“Katër Stinët” e Vivaldit në krye me Sihana Badivukun e hapin sezonin vjeshtor të Ansamblit Muzikor në Tetovë
Nesër (25 shtator) me fillim nga ora 20:00, në Sallën e Madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë Ansambli Muzikor e hap sezonin e vjeshtës me një koncert për violinë dhe orkestër. Në skenë do të interpretohet vepra “Katër Stinët” e Antonio Vivaldit, me violinisten Sihana Badivuku si soliste dhe nën drejtimin e dirigjentit Premtim Etemi, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i Ansamblit Muzikor të Tetovës, Blerim Qamili, tha për Portalb.mk se ky do të jetë koncerti i gjashtë i Ansamblit dhe i pari në programin e vjeshtës.
“Me këtë koncert e hapim zyrtarisht sezonin e vjeshtës. Siç e dini, ky është koncerti ynë i gjashtë me radhë. Sezoni pranveror përfundoi në fund të qershorit me një koncert të muzikës së popullarizuar, apo muzikës moderne, siç e quajmë ne. Tani sezonin e ri po e nisim me një koncert për violinë dhe orkestër, me violinisten e njohur Sihana Badivuku, nën drejtimin e dirigjentit Premtim Etemi. Ata kanë përgatitur veprën ‘Katër Stinët’ të Vivaldit, ndërsa orkestra përbëhet nga 12 instrumentistë të harqeve. E vlerësojmë këtë si një fillim të bukur dhe shpresojmë të jetë një sezon i mbarë”, tha Qamili.

Pas koncertit hapës, Ansambli ka në program edhe katër koncerte të tjera. Qamili bëri të ditur se sezoni do të përmbyllet më 27 nëntor me Koncertin Gala të Festave të Nëntorit.
“Së pari do të kemi një koncert me një kuintet të mrekullueshëm, ku do të interpretojnë instrumentistë nga vendi dhe jashtë tij. Më pas do të kemi një koncert për flaut, violinë dhe oboe, me pjesëmarrjen e kolegëve tanë, ndër ta Lejla Beqiri dhe Vullnet Neziri. Do të vijojë edhe një koncert i muzikës korale, nën drejtimin e dirigjentes së njohur Jasmina Gjeorgjievska. Sezonin do ta përmbyllim me Koncertin Gala të Festave të Nëntorit, më 27 nëntor, në Sallën e Madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë. Përgatitjet për të kanë filluar tashmë. Ky koncert mbahet çdo vit dhe mund të them se është koncerti ynë më i madh i vitit, si për nga buxheti, ashtu edhe për nga numri i pjesëtarëve të trupës artistike”, tha ai.
Pas kësaj mbrëmjeje, programi i vjeshtës do të vazhdojë me pesë koncerte të tjera. Publiku do të ketë mundësi të ndjekë muzikë kamertale me kuintet për piano dhe instrumente frymore, një koncert me flaut, oboe dhe violinë, si dhe muzikë korale. Sezoni do të përmbyllet me Koncertin Gala të Festave të Nëntorit.