Ministri Lloga u takua me kryetaren e Gjykatës Supreme Ademi: Të miratohet ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga u takua me kryetaren e Gjykatës Supreme Besa Ademi dhe kryetarin e Grupit Punues për përgatitjen e Strategjisë për Reformimin e Sektorit Gjyqësor, akademikun Vllado Kambovski. Në takimin e mbajtur në Gjykatën Supreme, ata diskutuan për situatën në gjyqësor dhe tejkalimin e problemeve me të cilat përballen institucione të caktuara, përkatësisht Këshilli Gjyqësor, njofton Portalb.mk.

Sipas njoftimin të Ministrisë së Drejtësisë, në takim është konkluduar se ngjarjet në Këshillin Gjyqësor janë në kundërshtim me angazhimet për pavarësinë dhe reputacionin e gjyqësorit, ndërtimin e besimit të publikut, si dhe rekomandimet në Raportet e Bashkimit Evropian dhe Departamentit Shtetëror Amerikan.

“Një nga zgjidhjet për përmirësimin e gjendjes në Këshillin Gjyqësor është miratimi urgjent i ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Gjyqësor në përputhje me Strategjinë për reformën e sektorit Gjyqësor. Ndryshimet legjislative duhet të synojnë rritjen e pavarësisë, ekspertizës dhe funksionalitetit të Këshillit Gjyqësor si një organ gjyqësor që duhet të sigurojë dhe garantojë autonominë dhe pavarësinë e gjyqësorit. Me ndryshimet duhet të kapërcejnë të gjitha dobësitë e zgjidhjes ligjore, që krijuan probleme në zbatimin praktik dhe lanë hapësirë për interpretime të ndryshme. Në kuadër të grupit të punës për përgatitjen e Strategjisë së re u theksua më parë nevoja për ndryshime urgjente ligjore dhe njëkohësisht u evidentuan problemet që krijohen në zbatimin e ligjit”, thuhet në përfundim të takimit.

Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Sesionit të Gjyqtarëve dhe Sesionit të Përgjithshëm, tashmë ka dorëzuar propozime për ndryshime urgjente legjislative në Grupin Punues për Strategjinë e re, por gjithashtu ka dorëzuar edhe Iniciativë në Gjykatën Kushtetuese duke sfiduar kushtetutshmërinë e dispozitave të Ligjit për Këshillin Gjyqësor.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor tanimë disa ditë është në shënjestër të kritikave për mënyrën e shkarkimit të kryetares Vesna Damave.

Gjatë ditës së djeshme, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë në ora 16.30 e mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme në të cilën u zgjodh kryetari i ri, Sashko Georgiev, pasi që më 26 prill u shkarkua nga funksionini kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Dameva. Megjithatë, para kësaj, Këshilli Gjyqësor, ka mbajtur edhe dy mbledhje të jashtëzakonshme, por të njëjtat kanë qenë të fshehta, pa praninë e gazetarëve.

Në mbledhjen e parë e cila është mbajtur me dyer të mbyllura në ora 13.30, sipas njoftimit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, është shfuqizuar vendimi i 26 prillit për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva.

Gjysmë ore më vonë, Këshilli sërish është mbledhur, gjithashtu me dyer të mbyllura dhe sërish e ka shkarkuar Damevën, por për dallim prej herës së parë kur numri i votave për shkarkim ishte i diskutueshëm gjegjësisht 7, këtë herë me 9 anëtarë të Këshillit Gjyqësor kanë miratuar shkarkimin e Damevës.

Sipas njoftimit, njëkohësisht është miratuar vendim me të cilën konstatohet dorëheqje e Selim Ademit nga pozita e nënkryetarit të Këshillit Gjyqësor, por me veprim të vonuar deri në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së, publikimin e vendimit për zgjedhje në Gazetën Zyrtare të RMV-së dhe regjistrimin e tij në Regjistrin Qendror si nënshkrues i autorizuar i të gjitha akteve dhe llogarive të Këshillit.

Pasi kanë mbaruar dy mbledhjet me dyer të mbyllura, për të cilat nuk kanë qenë të njoftuara mediat, Këshilli Gjyqësor ftoi mediat në mbledhje të jashtëzakonshme për në ora 16.30 ku pas disa minutave, anëtari i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli e propozoi për kryetar Sashko Gjeorgievin ndërkaq në votim, ai mori 8 vota “për” dhe 4 “kundër.

Në seancë mungoi kryetarja e shkarkuar, Vesna Dameva.