i shenjtë” mbi kombin, luftën, nderin, trimërinë, vdekjen e ringjalljen dhe e ngulfati të vërtetën historike. Më pas pati funksion ideologjik për mjegullimin ose zëvendësimin e realitetit. Kosova, nëpërmjet mitit, u paraqit si “pjesë e identitetit serb”, kurse “epi i Kosovës si kodeks moral”. Elitat politike, intelektuale dhe kishtare e krijuan një imaginarium politik, sepse, siç tha Popoviqi, “u duheshin heronj që vdisnin për ideale të reja në emër të zotave të vjetër”.

Mitologjia e re kombëtare, e krijuar nëpërmjet legjendave dhe kronikave, flet për humbjen e forcave të krishtera në Betejën e Kosovës, ku humbësit më të mëdhenj duhej të ishin serbët. Sipas historianit Sima Çirkoviq, humbësit më të mëdhenj në betejën e vitit 1389 ishin osmanët, sepse aty u vra Sulltani dhe djali i tij Bajaziti u desh të rikthehej në Azi.

FUNKSIONI IDEOLOGJIK DHE POLITIK I MITIT. Çoloviqi mendon se çdo sistem politik priret nga imagjinarja dhe simbolika, që luajnë rol të madh në politikë. Sipas Bronislaw Malinowski-t (1884-1942), çdo mit ka funksion politik, shërben si pamflet dhe bëhet pjesë e pandashme e jetës politike. “Epi këndohet dhe vepron”, tha Maksimilian Braun-i.

Miti, thonë antropologët, është “rrëfim i sakralizuar” mbi ngjarjet, gjërat dhe njerëzit. Duke qenë i pakontestueshëm, i pakundërshtueshëm dhe duke e përjashtuar dyshimin, ai bëhet tabu. Nga shekulli XIX, miti mbi Betejën e Kosovës u bë “rrëfim i sakralizuar”, që shërbeu për arritjen e qëllimeve politike.

Sipas Alicja Próchniak-ut, regjimet totalitare krijuan mite politike që t’i sfidonin normat racionale dhe morale të qytetërimit perëndimor. Mitet politike, sipas saj, ndikojnë në “sakralizimin” e politikës. Kjo realizohet nëpërmjet ligjërimit me terma pothuajse fetarë, kurse fuqia e rrëfimit barazohet me autoritetin fetar. Mitet politike, shton ajo, e madhërojnë një komb, i japin rol misionar dhe e paraqesin si prijatar në luftën e së mirës kundër së keqes.

TRANSFORMIMI I MITIT. Çoloviqi shkruan se pasi regjimet s’mund të krijojnë mite të reja, sajojnë versione nga mitet ekzistuese dhe i shfrytëzojnë për qëllime ideologjike. Versione të mitit mbi Kosovën krijuan të gjithë regjimet në Serbi, përfshirë edhe regjimin komunist, që e ndërtoi përmendoren në Gazimestan më 1953.

Diskursi për këtë mit ndryshoi gjatë shekujve dhe në varshmëri nga qëllimet politike. Sipas autorit, para shfaqjes së nacionalizmit, ai nuk ishte mit për kombin serb. Knjaz Lazari vepron i vetëm për “Mbretërinë Qiellore”, kurse Milosh Obiliqi kryen hakmarrje personale për nderin e cenuar. Pas shfaqjes së nacionalizmit, miti u ndërlidh me burimet kishtare, historike e folklorike. Miti u bë pjesë e diskursit nacionalist dhe iu shtua funksioni i ri: Knjaz Lazari u bë misionari dhe prijësi. Kështu filloi “kombëtarizimi i mitit”.

Interpretimi nacionalist i mitit, sipas autorit, e theksoi: luftën, trimërinë, nderin, vdekjen dhe rilindjen. Temë e miteve kombëtare u bënë: toka, të vdekurit, varret, altarët, vatra, djepi, rrënjët, gjuha, tradita. Kështu miti shërbeu si forcë mobilizimi për luftë.

Kujtimi për Betejën e Kosovës vazhdoi në shekullin XX. Miti u vu në shërbim të kultit kombëtar, politik dhe religjioz. “Miti mbi nderin dhe trimërinë” u shndërrua në propagandë dhe i ushqeu krimet gjatë luftërave në Bosnjë e Kosovë. “Eksploatimi politik i Vidovdanit” shkaktoi “dëme të pa riparueshme”. Kriminelët e luftës u krahasuan me heronjtë e Betejës së Kosovës. Miti mbizotëroi si temë edhe në vepra letrare, historike, kinematografike, dramaturgjike, vepra pamore dhe në media. Pas vitit 1999, sipas autorit, Vidovdani u zhvendos në Bosnjë. Kohëve të fundit rikthehet në Kosovë.

“Në Vidovdan shihet gjithçka, pastaj serbët, në mënyrë paqësore, do të ndërmarrin hapa në rrugën e tyre drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”, tha kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiqi.

SHQIPTARËT DHE MITI I KOSOVËS. Çoloviqi i analizon edhe interpretimet e miti nga Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti dhe Jusuf Buxhovi, por edhe këngët popullore shqiptare për Betejën e Kosovës.

Sipas autorit, Ismail Kadare shkon përtej Betejës së Kosovës – te depërtimi sllav në Ballkan. Sllavët, sipas Kadaresë, i gjetën shqiptarët aty dhe e nisën betejën për Kosovën. Qasja e Kadaresë, sipas Çoloviqit, duhej të sillte përfundimin se shqiptarët jo vetëm ishin popull autokton, por edhe popull që luajti rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në historinë e Ballkanit.

