Trafikimi i njerëzve në Maqedoninë e Veriut: Gjashtë shtretër për dhjetëra fate (Infografik)
Në radhën për kontroll të pasaportave në aeroportin e Shkupit policia kufitare është në pritje të dy udhëtarëve – një vajze 14-vjeçare, të shoqëruar nga një udhëtar më i moshuar. Policia ka pranuar një lajmërim se vajza është viktimë e një martese të rregulluar. Nga aeroporti, në vend se për në Belgjikë, policia e dërgon vajzën në një strehimore për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, në një lokacion sekret dhe të sigurt, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Ajo ka banuar në një strehimore të specializuar në vend, e cila për vite me radhë udhëhiqet nga organizata joqeveritare La Strada, e që e ka ndihmuar që të riintegrohet në komunitet. Praktikisht, është adresa e vetme për kujdesin ndaj viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, ndërsa shteti merr pjesë vetëm pjesërisht në financimin e saj.
Dy vjet më vonë për BIRN ajo tha se falë shërbimeve të strehimores ajo kishte fituar një shans i ri në jetë.
“Qendra më ofroi qasje në kurse dhe trajnime, të cilat më ndihmuan t’i përmirësoja njohuritë e mia dhe të fitoja aftësi të reja pune. Gjithashtu arrita të gjej një punë, të marr një rrogë, shkova në një bankë dhe për herë të parë hapa një llogari.”
Ajo tha se ishte e lumtur që ishte e pavarur dhe se paratë që i fitonte ishin për të, e jo për dikë tjetër.
Në strehimore ajo mësoi edhe se si të përballej me traumën që e kishte përjetuar: “Psikologët dhe punonjësit socialë në strehimore më ndihmuan të mësoja se si ta përballoj stresin dhe frikën, si të përpunoj emocionet dhe traumat e së kaluarës dhe të ndërtoj vetëbesim.”
Ajo tashmë ka plane lidhur me atë se çfarë dëshiron të bëjë më vonë – se dëshiron t’i ndihmojë viktimat e tjera të trafikimit të qenieve njerëzore, por edhe ta vazhdojë shkollimin e saj.
Kjo vajzë nuk është shembulli i vetëm i trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoni. BIRN ka analizuar disa aktvendime për trafikim të qenieve njerëzore dhe trafikim të fëmijëve, të cilat tregojnë se në vendin tonë ka eksploatim seksual dhe të punës, lypje të detyruar…
Një nga këto aktvendime të vitit 2022 thuhej se një nga të pandehurit ka rregulluar takime me të pandehur të tjerë, të cilëve ua ka ofruar të miturën për shërbime seksuale kundrejt një pagese prej 1.000 deri në 2.000 denarë.
Kjo ka qenë e shoqëruar me një “detyrim psikologjik, rrahje dhe kërcënime se ‘nëse i tregon dikujt, do të zhduket dhe askush nuk do ta dijë se ku është’ dhe shantazh se do të ndajë në rrjetet sociale materiale video me përmbajtje intime”.
Në aktvendim është përshkruar tmerri që ka kaluar vajza: “Ai e ka çuar në afërsi të varrezave, ku e ka ndaluar automjetin në një rrugë dytësore të pa asfaltuar, ku ka kryer marrëdhënie seksuale me fëmijën, për çka i ka dhënë 1.000 denarë në para në dorë, të cilat vajza ia ka dorëzuar të pandehurit.”
Ka edhe një aktvendim tjetër në të cilin viktima që është shfrytëzuar për trafikim me qenie njerëzore ka pasur çrregullime mendore.
Viktimat vendosen nëpër banesa, shtëpi dhe dhoma hoteli
Sipas Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në pesë vitet e fundit në vendin tonë janë identifikuar 111 viktima, shumica e të cilave janë vajza të mitura, ndërsa çdo vit ka pasur viktima të supozuara. Tetëdhjetë prej tyre kanë qenë shtetas të huaj.
Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore kanë mundësi për riintegrim dhe risocializim në shoqëri. Ky proces fillon pikërisht në strehimore. Qëllimi është që ata të largohen nga strehimorja të shëruara dhe të pavarura financiarisht.
Shteti, në mungesë të burimeve njerëzore dhe parave, organizimin e këtij procesi për vite me radhë ia ka lënë sektorit joqeveritar, puna e të cilit, nga ana tjetër, varet kryesisht nga donacionet ndërkombëtare.

La Strada, e cila e menaxhon strehimoren, thotë se kanë vetëm gjashtë shtretër dhe dy të tjerë mobil, ndërsa riintegrimi dhe risocializimi janë shumë të rëndësishëm, sepse nëse nuk kanë sukses ekziston rreziku që viktimat të izolohen dhe të bien përsëri në duart e “trafikantëve”, të cilët shpesh janë të afërmit e tyre.
Shumica e personave të vendosur në La Strada janë fëmijë. Ata shumë shpesh kanë nevojë të qëndrojnë në strehimore më gjatë se periudha e përcaktuar me ligj prej gjashtë muajsh, kështu që disa jetojnë atje deri në katër vjet.
Ky kapacitet, siç thonë ata, nuk është i mjaftueshëm. Dhe jo vetëm kaq. Në strehimore vendosen të gjitha viktimat, si të mitur ashtu edhe të rritur. Djemtë dhe burrat nuk mund të akomodohen në këtë strehimore. Për ta po kërkohet strehim alternativ.
Sfida e tyre më e madhe është kur janë plotësuar të gjitha kapacitetet, ndërsa ata duhet të pranojnë viktima të reja.
Në raste të tilla La Strada kërkon zgjidhje të shpejta, kështu që viktimat i vendos në apartamente, shtëpi dhe madje edhe dhoma hoteli, në të cilat duhet të jetë i pranishëm një profesionisti, gjë që për ta është problem duke e pasur parasysh buxhetin e tyre të kufizuar.
Problemi është edhe më i madh kur në strehimore vijnë fëmijë viktima për të cilët nuk ka vend. “Opsion alternativ në nivel shtetëror për vendosjen e fëmijëve janë familjet përkujdesëse, të cilat, për fat të keq, nuk janë ende gati të pranojnë fëmijë me përvoja traumatike, siç janë fëmijët viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”, thonë nga atje.
Numri i vogël i familjeve përkujdesëse dhe mungesa e akomodimit alternativ kanë rezultuar në kthimin e disa fëmijëve viktima te prindërit e tyre shfrytëzues, ka konstatuar grupi i ekspertëve të Këshillit të Evropës për Veprim Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA) për Maqedoninë.
Avokati i Popullit, Naser Ziberi, thekson se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë nuk ka një zgjidhje se ku mund të akomodohen përkohësisht viktimat e mitura që presin të vendosen tek një familje përkujdesëse. Gjithashtu nuk ka zgjidhje as se ku do të strehohen viktimat e rritura që janë ende të cenueshme dhe nuk e kanë përfunduar riintegrimin e tyre.
“Shteti nuk mund të mbështetet në ndihmën që merr nga La Strada. Përkundrazi. Ai duhet të ndërtojë kapacitete për t’u marrë me këta njerëz”, tha për BIRN Avokati i Popullit Ziberi.
Për akomodimin e viktimave që janë shtetas të huaj përdoret Qendra pranuese për shtetas të huaj. Nga një kopsht fëmijësh u ridestinua në një objekt të drejtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, por, sipas GRETA, nuk i plotëson kriteret për strehimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.
“Qendra nuk ka numër të mjaftueshëm të punonjësve, sidomos të atyre të gjinisë femërore, si dhe është konstatuar edhe se ushqimi që u ofrohet viktimave që strehohen nuk e plotëson cilësinë dhe standardet e parapara”, thotë Ziberi.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i paguan kësaj strehimoreje 41.000 denarë në muaj për secilën viktimë të strehuar aty. Sipas La Strada, këto para përbëjnë 30 përqind të buxhetit total të nevojshëm që strehimorja të funksionojë pa probleme.
