Familjet e nxënësve që nuk marrin më shumë se 50 mijë denarë në muaj, do të mund të aplikojnë për ndihma

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka njoftuar që prej sot deri më 16 janar do të pranojnë aplikime për ndihma nga familjet që nuk marrin më shumë se 50 mijë denarë në muaj, transmeton Portalb.mk.

“Thirrje publike për mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme familjet e të cilëve kanë të ardhura totale mujore prej neto pagave deri në 50.000 denarë”, njoftoi Ministria.

Mbështetja për nxënësit e shkollës fillore është 1200 denarë, ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme 1800 denarë.

“Kandidatët duhet të aplikojnë në shkollën ku nxënësi është i regjistruar. Afati për aplikim është nga data 5 deri më 16 janar 2024 (vazhdohet për shkak të pushimit dimëror)”, njoftoi Ministria, duke numëruar edhe dokumentet e nevojshme.

Ndryshe, deri sot më 24 dhjetor zgjati afati për paraqitje në thirrjen publike për mbështetje financiare për nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme, familjet e të cilëve kanë të ardhura të përgjithshme prej neto-pagave deri në 50.000 denarë.

Mënyra e paraqitjes është përshkruar në thirrjen e publikuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), e cila ka siguruar dhe është përgjigjur për pyetjet më shpesh të parashtruara për këtë masë.