Selim Ademi: “Kryelartësia femërore”, arsyeja e shkarkimit të Damevës, zihej me gratë tjera

Shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva vazhdon të jetë tema më e nxehtë në Maqedoninë e Veriut, pas akuzave për ndikime politike, por edhe për procedurë të paligjshme gjatë shkarkimit. Nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi u përmend në media se me urdhër të subjekteve politike qëndron pas shkarkimit të Damevës, sepse ajo ka dashur të shkarkojë gjykatësin e Apelit, Enver Bexheti i njihet në opinion si fajtor për vjetërsimin e lëndës gjyqësore të ish krye-spiunit, Sasho Mijallkov.

Gazetari i Portalb.mk, bisedoi me Ademin, i cili i tha pikëpamjet e tij në lidhje me shkarkimin e Damevës. 

Bisedën e publikojmë në mënyrë integrale:

Pse u shkarkua kryetarja Vesna Dameva?

Ademi: Puna e parë, me përgjegjësinë më të madhe se asnjë dispozitë ligjore nuk është shkelur. Puna e dytë, asnjë ndikim nuk ka pasur. I bëj apel Damevës që nëse ka pasur kërcënime apo ndikime politike le të dalë dhe të tregojë me emra. Unë jam në Këshill Gjyqësor, askush asnjëherë nuk më ka kërcënuar. Puna e tretë, kanë qenë marrëdhëniet e prishura ndërnjerëzore si shkak të cilat i ka sjellë kryetarja Dameva.

Arsyeja e fundit, në mbledhjen e parafundit, pra para mbledhjes që vendos për shkarkim, nuk mund të udhëhiqte me mbledhjen. U detyrua që ta lëshojë mbledhjen që ta udhëheqë unë dhe ta përfundoj.

Me mua nuk ka pasur problem personal, por ka pasur probleme me anëtarë tjerë të Këshillit Gjyqësor.

Në çfarë aspekti kanë qenë problemet e Damevës?

Ademi: Aspekte ndërnjerëzore ndërmjet tyre, pra “Suetë femërore”. Domethënë njëra me tjetrën që merren, kush ka pushtet, dhe kush është. Derisa ishte Pavlina Cërvenkovska kryetare, kjo [Vesna Dameva] ja bënte problemin më të madh gjatë udhëheqjes së mbledhjes. Në të njëjtën mënyrë kam intervenuar unë dhe e kam shpëtuar mbledhjen. Ajo dha pastaj dorëheqje pas 14 muajve.

Dhe filloi kjo duke menduar se do të qetësohet situata, se u bë kryetare dhe do të vijë puna në vend. Por, me marrjen e pushtetit, kjo filloi të tregojë një diktat dhe pushtet tjetër, domethënë që unë jam kryetarja dhe u krye kjo punë dhe mos vijë çështja në konflikt më të madh duhej të intervenoj për shkak se më mirë në këtë mënyrë se sa të presim më gjatë që të ketë edhe ndonjë skandal më të madh.

Pra, kanë pasur problem Lloreta Gjorgjievska, Pavlina Crvenkovska me kryetaren Vesna Dameva. Këto probleme janë mbi dy vite e tepër.

Në çdo mbledhje kanë thënë akuza të ndërsjella edhe për sulme fizike.

Ne nuk i dimë problemet e tyre se për çfarë kanë, por problemet e tyre reflektojnë në Këshill. Duhet që komplet Këshilli të jetë i stresuar për problemet e atyre. Pra, për një procesverbal zihen, thash kështu, thash ashtu,  dhe na humbin kohë.

Pavlina dha dorëheqje për shkak sulmeve të Vesna Damevës, e tash, këta tjerat e kanë problemin.

Pra janë problemet e atyre të brendshme, kur ka probleme ndërnjerëzore, njerëzit mundohen që t’i zgjidhin në gjykata, ndërkaq ne s’mund ta zgjidhim problemin tonë.

Por, ky nuk është problemi më i vetëm, por ishte më e patolerueshmja.

Pse nuk i shkarkuat të tre anëtaret, pasi kanë bërë problem?

Ademi: Ne e shkarkuam Damevën se pozicioni i kryetarit ka pushtet dhe i bie këto konflikte. Me shkarkimin nga pozicioni i kryetarit, nuk ka pushtet asnjëra palë prej këtyre. Fillimisht pra ishte Pavlina kryetare, kjo e bënte problemin, tani kjo është kryetare dhe këto tjerat e bëjnë problemin.

A u shkarkua Dameva për shkak se dëshiroi ta shkarkojë gjykatësin Enver Bexheti?

Ademi: Me përgjegjësinë më të madhe them se në pikën e rendit të ditës të propozuar nga Dameva, nuk ka pasur asnjë pikë për shkarkimin e asnjë gjykatësi.

