“Nëse më garantojnë se nuk do më padisin për shkak se i kam zbuluar”.
Kështu pati deklaruar Vesna Janevska, ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut kur u pyet se kush janë autorët të cilët e kanë hartuar Propozim-ligjin për arsim të lartë, i cili po përcillet me shumë bujë, ku akademia dhe sektori civil kanë kërkuar tërheqjen e ligjit.
Kjo deklaratë e ministres nuk është vetëm e çuditshme por është alarmante, sepse për herë të parë po na thuhet, në mënyrë të tërthortë, se transparenca mund të jetë e rrezikshme për pushtetin.
Pikërisht ky është problemi, sepse nuk po flasim për një dokument privat, por për një ligj publik me pasoja direkte për studentët, profesorët dhe gjithë sistemin arsimor.
Një ligj që prek interesin publik nuk mund të ketë autorë anonimë, sikur të ishte ndonjë roman me autorë sekretë.
Megjithatë, kjo është ajo që pikërisht po ndodh.
Emrat e një ligji kaq të rëndësishëm për publikun vazhdojnë të mbeten sekret, ndonëse tani më dihen në opinion, por Ministria e Arsimit vazhdon të mos i konfirmojë zyrtarisht.
Refuzimi për t’i konfirmuar zyrtarisht nuk është ndonjë detaj teknik por është qëndrim politik. Dhe ky qëndrim krijon një precedent të rrezikshëm, që ligjet hartohen pa autorësi publike dhe pa përgjegjësi.
Sa për rikujtim, Propozim-ligji për arsimin e lartë është dokument zyrtar publik, nuk është opinion personal apo çështje private. Nëse përmbajtja është publike, opinioni ka të drejtë të dijë autorët, sepse transparenca është standard minimal në hartimin e politikave publike, dhe nëse jetojmë në një shoqëri demokratike, kjo nuk duhej të diskutohej fare. Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet bazë të një shoqërie demokratike, e cila me sa duket ‘nuk jemi’.
Nuk përbën aspak sens që emrat e autorëve që e kanë shkruar ligjin të mbrohen si të dhëna private. Pse do të paditej ministrja nëse i zbulon këto emra? Narrative të tilla krijojnë tendenca serioze për manipulim të opinionit publik duke u thirrur në mekanizma juridike.
Në mungesë përgjigjesh, krijohet hapësirë për dyshime, për ndikime politike, për përzgjedhje të njëanshme të ‘ekspertëve’, për mungesë përfaqësimi dhe barazie në hartimin e ligjit.
Këtu fillon edhe një problem tjetër dhe më thelbësor. Mostransparenca nuk është vetëm çështje e etikës por është edhe rrezik për përmbajtjen e ligjit. Një proces i mbyllur do prodhojë ligj të mbyllur, pa debat real, pa kritikë të mirëfilltë dhe pa balanc mendimesh. Ndonëse procesi u tentua të ‘shitet’ si përfshirës, me sa duket përfundimi do jetë ashtu siç do Ministria dhe autorët e saj sekretë.
Madje, edhe vetë reagimet nga akademia dhe shoqëria civile sugjerojnë pikërisht këtë, se konsultimet publike kanë qenë më shumë formale sesa përmbajtësore, apo më mirë thënë një lloj teatri, ku vendimet veç se janë marrë paraprakisht.
Nuk mund të flasim për reformë në arsim duke anashkaluar parimet bazë të transparencës dhe përfshirjes. Nuk mund të kërkosh besim publik, ndërkohë që fsheh informacionin bazë për mënyrën si është hartuar ligji.
Arsimi i lartë në vend ka probleme të thella, kjo është e padiskutueshme. Por ato nuk zgjidhen me improvizime dhe as me procese të mbyllura. Nuk zgjidhen duke kaluar nga A-ja në Zh, duke anashkaluar çdo hap në mes. Reformat serioze kërkojnë proces të hapur, debat real dhe përgjegjësi të qartë. Sepse në fund, një ligj që fillon me sekrete, rrallëherë përfundon në interes publik.
Kolumna është botuar fillimisht në Forumin për Ndryshime në Arsim.