Banorët e fshatit “Teferiç“ në pritje që Merko ta realizojë premtimin për ndërtimin e kanalizimit

Edhe pse u premtua gjatë zgjedhjeve lokale, në fshatin Teferiç të Strugës ende nuk ka filluar ndërtimi i rrjetit të kanalizimit e as ndërtimi i rrugëve dytësore brenda fshatit. Për mosrealizimin e deritanishëm të këtyre premtimeve të bëra nga Ramiz Merko në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, Komuna e Strugës nuk u përgjigjen në kërkesën tonë për informacion. Ndërkohë nga ASH-Strugë thonë se programi zgjedhor i BDI-së për Strugën është i mbushur me premtime të fryra dhe nuk besojnë se ato premtime do të realizohen. Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam për këto premtime në fshatin Teferiç, Portalb.mk konkludon se të njëjtat nuk janë realizuar, shkruan Portalb.mk.

Premtime parazgjedhore /Screenshot nga Agjenda e Blertë 2021-2025
Teferiç – Premtime parazgjedhore /Screenshot nga Agjenda e Blertë 2021-2025

Gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kreu aktual i Komunës së Strugës Ramiz Merko u zotua se në fshatin Teferiç gjatë mandatit të ri do të ndërtojë rrjetin e kanalizimit dhe do të ndërtojë e zgjerojë rrugët dytësore brenda fshatit. Premtimi u dokumentua edhe në programin zgjedhor të kandidatit të BDI-së “Agjenda e Blertë” 2021-2025, në nën kategorinë investime të parapara nëpër fshatra. Sikurse të gjitha premtimet tjera në këtë program zgjedhor, edhe për premtimet në fjalë nuk jepen detaje konkrete si për shembull sa buxhet është planifikuar për realizimin e projekteve, kur planifikohet të fillojnë punimet, afati i finalizimit, etj

Portalb.mk vizitoi fshatin Teferiç për të parë situatën faktike në terren. Nga ajo që pamë dhe nga deklaratat e banorëve lokal kuptuam se deri tani në këtë bashkësi lokale as ka pasur ndonjë zhvillim për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit e as ndërtuar apo rikonstruar ndonjë rrugë brenda fshatit. Redaksia jonë me disa pyetje rreth zhvillimit të premtimeve në fjalë u drejtua deri tek Komuna e Strugës, nga ky zyra e PR-it konfirmoi kërkesën tonë për informacion megjithatë përgjigje nuk morëm. Nga ana tjetër banorët e revoltuar shprehen se është më se e nevojshme sidomos ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në fshatin e tyre.

Sipas banorëve, një pjesë e fshatit Teferiç ka kanalizim shumë të vjetër, ndërkaq pjesa tjetër fare nuk ka. Sipas premtimit, parashihet që fshati të ketë rrjet tërësisht të ri të kanalizimit.

“Për fat të keq dhe fshati jonë po zbrazet me shpejtësi… Gjithë këto shtëpi të mëdha i kanë braktisur për jetë më të mirë. Është shekulli 21 dhe neve akoma na premtohet kanalizim e rrugë pa gropa… se kur do realizohen premtimet nuk di të them”, u shpreh një banor i moshuar.

“Gjatë këtyre dy viteve nuk ka pasur ndonjë punim për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit apo rrugëve brenda fshatit. Një pjesë e fshatit Teferiç ka kanalizim që ka ngel nga moti nëpërmjet fshatit Ladorisht. Konkretisht për dy vitet e fundit, edhe pse fshati ka nevojë shumë, rrjet kanalizimi as është ndërtuar e as ka filluar të ndërtohet”, tha një banor vendas.

Edhe pse në propozim-programin për ndërtim, rehabilitim, mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve lokale në Komunën e Strugës për vitin 2023, fshati figuron në listën e bashkësive lokale ku është paraparë ndërhyrje, si në vitin 2022 edhe në atë 2023, banorët thonë se në fshat nuk ka pasur ndonjë zhvillim pune në infrastrukturën rrugore këto dy vite.

Nga partia opozitare më e madhe në Komunën e Strugës, Aleanca për Shqiptarët, e kritikojnë cilësinë dhe profesionalizimin në përpunimin e programit zgjedhor “Agjenda e Blertë”.

“Ramis(z) Merko nga frika se nuk mund t’i fitojë zgjedhjet lokale në vitin 2021, dhe nga paragjykimi i stafit të tij se qytetarët nuk lexojnë dhe nuk mbajnë mend premtimet dhe atë se çfarë kanë premtuar në programin zgjedhor, “Agjenda e Blertë” për Strugën, e ka mbushur me projekte megalomane nga të cilat edhe pse po kalojnë dy vite, deri më sot nuk ka realizuar asnjë prej tyre”, deklaroi Lulzim Nasufi, kryetar i degës së ASh-së në Strugë.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam për premtimet në fshatin Teferiç, përfshirë këtu: Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimi e zgjerimi i rrugëve dytësore, Portalb.mk konkludon se premtimet e bëra në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, nuk janë realizuar.

BURIMI: