Dramaturgu, aktivisti dhe nobelisti Dario Fo (1926 – 2016), i cili ndërthuri në veprat e tij elemente të teatrit tradicional dhe të commedia dell’arte, i kritikoi intelektualisht dhe estetikisht abuzimet me pushtetin, totalitarizmin, krimin e organizuar, korrupsionin politik, padrejtësitë sociale dhe dogmat fetare. Ai i inkurajonte regjisorët dhe përkthyesit që t’i përshtatnin veprat e tij dhe të trajtonin çështje politike lokale.
Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë, kurse “Vdekja aksidentale e një anarkisti” është vënë në skenë nga disa trupa teatrore shqiptare.
Dario Fo, ky “provokues i autoritetit dhe i sistemit”, u padit për shpifje, sepse tha që një pjesë e trurit të Berluskonit ishte transplantuar nga koka e Putinit.
E kritikoi edhe manipulimin e njerëzve nga mediat. “Sot është bërë art t’i bësh njerëzit injorantë”. Gazetarinë e quajti “shkencë e mosinformimit të njerëzve”. Mediet e shpërfillën kur kandidoi për kryebashkiak të Milanos.
Ishte kritik edhe ndaj elitave konformiste e oportuniste, që për interesa personale “i kishin humbur tejzat e zërit” përballë padrejtësive. Sipas tij, çdo pushtet mëton t’i shuajë zërat kundërshtues, por “në sistemin e shëndetshëm, pushtetin e kufizojnë ata që e kundërshtojnë”.
“Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme, sepse i zhdukin antitrupat. Kështu krijohet shoqëria e të paaftëve dhe e servilëve”, shkroi ai.
E sipërthëna vlen për çdo realitet. Ato që quhen elita i kanë “humbur tejzat e zërit” përballë padrejtësive dhe shërbejnë vetëm si dekor të autoriteteve politike.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.