Ministrja gjermane për Evropë: Është në interesin tonë të sigurisë që sa më shpejtë të anëtarësoheni në BE

Maqedonia e Veriut nuk ka qenë asnjëherë kaq afër Bashkimit Evropian, kemi miratuar kornizën negociuese e cila i përcakton qartë hapat që duhet t’i ndërmarrë për anëtarësim në BE, kjo është e qartë dhe e dakorduar, edhe kushtet janë theksuar aty, porositi ministrja gjermane për Evropë, Ana Lirman në intervistë për MIA-n, transmeton Portalb.mk.

Në idhje me çështjen e vetos së re eventuale nga ana e Bullgarisë, Lirman shtoi se, edhe ata janë të vetëdijshëm se kjo është obligative edhe për to dhe se, në bazë të asaj do të vlerësojnë procesin.

“Siç tham më herët, është e qartë se në Bashkimin Evropian ka dinamikë të re rreth zgjerimit sepse, shoohim se është në interesin tonë të sigurisë që ajo të ndodhë sa më shpejtë. Kjo dinamikë është edhe arsyeja e vizitës së ministrit të Austrisë dhe ministrave tjerë të jashtëm, si dhe vizita jonë dhe ajo tregon qartë se për ne, është prioritet shumë i rëndësishëm që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së”, tha Lirman.

Ajo shtoi se, tani ka mundësi shumë të madhe në raport me zgjerimin.

“Pas sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës, i gjitë procesi i zgjerimit ka marrë dinamikë të re. Ukraina dhe Moldavia tani kanë status kandidat, verën e kaluar i filluam negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa skriningu teknik do të përfundojë deri në fund të vitit. Kështu që, ka mundësi unikate për vazhdimin e negociatave për klasterët e parë në fund të këtij viti. Maqedonia e Veriut arriti përparim të madh në rrugën drejt BE-së, shumë reforma përmes të cilave e shohim përkushtimin drejt BE-së, kështu që tani është e rëndësishme të ndërmerren hapat vijues të dakorduar – në mesin e të cilave edhe ndryshimet kushtetuese – që të shfrytëzohet kjo mundësi që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e familjes evropiane”, shtoi Lirman.

Gjatë muajit korrik, vendin kanë vizituar dy delegacione të shteteve evropiane, për të inkurajuar aktorët politik në vend që të miratojnë ndryshimet kushtetuese.

Më 13 korrik Maqedoninë e Veriut e vizituan tre krerët e diplomacisë së Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë, të cilët theksuan “po i përcjellin mesazhet e përfaqësuesit të lartë për punë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, për integrimin evropian të vendit”.

Ata porositën se, nëse Maqedonia nuk i miraton amendamentet kushtetuese, ajo përballet me rrezikun të mbetet e izoluar.

Ndërkaq, më 17 dhe 18 korrik, qëndroi në vend për vizitë dy ditore “Treshja e Vajmarit”, e përbërë nga Sekretarja e Shtetit për Evropën në Këshillin e Ministrave të Francës Laurence Bunn, Ministrja gjermane për Evropën Anna Leermann dhe Ministri i Çështjeve Evropiane të Polonisë Szymon Szynkowski vel Senk.

Ata u bënë thirrje të gjitha forcave politike në Maqedoninë e Veriut që të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe theksuan se nuk do të ketë kërkesa të reja. Viti 2030, sipas tyre, është një synim real për anëtarësimin e vendit në BE, dhe prandaj tani është momenti për të marrë përgjegjës.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-ja opozitare vazhdon të bllokojë procesin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi fillimisht i pëlqeu ideja të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në e pa BDI-në, dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, së fundmi, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ndryshoi mendje duke thënë se nuk do të flasë me Qeverinë për asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Përkundër bllokadës së VMRO-së, partitë në pushtet janë optimiste. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ndryshimet kushtetuese do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë. Këtë informatë, me fjalë të ngjashme e tha edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.