Politikë apo improvizim: Maqedonia e Veriut mbeti me u.d. diplomaci

Gjysma e përfaqësive diplomatike konsullore (PDK) të Maqedonisë së Veriut në mbarë botën për momentin janë pa ambasadorë të emëruar ose pa konsull të përgjithshëm. Sipas asaj që është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) Maqedonia ka gjithsej 51 PDK nga të cilat 43 janë ambasada dhe konsullata në vende të huaja dhe 8 janë misione të përhershme në organizata ndërkombëtare, ndërsa siç thonë nga MPJ, në 26 prej tyre nuk ka ambadasor ose konsull të emëruar. Për katër prej tyre po vijon procedura e emërimit, me çka numri i ambasadave pa ambasador do të ulet në 22, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Paralelisht, nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se “po zhvillohen bisedime mes MPJ-së, Qeverisë dhe Presidentes së shtetit për definimin e një grupi më të madh të shefave të PDK-ve të cilët do të duhet t’i plotësojnë vendet vakante gjatë gjysmës së dytë të këtij viti.

“Në ndërkohë të gjitha përfaqësitë diplomatike konsullore janë të plotësuara në mënyrë adekuate me diplomatë profesionistë, të cilët në cilësinë e ushtruesit të detyrës i kryejnë të gjitha aktivitetet e parapara diplomatike deri në momentin e dërgimit të ambasadorëve të rinj dhe konsujve të përgjithshëm”, thanë nga MPJ.

Nga MPJ nuk morëm përgjigje se sa prej PDK-ve udhëhiqen nga ushtrues detyre, por sipas të dhënave jozyrtare tre nga tetë ambasadorët të cilët u tërhoqën me dekret të Kryetares së Shtetit pas interpretimit autentik të Ligjit për Punë të Jashtme në Kuvend sipas të cilit ata ishin dërguar pa procedurë ligjore të përfunduar, mbeten në postet e ambasadorëve, por jo si ambasadorë, por si ushtrues detyre.

Bëhet fjalë për ambasadorin në Londër – Katerina Stavrevska, në Sofje – Agnesa Rusi dhe në Stokholm – Xhenk Sejfulla. Nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk dhanë një përgjigje zyrtare në lidhje me statusin e këtyre tre ambasadorëve, por vetëm një informacion të shkurtër ku thuhej se “mandati i të gjithë ambasadorëve për të cilët është vërtetuar se janë emëruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Punët e Jashtme tashmë është ndërprerë, ndërsa në përputhje me të njëjtin ligj, në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore përkatëse janë caktuar ushtrues detyre nga radhët e punonjësve të Ministrisë”.

Megjithatë, burime nga Ministria e Punëve të Jashtme informojnë se ata do të jenë ushtrues detyre për gjashtë muajt e ardhshëm dhe se janë diplomatë profesionistë, tërheqja e të cilëve duhej të kryhej me interpretimin autentik të Ligjit për Punët e Jashtme. Askush nuk e vë në dyshim profesionalizmin e tyre, por çfarë do të thotë ulja e nivelit të tyre.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se ata (por edhe diplomatët në ambasadat e tjera) edhe pse nuk janë ambasadorë të jashtëzakonshëm dhe të autorizuar të cilët kredencialet e tyre ia dorëzojnë kryetarit të shtetit nikoqir, por janë ushtrues detyre, ata i kanë të gjitha kompetencat për ta përfaqësuar vendin dhe për të nënshkruar, për shembull, në emër të Maqedonisë. Sipas tyre, kjo nuk është aspak e diskutueshme sepse arsyeja e uljes së nivelit ka qenë parimore. Nga atje përkujtojnlë se sipas Ligjit për Punët e Jashtme ushtrues detyre në PDK emëron ministri i punëve të jashtme, nëse nuk është emëruar një shef i misionit.

Por, ish-diplomatë komentojnë se në rastin e tre ambasadorëve që u bënë ushtrues detyre, edhe pse nuk diskutohet cilësia e tyre, gjithçka ngjan në një improvizim që e dëmton imazhin e vendit.

