Nihil de nobis, sine nobis

Nihil de nobis, sine nobis.

Asgjë për ne, pa ne.

Ky parim latin është një shembull që përfaqëson një standard të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, që do të thotë: vendimet që prekin drejtpërdrejt një kategori qytetarësh nuk duhet të merren pa pjesëmarrjen e tyre.

Këtë mund ta quajmë një ndër arsyet pse zgjidhja e propozuar për provimin e jurisprudencës nuk mund të shihet vetëm si një çështje administrative që mund të gëlltitet si kompromis. Ajo prek thellësisht legjitimitetin e mënyrës se si ndërtohen dhe merren vendimet publike.

Pas muajsh peticione, reagime publike, diskutime politike, opinione të ekspertëve, takime mediatike e institucionale, dy protestave masive para Ministrisë së Drejtësisë, si dhe protestave mbështetëse në Tiranë dhe Prishtinë, u prezantua një zgjidhje.

Por pyetja mbetet e njëjtë:

A është kjo zgjidhje ajo që kërkuam ne si Lëvizje Studentore?

Ne si Lëvizje Studentore nuk kërkuam kompromis. Nuk kërkuam asnjë privilegj. Nuk kërkuam trajtim të veçantë. Kërkuam vetëm zbatimin e ligjit. Kjo është arsyeja pse edhe sot, përpara se ta konsiderojmë këtë zgjidhje si fitore apo si kompromis, duhet të bëjmë atë që do të bënte çdo jurist: ta krahasojmë me standardin juridik në fuqi.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk lë shumë hapësirë për dilema. Në nenin 23, paragrafi (5), ai përcakton:

“Në rast të mos-harmonizimit të dispozitave të këtij ligji me dispozitat gjuhësore të ligjit tjetër, organet kanë për detyrë t’i zbatojnë dispozitat e këtij ligji.”

Ky formulim ka rëndësi të veçantë. Ligjvënësi nuk ka paraparë që organet të zgjedhin se cilin ligj preferojnë të zbatojnë. Përkundrazi, ai ka përcaktuar qartë se, në rast përplasjeje ose mospërputhjeje, përparësi kanë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Pikërisht për këtë arsye, ne si Lëvizje Studentore nuk mund ta konsiderojmë të mbyllur këtë çështje vetëm pse pjesa teorike do të zhvillohet në gjuhën shqipe. Problemi juridik nuk është nëse është bërë një hap përpara. Problemi juridik është nëse është arritur standardi që vetë ligji e kërkon.

Në diskursin publik është krijuar përshtypja sikur studentët shqiptarë po kërkojnë diçka të jashtëzakonshme. Ndoshta sepse protestat kanë qenë të tilla? Në të vërtetë, kërkesa jonë ka qenë krejtësisht e kundërta. Nuk kemi kërkuar krijimin e një të drejte të re, por zbatimin e një të drejte ekzistuese.

Sipas zgjidhjes së propozuar, pjesa teorike e provimit do të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase.

Kjo ngre një pyetje të thjeshtë juridike: Nëse gjuha shqipe mund të përdoret në një pjesë të procedurës, mbi çfarë baze juridike nuk mund të përdoret edhe në pjesën tjetër?

Kjo është arsyeja pse ne si Lëvizje Studentore nuk e konsiderojmë këtë debat të përfunduar. Jo sepse refuzojmë dialogun, por sepse besojmë se dialogu nuk mund ta zëvendësojë ligjin.

Institucionet na dëshmuan se mund të bëjnë kompromis. Tani mbetet të dëshmojnë se mund ta zbatojnë ligjin në mënyrë të plotë. E drejta nuk ndahet me gjysmëmasa. Ajo ose zbatohet, ose nuk zbatohet. Nuk mund të jetë e plotë në fazën teorike dhe e kufizuar në fazën praktike pa një arsyetim të qartë juridik. Përndryshe, nuk kemi më standard juridik, por një zgjidhje administrative të ndërtuar mbi kompromise politike. Sepse kur vendimet merren për studentët pa studentët, kur të drejtat realizohen vetëm pjesërisht dhe kur barazia fillon të matet me përqindje, atëherë nuk jemi më përballë një problemi teknik. Jemi përballë një problemi të koherencës juridike.

Kjo ishte zgjidhja e propozuar. Ne nuk e pranuam, madje e kishim bërë të qartë që përpara se të prezantohej se një zgjidhje që nuk garanton zbatimin e plotë të ligjit nuk mund të jetë e pranueshme. Kërkesat tona kanë qenë të qarta, të argumentuara dhe të mbështetura në ligj.

Për të drejtat që ligji tashmë i garanton, nuk negociohet. Për gjuhën që flasim, nuk bëjmë kompromis.

Prandaj, parimi “Nihil de nobis, sine nobis” mbetet po aq aktual sot sa ka qenë në momentin kur u formulua për herë të parë.

Asgjë për ne, pa ne.