Për Sabri Hamitin, kultura shqiptare është “kulturë e rezistencës”, kurse shqiptarët dhanë kontribut të madh kundër depërtimin osman në Ballkan. Sipas Jusuf Buxhovit, humbjen në Kosovë shqiptarët e përjetuan si humbjen e tyre. Miti i Kosovës, sipas Ibrahim Rugovës, ishte mjet për mjegullimin e realitetit dhe armë kundër shqiptarëve. “Kosova u bë mitologemë për ta shkatërruar një realitet aktual dhe historik” dhe “për ta fshehur një strategji kundër një populli”, tha Rugova. Sipas tij, raportet e serbëve dhe shqiptarëve mund të përmirësoheshin vetëm kur pala serbe do të çlirohej nga robëria e mitit të Kosovës dhe do ta pranonte pjesëmarrjen e dinjitarëve shqiptarë në këtë betejë. Rexhep Qosja, ndërkaq, sipas këtij autori, mendon se shqiptarët u rreshtuan me vetëdije në anën e osmanëve që të mbroheshin nga zhdukja në botën armiqësore të sllavëve ortodoksë.

Interpretimet e intelektualëve shqiptarë u përçmuan nga intelektualët serbë. Historiani Milan Komneniq i quajti “projektime infantile dhe fisnore të historisë”. Vuk Drashkoviqi tha: “Për arnautët Fusha e Kosovës është gjeografi, kurse për serbët është burim i kulturës, eposit dhe besimit të tyre, është alfa e omega e ekzistencës së tyre”. Aleksandar Petrov shtoi: “Në Kosovë nuk jetojnë vetëm serbët, por Kosova vetëm për serbët është vend i shenjtë dhe simboli më i lartë shpirtëror”.

Çoloviqi i analizoi edhe këngët popullore shqiptare për Betejën e Kosovës. Ai gjeti përngjasime me këngët serbe, që, sipas tij, janë si rezultat i matricës së përbashkët epike.

TERRORI I IDENTITETIT. Çoloviqi mendon se serbët duhet të krijojnë vetëdije të re dhe të çlirohen nga “terrori i identitetit”. Me “terror të identitetit” e nënkupton paraqitjen e identitetit kombëtar e religjioz si diçka të shenjtë, që duhet të pranohet verbërisht dhe pa kundërshtim. Identiteti kombëtar, shton ai, mbrohet edhe në emër të dallimeve dhe jo duke i paraqitur kombet tjerë “me identitet të gabuar”. Por populistët synojnë t’i bindin njerëzit se varen vetëm nga ky identitet. “Populizmi nuk i ushqen njerëzit me  bukë, por me identitet”.

Serbia, shton ai, i frikësohet europianizimit dhe modernizimit. Ajo nuk dëshiron të distancohet nga krimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë viteve 90-të. Çoloviqi është shprehur edhe kundër preambulës së kushtetutës serbe, që Kosovën e sheh si pjesë përbërëse të Serbisë. Preambula, sipas tij, është vazhdimësi e mitit mbi “Serbinë qiellore”, që s’dëshiron të bëhet “Serbi tokësore”.

Studiuesit thonë se pranimi i mitit për Betejën e Kosovës pa gjykim kritik, prodhon armiqësi të përhershme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Funksionalizimi i mitit për qëllime politike, sipas Latinka Peroviqit, synon që Kosovën ta paraqesë si hapësirë ku serbët “duhet të kthehen një ditë”. Kjo qasje shkakton konflikte të përhershme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

PËRFUNDIMET. Ivan Çoloviqi në këtë libër nxjerr disa përfundime: [1] se Beteja e Kosovës u shfrytëzua për legjitimimin e ideologjisë, të drejtës për pushtet dhe për qëllime ushtarake e politike; [2] se fabula e mitit të Kosovës u shtua dhe u rilexua në kohëra të ndryshme që të përcillte mesazhe politike e ideologjike; [3] se miti shërbeu për mobilizim kombëtar; [4] se miti u imponua si religjion dhe u kuptua si rrëfim i sakralizuar e i pakontestueshëm; [5] se rrëfimi për të kaluarën profane u zëvendësua me rrëfimin e shenjtë për lindjen, vdekjen dhe rilindjen e kombit; [6] se narracioni mitik nuk ofron argumente, por epifani, magji, çudi, për sa kohë komunikimi modern bazohet në arsye dhe dyshim në çudira, veçanërisht kur imponohen nga njerëzit e pushtetit; [7] se rrëfimi traumatik mbi Betejën e Kosovës ende u shërben elitave politike; [8] se sikur miti të studiohej nga një këndvështrim i ri, ai do të ofronte dëshmi për afërsinë e popujve të Ballkanit dhe përkatësinë e përbashkët europiane. Ky libër, thotë autori, “është kontribut për ta kuptuar dhe vlerësuar kështu mitin e Kosovës”.

Çoloviqi e shtron dilemën: nëse elitat politike janë të gatshme ta gërshetojnë raportin ndaj të kaluarës, historisë kombëtare dhe miteve me projektin për afrim dhe deheroizim të imazheve kolektive të së kaluarës ose do t’u bashkohen atyre që këtë projekt e shohin si rrezik për ekzistencën e pavarësisë kombëtare.

Ivan Çoloviqi ka botuar librat: Letërsia e egër (1985), Letërsia dhe erotizmi (1990), Bordeli i luftëtarit (1993), Politika e simboleve (1997), Etno (2006), Ballkani – terrori i kulturës (2008), Vdekja në Fushë Kosovë – historia e mitit të Kosovës (2016). Tani e drejton shtëpinë botuese “Biblioteka XX”. Ai që në fillim të viteve 90-të iu kundërvu ideologjisë nacionaliste.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.