“Një veprim i tillë flet shumë për vendin tonë, për të mos thënë se është një turp. Të tërheqësh ambasadorë të akredituar dhe pastaj t’i dërgosh në një nivel më të ulët sikur të ishin nëpunës të zakonshëm shtetërorë. Nëse donin t’i kthenin, këtë duhet ta kishin bërë menjëherë pasi Qeveria e re e mori detyrën. Kjo nuk është e pazakontë dhe shumë vende të tjera e bëjnë”, komentoi një ish-diplomat.

Sa për përkujtim, nga tetë ambasadorët e tërhequr, tre janë në gjysmë të mandatit të tyre, ndërsa pesë ishin në mision vetëm për një vit, por shumica e tyre ishin diplomatë profesionistë.

Ish-ambasadori Ljupço Arsovski thotë se në këtë rast bëhet fjalë për diplomatë profesionistë me njohuri të jashtëzakonshme, por duhet të shtrohet pyetja se çfarë është më e rëndësishme – ndonjë procedurë apo nëse ata duhet të mbeten në shërbim.

“Nevojitet një politikë e shëndoshë kadrovike dhe diplomaci profesionale”, shton Arsovski.

Shumica e diplomatëve vendas me të cilët folëm janë të mendimit se emërimi i ambasadorëve aktualë si ushtrues detyre ambasadorë është një ulje e vetëdijshme e nivelit diplomatik dhe më së shumti ngjason me një dërgim të diplomatëve si ndihmës. Sipas tyre, edhe pse mund të mos ketë ndonjë ndryshim formal në ingerencat, në realitet ushtruesit e detyrës ambasador nuk marrin të njëjtin trajtim në vendin nikoqir.

“Ata do ta përfaqësojnë shtetin, po, por jo në një nivel politik mjaftueshëm të lartë. Ky është padyshim një veprim politik joserioz ndaj vendit nikoqir”, thonë bashkëbiseduesit.

Disa prej tyre komentojnë se arsyeja e këtij veprimi është politike, por edhe rezultat i problemeve financiare dhe kadrovike, duke e përmendur konkretisht ekipimin e përgjithshëm të përfaqësive tona diplomatike.

Përndryshe, përveç këtyre tre ambasadorëve, si ushtrues detyre janë emëruar edhe dy ambasadore nga radhët e diplomatëve të karrierës, por të dyjave u përfundon mandati dhe do të qëndrojnë në PDK-të deri në emërimin e ambasadorëve të rinj.

Paraprakisht, në muajin janar Qeveria emëroi katër ambasadorë të rinj. Nefrologun Igor NikollovParis, Dimitar Bllazhevskin në Ukrainë, Dragan Gjurçevski në Kroaci dhe Andrijana Cvetkoviq në Japoni.

Ndërkohë, postet e ambasadorëve mbeten vakante në Astana (Kazakistan), Budapest, Vatikan, Doha, Kajro, Kiev, Kopenhagë, Paris, Tokio, Tiranë, Gjenevë, Misionin e Përhershëm në Nju Jork, si dhe konsullatat në Detroit dhe Selanik.

Krahas Hagës dhe Strasburgut kanë përfunduar mandatet e ambasadorëve edhe në Talin, Athinë, Zagreb dhe për pak kohë edhe në Kanberra.

E përderisa në nivel të Qeverisë po zhvillohen konsultimet në lidhje me plotësimin e vendeve vakante, në publik po spekulohet me shumë emra që ende nuk janë konfirmuar.

Jozyrtarisht thuhet se shumë ish-ambasadorë, deputetë, figura partiake, profesorë… kanë shprehur dëshirën për të plotësuar disa nga vendet vakante, disa prej tyre “kanë shprehur interes” për vende konkrete, ndërsa disa do të pranonin çdo vend ambasadori, për çka një ish-diplomat komentoi se “nuk është asgjë tjetër veçse plotësim dëshirash”.