Si t’i besojmë investimit 74 milionë euro në Spitalin e Tetovës kur ministria nuk arrin ta ndërtojë një park memorial?

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Pak ditë më parë, përfaqësuesit qeveritarë në krye me ministrin e Shëndetësisë – Azir Aliun, me shumë vrull dhe plot krenari paralajmëruan investim prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik të Tetovës, një institucion që shpesh ka qenë strehë e shumë skandaleve, por edhe e një nga tragjedive më të mëdha që ka përjetuar vendi, spitali modular.

Shifra tingëllon e madhe. Madje aq e madhe sa që për një moment të jep përshtypjen se më në fund dikush po mendon seriozisht për shëndetësinë në Pollog. Por problemi nuk është te shuma. Problemi është te besimi. Ose më saktë, mungesa totale e tij.

Sepse si mund t’i besojmë një investimi prej 74 milionë eurosh kur të njëjtat institucione nuk arrijnë ta ndërtojnë as një park memorial për 14 viktimat e tragjedisë së modularit, të cilin e paralajmëruan pak para zgjedhjeve lokale, ministra e deputetë!

Po flasim për një park. Jo për një spital të ri. Jo për një mega-projekt infrastrukture. Jo për një kompleks klinik me dhjetëra reparte. Një park memorial. Një hapësirë simbolike për kujtesë dhe respekt ndaj njerëzve që humbën jetën në një tragjedi që tronditi gjithë vendin.

Dhe edhe atë nuk po arrijnë ta realizojnë, edhe pas gati një viti!

Premtimet për parkun u dhanë me pompozitet, para kamerave, me deklarata emocionale dhe fotografi U fol për kujtesë kolektive, dinjitet dhe përgjegjësi institucionale. Sot, muaj më vonë, në terren nuk ka asgjë. Vetëm një tabelë dhe heshtje pa fund!

Me të drejtë lind pyetja, e si mund t’i besojmë një investimi në këtë realitet i cili tingëllon më tepër si fushatë.

Kur një institucion del publikisht me një investim kaq të madh, pyetjet minimale që duhet t’u përgjigjet janë shumë të thjeshta: Ku do të shkojnë konkretisht paratë? A janë të siguruara? Kush i financon? Kur fillon projekti? Kur mbaron? Çfarë përfshin? A ekziston studim? A ekziston projekt? Çfarë përfitojnë pacientët?

Por për asnjërën nga këto pyetje nuk ka përgjigje.

Nuk ka ndarje konkrete të mjeteve. Nuk ka afate të sakta. Nuk ka dokument publik. Nuk ka plan transparent.

Momentalisht, ka vetëm statuse me dizajne të bukura në Fejsbuk!

Kjo është pikërisht arsyeja pse qytetarët nuk besojnë më lehtë. Jo sepse nuk duan investime. Përkundrazi. Tetova ka nevojë jetike për investime në shëndetësi. Spitali i Tetovës prej vitesh përballet me mungesë kushtesh bazike, staf të lodhur, infrastrukturë të amortizuar dhe skandale të njëpasnjëshme që kanë dëmtuar rëndë besimin publik.

Por qytetarët janë lodhur nga statuset në Fejsbuk dhe konferencat për shtyp që nuk prodhojnë rezultat në terren.

Janë lodhur nga projektet që nisin vetëm në deklarata. Nga gurthemelet që shërbejnë për fotografi. Nga premtimet që jepen vetëm kur duhet të fitohet ndonjë pikë politike.

Sepse në fund të ditës, qytetarët nuk trajtohen me konferenca për shtyp dhe kujtesa e viktimave nuk ruhet me postime në Fejsbuk..

Nëse shteti nuk është në gjendje të realizojë një projekt simbolik si parku memorial për viktimat e modularit, një projekt që kërkon shumëfish më pak mjete, koordinim dhe kapacitet, atëherë si pret që qytetarët të besojnë në realizimin e një investimi prej 74 milionë eurosh?

Besimi nuk ndërtohet me shifra marramendëse. Ndërtohet me transparencë. Me përgjegjësi. Me punë konkrete në terren.

Deri atëherë, çdo milion i paralajmëruar pa plan, pa afate dhe pa llogaridhënie do të tingëllojë më shumë si slogan politik sesa si reformë reale.