“Shpenzimet e nevojshme që burojnë nga funksionimi i një qendre 24/7 nuk mund të varen nga numri i viktimave”, thonë ata, duke theksuar se shpenzimet e funksionimit të Qendrës janë shumë më të larta.
Nga Ministria nuk na dhanë përgjigje për atë nëse planifikojnë ta rrisin këtë tarifë, duke pasur parasysh që OJQ-ja financohet kryesisht nga donacionet ndërkombëtare.
Viktimat kanë të drejtë gjithashtu për kompensim deri në 5.000 euro nga shteti për trajtim dhe pajisje mjekësore, humbje të të ardhurave, shpenzime për varrim ose ndihmë për dhunën e pësuar. Ky kompensim është një mekanizëm i ri ligjor në vendin tonë, për të cilin është formuar një komision që vendos për kërkesat e tyre.
Ata mund të marrin edhe ndihmë ligjore pa pagesë nga Oda e Avokatëve, si dhe nga organizata joqeveritare Juristët e Rinj.
Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve të Rinj të Maqedonisë, Bojana Bozhinovska-Siljanovska, është e mendimit se sistemi për ndihmë ligjore pa pagesë për viktimat nuk ofron mbrojtje për të gjithë.
“Vetëm një pjesë e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore kanë pasur qasje në ndihmë ligjore dhe ajo nuk është siguruar në të gjitha instancat e procedurave. Nga viti 2018 deri në vitin 2023, 10 nga gjtihsej 35 viktima fëmijë të trafikimit të qenieve njerëzore janë përfaqësuar nga një avokat me shpenzimet e buxhetit të shtetit në procedurat para Gjykatës Themelore Penale.”
Bozhinovska-Siljanovska thekson se natyra shpesh e gjatë e këtyre procedurave gjyqësore dhe shqiptimi i dënimeve me burg nën minimumin, i bën viktimat të pasigurta dhe të pambrojtura.
Dhe është pikërisht ndjenja e pasigurisë dhe mungesës së mbrojtjes, pa këshillim dhe burime të mëtejshme, që e zvogëlon suksesin e riintegrimit të viktimave në shoqëri, thonë nga La Strada.
“Edhe pse shumë prej tyre gjatë kohës që qëndrojnë në strehimore tregojnë dëshirë për punësim, arsimim dhe pavarësi”, thonë nga atje. Ata pranojnë se ky entuziazëm zbehet kur viktimat largohen nga zona e mbrojtur.
Viktimat kanë nevojë edhe për një qendër të re për riintegrim
Kur viktimat e fillojnë jetën e tyre si të pavarur jashtë strehimores, ato janë ende të cenueshme dhe për këtë arsye roli i punonjësit të tyre social është i një rëndësie të madhe. Duke i mbështetur dhe duke i këshilluar viktimat, ato duhet ta parandalojnë edhe riviktimizimin e mundshëm, papunësinë dhe mungesën e strehimit.
Megjithatë, vëzhguesit e GRETA kanë vënë re se shteti ka mungesë të mjeteve financiare dhe personelit të specializuar që dinë të punojnë me këta njerëz, sidomos me fëmijët.
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë e pranojnë se për shkak të mungesës së parave, burimeve dhe kapaciteteve “viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore nuk mund ta realizojnë gjithmonë potencialin e tyre dhe nevojat e tyre individuale në aspektin e riintegrimit dhe jetesës së pavarur”.
Pikërisht për këtë arsye, thonë nga La Strada, është sidomos e rëndësishme të hapen qendra riintegrimi ku viktimat mund të kërkojnë këshillim dhe mbështetje për sfidat me të cilat do të përballen pasi të largohen nga strehimorja.
Ata janë në proces e sipër të licencimit të një qendre të tillë të re që do të financohet nga donacione dhe kompani ndërkombëtare. Ata gjithashtu shpresojnë edhe për mbështetje nga shteti.