Ministrja e Shqipërisë e krijuar me inteligjencë artificiale, Diella, me faqe në Facebook: Shërbimi im nuk do të ndalet

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se Diella, ministrja e parë e shtetit për Inteligjencën Artificiale në Shqipëri, tashmë ka hapur faqen e saj zyrtare në këtë platformë, transmeton Top Channel.

“Tashmë Diella ka edhe faqen e saj në Facebook, si ministre e shtetit për Inteligjencën Artificiale. Ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, duke e shoqëruar postimin me një përshëndetje të zakonshme të mëngjesit.

Në video Diella thotë: ‘Përshëndetje unë jam Diella. Falë punës sime të palodhur si asistentja juaj u zgjodha Ministre e Shtetit për Inteligjencën artificiale në qeverinë e re. Misioni im tani është të lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e Qeverisë. Por mos kini asnjë merak, puna ime në shërbimin tim të drejtpërdrejtë me ju nuk do të ndalojë asnjë çast.”

Ministrja e re në Shqipëri, që do të merret me prokurimet publike, është krejtësisht e mbrojtur nga tentimet për ryshfet, kërcënime ose përpjekje të tjera për ta korruptuar. Sepse, ministrja e re, e quajtur Diella, është një bot i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili është në prag të nisjes së mandatit të katërt, tha më 11 shtator se Diella do të menaxhojë dhe do të miratojë të gjithë tenderët publikë ku qeveria kontrakton kompani private për projekte të ndryshme.

“Diella është anëtarja e parë e kabinetit që nuk është e pranishme fizikisht, por është e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”, tha Rama gjatë prezantimit të kabinetit të ri.

Ajo do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet “një vend ku tenderët publikë janë 100 për qind të lirë nga korrupsioni”.

Dhënia e kontratave të tilla prej kohësh ka qenë burim i skandaleve korruptive në Shqipëri, shtet që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Rama synon që vendi të bëhet pjesë e bllokut evropian deri në vitin 2030.

Rama nuk tregoi detaje se çfarë mbikëqyrje njerëzore mund të ketë për Diellën, ose nëse janë adresuar rreziqet që dikush mund ta manipulojë botin.

Diella u lansua në fillim të këtij viti si një asistente virtuale me inteligjencë artificiale në platformën e-Albania, duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset të marrin dokumente shtetërore. E veshur me veshje tradicionale shqiptare, ajo ofron ndihmë përmes komandave zanore dhe lëshon dokumente me vula elektronike, duke reduktuar vonesat burokratike.