Flas për asnjë gjykatës, nuk përmend me emra.

Puna tjetër është, nuk mundet që kur vjen një shkresë në Këshill Gjyqësor dhe unë kur të dëshirojë t’ua japë juve e kur jo. E patolerueshme ishte që letra e Ambasadës së Amerikës pas dy jave, vetëm të informohemi ne pa e parë shkresën. Me insistimin e anëtarëve, pas dy jave e ka bërë kopje që të na japë.

Pra, krejt institucionet e kanë, neve na thotë kjo është vetëm për mua sekrete. S’ka punë sekrete.

A është ligjor shkarkimi i Damevës?

Ademi: Le të dale cilido profesor, cilido ekspert të tregojë se cili nen është shkelur nga ligji. Unë sinqerisht pajtohem që thanë se kjo çështje duhet të rregullohet. Në ligj nuk parashihet se si shkarkohet dhe a mund të shkarkohet kryetari i Këshillit Gjyqësor. Por, çdo gjë që nuk është e ndaluar me Kushtetutë dhe me ligj nuk është e ndaluar. Ligjit thotë se Këshilli Gjyqësor, vendimet i miraton me shumicë të votave nga anëtarët prezent, nëse me ligj tjetër ose me ligjin e vet nuk është e rregulluar procedura.

Në Këshill ka pasur shumicë, është votuar 7 me 5.

Këshilli ka 13 anëtarë, plus dy të cilët nuk kanë të drejtë vote. Megjithatë, ligji është për 13 anëtarë që kanë të drejtë vote.

Pra, 7 është shumica në çdo vendim të Këshillit Gjyqësor në qoftë se nuk është e paraparë procedurë tjetër me ligj.

Procedura për zgjedhjen e kryetarit është e rregulluar me ligj ku thotë se duhet të ketë 8 vota.

Pra, vetëm kryetari zgjedhet me tetë. Por, nuk është e rregulluar me ligj me sa shkarkohet. Këtu është zbrazëtira ligjore.

Askund nuk thotë se nëse emërohesh me 8 vota, shkarkohesh me 8 vota. Kjo është një rregull e pashkruar që e mendon dikush – le të thotë ku është e shkruar.

Pra, Komisioni për Reforma në Ministrinë e Drejtësisë është mirë ta rregullojë këtë çështje.

Këtu nuk është si në institucionet tjera ku tjetër kush e zgjedh kryetarin. Këtu, shumica të emëron, shumica të shkarkon.

Ekspertët keqinterpretojnë në atë se ligji parasheh shkarkim nga pozicioni i anëtarit të Këshillit Gjyqësor. Dhe aty thotë se me tetë vota shkarkohet, por Vesna Dameva nuk është shkarkuar nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, ajo vazhdon të jetë anëtare, u shkarkua nga pozita e kryetares.

Vendimet e Këshillit Gjyqësor ka organ që mund t’i shohë a janë apo jo të ligjshme. Le të ngrit Dameva iniciativë para Gjykatës Kushtetuese që vendimi është kundërligjor dhe kundërkushtetues dhe më pas le të konstatojë Gjykatë Kushtetuese nëse është i paligjshëm.

Si i vlerësoni akuzat se në kundërshtim me rregulloren ia morët fjalën Damevës dhe e shkarkuat?

Ademi: Unë nuk ia mora fjalën ajo ma toleroi.

Dameva e caktoi rendin e ditës, kishte propozim për t’u shtuar rendi i ditës. Ajo në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore dhe rregullore, ku thotë se hapet debat që çdo anëtarë ka të drejtë të propozojë zgjerimin e rendit të ditës, tha se nuk e toleron këtë.

Nuk mund të bëjë uzurpim.

Pas debatit, që ishte një i ashpër, u konstatua se ka marrëdhënie të prishura ndërnjerëzore dhe ka probleme Këshilli Gjyqësor dhe aty u përmend.

A do të jeni kryetar i ardhshëm i Këshillit Gjyqësor?

Ademi: As që lodhem që të marrë iniciativë të bëj shumicë. Mund të kontaktoni çdo anëtar të Këshillit Gjyqësor, a ju kam thënë brenda këtyre ditëve që a duhet ose jo të votojnë. Çdokush është përgjegjës për punën e vet.

Unë për vete mund të them se nuk kam qenë e as jam i interesuar për t’u bërë kryetar. Edhe nëse më ofrohet nuk do ta kisha pranuar.

Redaksia Portalb.mk distancohet nga fjalori i Ademit i cili mund të intepretohet si diskriminues ndaj gjinisë femërore.
Redaksia jonë kontaktoi disa herë dhe Damevën për koment por ajo nuk u përgjigj. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button