OBSH e shpalli fundin e emergjencës shëndetësore globale të COVID-19

COVID-19 nuk paraqet emergjencë globale shëndetësore, tha sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ky është një hap i madh drejt fundit të pandemisë, si pasojë e të cilës kanë vdekur 6.9 milionë persona dhe ka ndërprerë dëmtuar ekonominë globale, shkruan Reuters.

Komiteti i Emergjencës së OBSH-së u takua të enjten dhe i rekomandoi Agjencisë së OKB-së të shpallë fundin e urgjencës së shëndetit publik, e cila ka mbi tre vjet që ekziston.

“Prandaj, me shumë shpresë e shpall COVID-19 të përfunduar si një emergjencë shëndetësore globale”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se fundi i urgjencës nuk do të thotë se COVID-19 ka mbaruar si kërcënim shëndetësor global.

OBSH tha se pavarësisht se COVID-19 më nuk është emergjencë globale shëndetësore, kjo nuk nënkupton se sëmundja është zhdukur.

Sipas të dhënave të OBSH-së, numri i viktimave nga COVID-19 ka rënë. Në janar të vitit 2021, bota regjistronte mbi 100.000 viktima në javë nga kjo sëmundje, ndërkaq sipas të dhënave të prillit të këtij viti, ky numër është mbi 3.500.

OBSH-ja nuk shpall nisjen apo përfundimin e pandemive, edhe pse kjo organizatë nisi të përdorë termin pandemi për COVID-in në mars të vitit 2020.

Vitin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, shpalli të përfunduar pandeminë.

Rastet e para me sëmundjen COVID-19 u regjistruan për herë të në fund të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Më pas, sëmundja u përhap në mbarë botën.