ASH për ndryshimet ligjore në arsim: Universitetet publike në rrezik nga centralizimi i vendimmarrjes

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ndaj ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë, duke i vlerësuar ato si cenim të autonomisë universitare. Sipas saj, rritja e rolit të strukturave të centralizuara dhe ndikimi i pushtetit ekzekutiv në qeverisjen, financimin dhe menaxhimin e universiteteve dobëson vetëqeverisjen akademike. Partia vlerëson se ndryshimet në rekrutimin dhe avancimin akademik rrezikojnë stagnim dhe largim të stafit të ri. Aleanca kërkon tërheqjen e propozimeve dhe hapjen e një procesi të ri konsultimi me komunitetin akademik, transmeton Portalb.mk.

“Këto ndryshime përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë universitare, e cila është kategori kushtetuese dhe pjesë e pandashme e rendit juridik dhe demokratik të shtetit. Vendosja e strukturave të reja drejtuese me ndikim politik, mbi organet akademike ekzistuese, cenon parimin e vetëqeverisjes universitare dhe e zhvendos vendimmarrjen nga komuniteti akademik drejt pushtetit ekzekutiv.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se krijimi i mekanizmave të centralizuar për përcaktimin e financimit universitar, përfshirë përcaktimin e shumës totale të mjeteve për universitetet, përbën shkelje të parimeve të menaxhimit financiar publik dhe anashkalon procedurat e përcaktuara me Ligjin për Buxhetin. Financimi, në këtë formë, rrezikon të shndërrohet në instrument kontrolli politik dhe jo në mjet për zhvillim akademik dhe kërkim shkencor”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, ndryshimet e propozuara në procedurat e rekrutimit dhe avancimit akademik nuk garantojnë rritje të cilësisë, por krijojnë kritere përjashtuese dhe selektive që dëmtojnë veçanërisht stafin e ri akademik. Kufizimi i burimeve të vlerësimit shkencor dhe mbyllja e rrugëve alternative të avancimit profesional, shtojnë nga ASH, rrezikojnë stagnimin e sistemit dhe largimin e kuadrove të reja nga universitetet publike.

“Vlerësohet gjithashtu se parashikimet për mbylljen e programeve studimore, bashkimin apo fuzionimin e universiteteve pa pëlqimin e organeve të tyre të brendshme, bien ndesh me parimet kushtetuese dhe me standardet evropiane të qeverisjes universitare. Rritja e kompetencave të centralizuara të ministrisë dhe organeve të varura prej saj e dobëson më tej autonominë reale të universiteteve.  Aleanca për Shqiptarët thekson se reformat në arsimin e lartë duhet të ndërtohen mbi dialog të gjerë me komunitetin akademik, transparencë institucionale dhe respektim të plotë të autonomisë universitare. Çdo reformë që përjashton universitetet nga vendimmarrja për zhvillimin e tyre nuk është reformë, por centralizim i pushtetit në dëm të interesit publik. Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje institucioneve kompetente që të tërheqin ndryshimet e propozuara dhe të hapin një proces të ri konsultimi me staf akademik dhe përfaqësues të universiteteve, me qëllim ndërtimin e një ligji që garanton autonomi reale, cilësi akademike dhe perspektivë për brezat e ardhshëm”, thonë nga ASH.

Propozim ligji, i cili pritet të kalojë në filtrat e Kuvendit, konfirmon se autonomia e fakulteteve mbetet e paprekur. Ligji u jep njësive universitare të drejtën të veprojnë si persona juridikë, me llogari të veçanta bankare dhe pavarësi të plotë në menaxhimin e të ardhurave vetanake. Megjithatë, Ligji i ri vendos një filtër ndërkombëtar për avancimet. Për të marrë titujt shkencorë, akademikët do të detyrohen të publikojnë punime në revista me faktor ndikimi.

Çdo punim që nuk kalon recensionin e bordit editorial nga të paktën pesë shtete të ndryshme, nuk do të njihet si vlerë shkencore. Gjithashtu, Propozim ligji parashikon që pagat e stafit akademik dhe administrativ të llogariten sipas një koeficienti të caktuar bazuar në pagën minimale.

Kjo do të thotë se profesioni i profesorit nuk do të varet më nga vullneti politik apo marrëveshjet vjetore, por do të ketë një rritje të vazhdueshme, sa herë që rritet paga minimale në nivel shtetëror, automatikisht do të reflektohet rritja edhe në universitetet publike. Ligji parashikon mbrojtje strikte të hapësirës universitare. Policia nuk do të mund të shkelë në universitet pa lejen e Rektorit, ndërsa çdo lloj organizimi apo simboli partiak brenda mureve të dijes do të ndalohet me ligj.

Në të parashihet edhe Arsimi dual dhe Mikro kualifikimet. Ky model i ri do të lejojë që diploma të mos mbetet vetëm teori në letër, por të jetë e kombinuar me praktikë të detyrueshme në kompani apo institucione, duke rritur shanset për punësim të menjëhershëm. Ky propozim-ligj mbetet i hapur për komente në ENER, ku komuniteti akademik dhe studentët kanë mundësinë e fundit për të korrigjuar apo plotësuar atë që do të jetë kushtetuta e re e dijes në vend.