Mickoski në rolin e viktimës dhe gjykatësit: Kush ia “shiti” identitetin?
Koment nga gazetari Xhenis Sulimani
Sot kur Republika e Maqedonisë së Veriut e ka humbur fillin drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Europian, kryetari i qeverisë aktuale, Hristijan Mickoski ka filluar t’i identifikojë, siç tha ai, “shitësit e identitetit maqedonas”. Dhe, këtë e përsëritë në shumë raste, si tendencë për ta paraqitur veten si gardian të çështjes maqedonase.
“A mendoni ju që do të harrojë se si qeveria e kaluar e shiti identitetin tim maqedonas?”- pyet kryeministri i shtetit, derisa mbajti fjalim me shumë zotime, sikur të ishte në fushatë dhe jo në fund të vitit të parë nga mandati i tij qeverisës, e ndoshta do të duhej të jepte përgjegjësi.
Kryeministri u zotua se do pastrojë strukturat e tij partiake e qeveritare, që sipas tij, do ta turpërojnë shtetin. “Do ta sanksionojë çdo devijim. Do t’i shkarkojë, të gjithë ata që do të na turpërojnë”- kujtoi ai.
Por, si duket oborri i kryeministrit Mickoski?
Dragana Bojkovska, deputete e VMRO-DPMNE-së, nuk ngurron që një ditë të del në opinion me aktivitete ku në skenografinë e saj sundojnë hartat me simbolika kontroverse, anti shtetërore dhe potencialisht përçarëse me fqinjët e aspak diplomatike, dhe vetëm një ditë pas të niset për në Bruksel dhe me krenari të kumtojë se po udhëheq delegacionin e deputetëve të rinj të Maqedonisë së Veriut duke kontribuar në prezantimin e progresit të shtetit në rrugën drejt BE-së.
Se çfarë kanë të përbashkët harta e Maqedonisë së Madhe, dhe harta që është interesi më i madh shtetëror i momentit – ajo e Bashkimit Europian do duhej të na sqaronte vetë deputetja, por e njëjta ende nuk është prononcuar për skenografinë provokuese në aktivitetet e saj politike.
Kur mungon një vizion i qartë politik, populizmi kompenson këtë boshllëk me simbolikë, emocione dhe ndjenja.
Rrjedhimisht, me t’u rritur presioni ndaj qeverisë për ngecjet në rrugën drejt BE-së, sidomos pas porosisë së fundit të presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, Antoinio Costa, i cili ia bëri me dije krerëve shtetëror të përqendrohen në planin A, e që janë ndryshimet kushtetuese, dhe të mos të mendojnë në alternativa tjera, partia shumicë në parlamentin e RMV dhe udhëheqëse me vendin do t’i kthehet nacionalizmave, duke gjetur armiq jashtë e brenda vendit.
Por ky kapitull, tashmë është i lexuar në Maqedoninë e Veriut. Është i lexuar te kapitulli Gruevizmi dhe idetë e tij retrograde.
Kujtojmë se, ish kryeministri Nikolla Gruevski, i arratisur nga drejtësia, shquhej për udhëheqjen e tij autoritare, kapjen e institucioneve, shpenzimet e mëdha për projekte me karakter nacionalist dhe simbolik (Shkupi 2014), korrupsionin e institucionalizuar – gjë që u dëshmua me publikimet e përgjimeve të zyrtarëve të lartë që tregonin shkelje të ligjit dhe abuzim të pushtetit, si dhe qëndrimin e tij për kontestin me emrin, që kishte bllokuar vendin në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
Cili është plani?
Do tentojë t’i ikin përgjegjësisë. Në vend që të pranojnë se nuk po i realizojnë reformat apo nuk kanë plan për integrim, ata thonë: “BE është e padrejtë”, “fqinjët po na bllokojnë”, “opozita na ka shitur”, “elitat e vjetra janë fajtore”.
Duke ndarë shoqërinë në “ne” dhe “ata”, krijojnë ndjenja rreziku dhe përkatësie që forcojnë besnikërinë e mbështetësve.
“Na kërkojnë të zhdukim identitetin”, “na shantazhojnë”, “nuk na duan në BE” – janë fraza të zakonshme që përdoren për të forcuar narrativën e viktimës dhe për të shmangur debatin racional.
Se Maqedonia e Veriut gjendet në pozitë “jashtë loje” në udhëheqjen e politikës së jashtme tregues është edhe gjendja e përfaqësive tona diplomatiko konsullore (PDK). Gjysma e përfaqësive diplomatike konsullore të Maqedonisë së Veriut në mbarë botën për momentin janë pa ambasadorë të emëruar ose pa konsull të përgjithshëm.
Andaj, lirshëm, mund të përfundojmë se kur dështojnë reformat e integrimit, populistët nuk ndreçin rrugën, por e zëvendësojnë realitetin me iluzionin e konspiracionit. Kjo, edhe mund të jetë mjeshtëri për të mbijetuar politikisht, por është fatkeqe për shtetin dhe demokracinë.