Dy vjet pushtet, Qeveria e RMV-së ka realizuar vetëm 18 përqind të premtimeve, VLEN ende më pak

Derisa Qeveria e Maqedonisë së Veriut krekoset për arritjet e saj pas dy viteve qeverisje, raportet e monitorimit dhe situata në terren tregojnë progres të kufizuar në realizimin e zotimeve të dhëna para qytetarëve, shkruan Portalb.mk. Deri më tani, vetëm 18% e zotimeve qeveritare janë realizuar plotësisht, rreth 30% janë në proces realizimi, ndërsa rreth 40% nuk kanë shënuar asnjë progres të dukshëm.

Ekzekutivi  i RMV-së ka mbushur 24 muaj nga fillimi i punës dhe tashmë ka hyrë në gjysmën e dytë të mandatit. Me këtë rast, pritjet  ishin se një pjesë e madhe reformave të premtuara të jenë realizuar ose të kenë hyrë në fazë të avancuar të zbatimit. Megjithatë, pavarësisht kohës së kaluar, koalicioni i përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM ende nuk ka arritur të përmbushë as gjysmën e premtimeve të dhëna gjatë zgjedhjeve parlamentare. Këto zotime përfshinin fusha të ndryshme si politikat sociale, zhvillimi ekonomik, arsimi, bujqësia, kultura, përshpejtimi i integrimit evropian, si dhe rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, veçanërisht nga programi i VLEN-it.

Sipas raportit “Kompasi i Premtimeve të Qeverisë”, i përgatitur nga Finance Think në bashkëpunim me Forumin Rinor Arsimor dhe Lidhjen e Mjekëve të Maqedonisë, vetëm 18% e zotimeve qeveritare janë realizuar plotësisht, rreth 30% janë në proces realizimi, ndërsa rreth 40% nuk kanë shënuar asnjë progres të dukshëm. Raporti thekson gjithashtu se një pjesë e premtimeve jo vetëm që kanë ngecur, por në disa raste kanë shënuar edhe devijim nga objektivat fillestare, duke ngritur pikëpyetje mbi ritmin dhe efektivitetin e zbatimit të programit qeverisës.

Sipas analistëve të përfshirë në monitorim, progresi është i pabarabartë sipas sektorëve. Arsimi ka lëvizje më dinamike, ndërsa politikat sociale, shëndetësia dhe çështjet e barazisë e përfaqësimit etnik mbeten ndër më të vonuarat. Veçanërisht, premtimet që lidhen me gratë nuk kanë shënuar asnjë realizim. Në fushën socio-ekonomike, vetëm 11% e premtimeve janë përmbushur, 24% janë në proces, 47% nuk kanë filluar fare dhe 16% kanë devijuar nga synimet fillestare. Kjo nënkupton se më shumë se katër në pesë premtime qeveritare ende nuk janë jetësuar plotësisht pas dy viteve mandat.

Sa u përket premtimeve nga programi me të cilin VLEN-it me të cilin garoi në zgjedhje, rezultatet janë edhe më të ulëta. Ky koalicion kishte paraparë rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, themelimin e Akademisë shqiptare, krijimin e zonave të lira ekonomike ndërkufitare, Erasmusin shqiptar, gjashtë spitale rajonale dhe reforma shëndetësore. Gjithashtu, VLEN pati premtuar se MPB-ja ose njëra nga dy drejtoritë kryesore të saj do të udhëhiqej nga një shqiptar, si dhe përfundimin e autostradës Shkup-Bllacë, subvencionimin e bizneseve të mërgimtarëve dhe lehtësira për blerjen e banesave për çiftet e reja deri në 35 vjeç. Deri më tani, asnjë nga këto premtime as nuk ka filluar të zbatohet.

Gjithashtu, gjatë kohës sa ishte në opozitë, VLEN-i ishte kritik ndaj ngecjes së rrugës evropiane të vendit, duke premtuar se me ardhjen në pushtet do të zhbllokonte këtë proces përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Por deri më tani, si partner qeveritar, nuk ka bërë asnjë hap për sigurimin e këtyre ndryshimeve, që mbeten kushti kryesor për përparimin e integrimit evropian.

Në një deklaratë për rastin e dyvjetorit të qeverisjes, zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka rënë në kundërshtim me gjetjet e raportit “Kompasi i Premtimeve”. Ai tha se brenda dy viteve është realizuar i gjithë programi, madje edhe më shumë se sa ishte paraparë. Sipas tij, në kuadër të arritjeve përmenden disa nisma ligjore dhe projekte, përfshirë ligjin për jurisprudencën, ligjin për medresenë, si dhe punësime e investime në administratë dhe në komunat me shumicë shqiptare.

“Në këtë pako të arritjeve përfshihen realizimi i ligjit për jurisprudencë, ligji për medresenë, hapja e mbi 250 kompanive të reja të nxitura nga rinia, mbi 2.500 punësime në administratën publike, si dhe investime në komunat shqiptare me vlerë të konsiderueshme”, u shpreh Sali.

Nga ana tjetër, Bujar Osmani nga partia opozitare BDI, në një konferencë për media ka kritikuar stagnimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Për Osmanin, shteti nuk ka bërë asnjë hap para, ndonëse VLEN-i kishte premtuar se do ta përshpejtonte rrugën evropiane duke sjellë dinamikë dhe kredibilitet që në gjashtë muajt e parë të qeverisjes. Ai i quajti rezultatet dëshpëruese, duke shtuar se në vend të agjendës evropiane po bëhet politikë ditore.

“Rezultatet janë dëshpëruese. Shteti nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm substancial drejt Bashkimit Evropian. Në vend të përshpejtimit, kemi stagnim. Në vend të reformave, kemi improvizime dhe në vend të agjendës evropiane, kemi politikë ditore. Kryesuesi i ri i BE-së prezantoi agjendën e re dhe vendi ynë është i vetmi që nuk përmendet fare. Humbjen më të madhe të agjendës evropiane, VLEN-i ua ka shkaktuar shqiptarëve, votuesve të vet dhe popullit. Këtë nuk e themi ne, këtë e thotë Brukseli, këtë e thotë Parlamenti Evropian”, deklaroi Osmani.

Kujtojmë se Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, në koalicion me VLEN-in dhe ZNAM-in, erdhi në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, me premtime për reformahttps://portalb.mk/kuvendi-me-77-vota-per-e-zgjodhi-qeverine-e-maqedonise-se-veriut-me-kryeminister-hristijan-mickoski/ në ekonomi, drejtësi, shëndetësi e arsim, si dhe për përshpejtim të integrimit evropian, ku VLEN-i ishte më zëshëm për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore.

LEXO: Biblioteka shqipe mbi Sheshin “Skënderbeu” pa lëvizje në terren, po përgatitet dokumentacioni
LEXO: Nga banka shqiptare te “ALTA Banka” serbe, si u harrua premtimi elektoral i “VLEN”-it?
LEXO: Nga mbyllja totale te distanca 500 metra, si VLEN-i “luajti” bixhoz me premtimet ndaj qytetarëve 
LEXO: Erasmusi shqiptar assesi të gjejë implementim, VLEN pa ‘takat’ ta realizojë