Me ndihmën e inteligjencës artificiale në SHBA u vodhën 129 milionë dollarë

Tre burra janë akuzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një mashtrim me vlerë mbi 129 milionë dollarë, të cilin, sipas prokurorisë, e kanë realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke falsifikuar zërat dhe pamjen e drejtorëve të kompanive dhe avokatëve, raporton Associated Press.

Sipas aktakuzës së ngritur në gjykatën federale në Nju-Jork, objektiv i Jacob Soal (41), Sharon Hazan (54) dhe Guy Shitrit (42), për një periudhë më shumë se një vit e gjysmë, kanë qenë mijëra kompani në mbarë botën.

Nga korriku i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2026, të dyshuarit, me ndihmën e inteligjencës artificiale, kanë falsifikuar zërat dhe pamjen e drejtuesve të shumë kompanive dhe avokatëve nga firma të mëdha ndërkombëtare të avokatisë.

Fillimisht, ata kontaktonin punonjësit e kompanive, duke u paraqitur si drejtorë të përgjithshëm dhe duke kërkuar ndihmë për transaksione financiare konfidenciale.

Më pas organizonin biseda telefonike dhe video-thirrje, gjatë të cilave përdornin sërish inteligjencën artificiale për t’i bindur punonjësit se vërtet po komunikonin me drejtorët.

Punonjësit më pas orientoheshin drejt personave që paraqiteshin si avokatë nga firma të mëdha ndërkombëtare të avokatisë, identitetet e të cilëve gjithashtu falsifikoheshin, me qëllim që t’i bindnin se bëhej fjalë për transaksione të vërteta biznesore.

Në këtë mënyrë, ata i mashtronin punonjësit që të transferonin shuma të mëdha parash në llogari bankare nën kontrollin e anëtarëve të grupit.

Dëmi i përgjithshëm ka tejkaluar 129 milionë dollarë, thuhet në aktakuzë.

Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Drejtësisë, dy nga të dyshuarit janë arrestuar në Spanjë në gusht, ndërsa i treti është arrestuar në Britaninë e Madhe në shtator.

Të tre presin ekstradimin në SHBA, ku do të përballen me akuza për mashtrim elektronik, vjedhje të identitetit dhe pastrim parash.

Për veprat që u ngarkohen parashihet dënim deri në 20 vjet burg.