Ministria me sqarim rreth ndihmave financiare për nxënësit në Maqedoninë e Veriut

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka sqaruar që nxënësit nuk duhet të aplikojnë përsëri për ndihmat financiare, nëse kanë aplikuar që në muajin dhjetor, transmeton Portalb.mk.

“Thirrje e re për mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, në të cilën mund të aplikojnë të gjithë nxënësit të cilët i plotësojnë kushtet dhe nuk kanë aplikuar  në thirrjen e parë nga dhjetori i vitit të kaluar”, deklarojnë nga Ministria.

Nxënësit do të kenë mundësi të aplikojnë deri më 16 janar, ndërsa ata që kanë aplikuar në muajin e kaluar nuk kanë nevojë të aplikojnë përsëri. Thirrje do të ketë edhe muajin tjetër.

“Nxënësit e shkollave fillore do të marrin 1.200 denarë në muaj, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme 1.800 denarë. Kjo ndihmë është pjesë e paketës së 9-të të masave antikrizë të Qeverisë, me qëllim të sigurimit të kushteve më të mira materiale për nxënësit që kanë nevojë për mbrojtje sociale në kushtet e krizave të shumëfishta të ndërthurura”, sqaroi Ministria.

Ndryshe, deri sot më 24 dhjetor zgjati afati për paraqitje në thirrjen publike për mbështetje financiare për nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme, familjet e të cilëve kanë të ardhura të përgjithshme prej neto-pagave deri në 50.000 denarë.

Mënyra e paraqitjes është përshkruar në thirrjen e publikuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), e cila ka siguruar dhe është përgjigjur për pyetjet më shpesh të parashtruara për këtë masë.